Gjykata e Lartë kthen për së dyti dosjen për rigjykim
Vrasja për gjakmarrje
Bardhyl Rustemi, akuzohet se ka vrarë Lec Manjishtën në vitin 2003
TIRANË- Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë për të dytën herë kthen për rigjykim pranë Gjykatës së Shkallës së Parë dosjen penale në ngarkim të të pandehurit Bardhyl Rustemi i akuzuar për vrasjen e shtetasit Lec Majnishta për hakmarrje.
Sipas vendimit të togave të zeza, dosja rikthehet për herë të dytë nga togat e zeza, këtë radhë jo për shkelje të disa dispozitave ligjore të Kodit të Procedurës Penale gjatë shqyrtimit të fazës gjyqësore nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe më pas nga ajo e Apelit, por për shkak të mos kompetencës së kësaj gjykate për të gjykuar të pandehurin Rustemi.
Mësohet se i pandehuri Rustemi gjatë dy proceseve të zhvilluara pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda është dënuar me 23 vjet burg, vendime këto të prishura nga Gjykata e Lartë.
Fillimisht, pas një procesi të gjatë gjyqësor pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, kjo gjykatë vendosi deklarimin fajtor të të pandehurit Rustemi më datën 1 qershor 2005 dhe dënimin e tij me 23 vjet burg.
Avokati mbrojtës i të pandehurit e ankimoi çështjen në Gjykatën e Apelit e cila prishi çështjen për shkelje procedurale dhe ia ktheu pranë Shkallës së Parë. Por, të pakënaqur nga ky vendim Prokuroria e Krimeve të Rënda apeloi çështjen me rekurs pranë Gjykatës së Lartë, e cila la në fuqi vendimin e Apelit për rikthimin e çështjes në Shkallë të Parë.
Pas këtij vendimi, togat e zeza të Gjykatës së Krimeve të Rënda tashmë me një trup tjetër gjykues, vendosi përsëri dënimin e tij me 23 vjet burg për vrasjen e shtetasit Lec Majnishtës dhe plagosjen e Sokol Selmanit mesditën e 12 janarit 2003 në rrugën "Marin Barleti" në Shkodër.
Ky vendim i shkallës së parë u la në fuqi edhe nga Apeli i Krimeve të Rënda, por, dosja u dërgua sërish pranë Gjykatës së Lartë me kërkesë të mbrojtjes që kërkoi pafajësi për klientin e tij dhe mos kompetencën e kësaj gjykate për gjykimin e tij.
Kështu, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë i kryesuar nga relatori Gani Dizdari vendosi që të prishë vendimet e dy shkallëve të gjyqësorit dhe t'ia kalojë dosjen për kompetencë Gjykatës së Shkallës së Parë në Shkodër, pasi vepra penale për të cilën akuzohet i pandehuri Rustem, ajo e "vrasjes me paramendim" nuk është kompetencë e Gjykatës së Krimeve të Rënda.
Sipas akuzës, i pandehuri Rustemi akuzohet se më 12 janar të vitit 2003 në rrugën "Marin Barleti" në Shkodër ka qëlluar me 14 plumba shtetasin Lec Majnishta i cili po udhëtonte me shokun e tij që mbeti i plagosur, Sokol Selmani.
Vrasja mendohet se është kryer për hakmarrje, pasi i vëllai i të pandehurit, shtetasi Ardian Majnishta, kishte vrarë me thikë xhaxhanë e të pandehurit Ruzhdi Rustemi në vitin 1992, kohë kur i pandehuri Rustemi ka qenë vetëm 10 vjeç
---------------------------------------------------------------------------------------
Arrestohet në Rinas i kërkuari për vrasje
TIRANË- Policia e Rinasit arrestoi gjatë ditës së djeshme Ilmir Hajdarin, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje. 33- vjeçari Hajdari, lindur dhe banues në Shkodër, është dënuar në mungesë nga Gjykata e Shkodrës me 16 vjet burg, akuzuar për veprën penale të vrasjes e kryer në bashkëpunim.
Ngjarja për të cilën akuzohet Hajdari ka ndodhur që në vitin 2001 në qytetin e Shkodrës, ku i arrestuari bashkë me dy shokë të tij, ka vrarë me armë zjarri Indrit Bajrin, ngjarje kjo e ndodhur në lagjen "Partizani", në qytetin verior.
Më 21 dhjetor të vitit 2001 pas disa të shtënash me armë zjarri ka gjetur vdekjen Indrit Bajri dhe sipas të dhënave, ky i fundit është qëlluar me armë nga i arrestuari i djeshëm, duke mbetur i vdekur në vend. Ilmir Hajdari e ka kryer vrasjen në bashkëpunim me dy persona të tjerë, të cilët kanë përdorur secili ka përdorur armë të veçantë, e vërtetuar kjo nga gjetja e gëzhojave në vendin e ngjarjes.
Për këtë ngjarje Hajdari është dënuar me 16 vjet heqje lirie nga Gjykata më 4 maj 2005. Ilmir Hajdari vitet e fundit ka qëndruar në Itali dhe ishte shpallur person në kërkim ndërkombëtar për llogari të drejtësisë shqiptare.
Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në vitin 2001, autorët e vrasjes kanë arritur që të largohen duke mos u arrestuar nga Policia. Për një kohë të gjatë 33 vjeçari ka jetuar në shtetin italian, me qëllim për të mos u arrestuar nga Policia Shqiptare.
Edhe pse ky i fundit ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, nuk është arrestuar edhe në shtetin fqinj. I arrestuari do t'i dorëzohet autoriteteve të burgjeve për të vuajtur dënimin e mbetur në një nga burgjet e sigurisë së lartë në vend.