Gjykata e Lartë i hap rrugën ekstradimit të Ilir Kumbaros
Ilir Kumbaro, një prej katër të akuzuarve për zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha, do të ekstradohet nga Londra, për tu gjykuar në Shqipëri.
Gjykata e Lartë vendosi pro ekstradimit të Ilir Kumbaros, ish-agjenti i SHISH, i kërkuar nga drejtësia shqiptare për rrëmbim dhe torturë.
Kolegjet e Bashkuara në Gjykatën e Lartë sot zhvilluan seancën përfundimtare për të vendosur nëse masa e sigurisë ndaj Ilir Kumbaros është e ligjshme ose jo. Kërkesa është bërë nga prokurori i çështjes, i cili kërkoi masë sigurie për Kumbaron gjatë gjykimit të çështjes.
Avokati mbrojtes e kishte cilësuar kërkesën e prokurorëve të paligjshme, pasi sipas tij këto kërkesa nuk mund të paraqiten gjatë gjykimit dhe nuk mund te gjykohen nga i njëjti trup gjykues që gjykon dhe çështjen e themelit.
Prej 15 vitesh Kumbaro jeton në Britani në një banesë sociale në sajë të ndihmës sociale që shteti i ka akorduar pasi kishte deklaruar se ishte i paaftë për punë.