E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, Berisha premton ligj të ri për pronat

Kryeministri inauguroi rrugën transballkanike dhe zhvillon tubim në Orikum. Pasdite sulmon Ramën nga Divjaka


VLORË- Kryeministri Sali Berisha vizitoi dje Vlorën dhe Orikumin. Në prag të fushatës elektorale, kur kanë mbetur edhe 18 ditë nga zhvillimi i zgjedhjeve, kreu i qeverisë inauguroi tre investime në rrethin e Vlorës, ku përfshihen investimi në rrugën transballkanike, unaza e Orikumit dhe rikonstruksioni e zgjerimi i shkollës 9-vjeçare "Balil Pelari", po në Orikum.


Kreu i qeverisë u ndal fillimisht në rrugën transballkanike, ku preu shiritin e investimit prej 7 milionë euro. Ndërsa në Orikum Kryeministri Berisha u bëri thirrje pjesëmarrësve që t'i bashkohen ndryshimit edhe në katër vitet e ardhshme.


Kryeministri është ndalur edhe tek problemi i pronave, duke premtuar se do të votojë ndryshimet e ligjit të "Kalimit në pronësi të tokave të dhëna pa shpërblim", që u kundërshtua nga PR-ja, gjatë seancës së fundit parlamentare.


"Fermerë të Orikumit, Dukatit, Tragjasit, Rradhimës dhe fshatrave përreth, ju keni meritën e madhe, sepse keni identifikuar rreth 3000 ha tokë për ullishte.


Jam këtu për t'u zotuar se qeveria ime do të subvencionojë tërësisht mbjelljen e 3 mijë ha ullishte në këtë vend. Sikundër disa qytetarëve, të cilët janë zemërthyer, sepse nuk kanë marrë tokën në pronësi, dua t'u them se unë fjalë nuk lë pa mbajtur.


E kam bërë dekretin në vitin '96, dikush ka bërë një vepër të papërgjegjshme me dekretin, e bëra prapë ligjin, sërish u gjetën tre vetë, që me shprehjen popullore, ta dridhnin në Parlament. Sot, unë ju jap fjalën se në javën e parë të mandatit të dytë, ai ligj do të votohet në Parlament.


Unë nuk lëviz nga fjala ime, sepse atyre u takon",- tha Berisha. Kryeministri shtoi se shqiptarët nuk mund të cilësohen qytetarë evropiane nëse nuk ka rrugë të asfaltuara, ujë 24 orë, shkolla moderne për fëmijët, dhe po aq edhe dokumentin e identitetit.


"Ne na duhen edhe disa kohë, edhe ky mandat, që të barazohemi me furnizimin me ujë, kurse sot secili prej nesh mund të ketë dëshminë e identitetit të tij, të standardeve më të larta në Evropë dhe në botë.


Ju bëj thirrje, merrini ato, se është dhe ndjenje krenarie, që të shkojmë në ditën e zgjedhjeve para gjithë Evropës dhe të tregojmë se me çfarë votojmë ne. Ne votojmë me letërnjoftimet më moderne, të teknologjisë më të lartë, të prodhuara deri më sot në Evrope", - tha ai.


Kryeministri i vendit ka kaluar çdo modesti për veten teksa u ka kërkuar qytetarëve të Orikumit që të votojnë për të, sepse në këtë mënyrë votojnë për pagat e tyre. "Sa herë ju të votoni Sali Berishën, keni votuar për rrogat tuaja, për pensionet tuaja, për mirëqenien tuaj, sikundër nuk do të ketë qytetar shqiptar që do të marrë më pak se dy dollarë në ditë, që është pragu i varfërisë",- tha ai.


Kryeministri Berisha ishte dje edhe në qytetin e Divjakës, ku nuk la pa atakuar edhe kryetarin e opozitës, Edi Rama. "Edi Rama po përpiqet të krijojë koalicionin e bojkotit. Unë dua t'i them këtu para jush se ne do të votojmë në të drejtën tonë, do të votojmë si qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s, do të votojmë të lirë, do të votojmë me maturi politike.

--------------------------------------------------------------------------------------------------------------

Kryetari i PS-së së Vlorës reagon pas inaugurimit të rrugës


PS: Berisha inauguroi rrugë të papërfunduara

Vlorë- Kryetari i PS-së së Vlorës, Eltar Deda, ka deklaruar dje se rruga transballkanike, që inauguroi Kryeministri Sali Berisha, është e papërfunduar.


"Është e pafalshme dhe e papranueshme për ne që në mënyrë kaq tinëzare dhe thjesht për efekte elektorale, Kryeministri i gërshërëve të vijë dhe të presë shiritin, kur ende kjo rrugë është pa përfunduar, madje, siç e kemi theksuar dhe më parë, është kthyer në një rrugë vrastare.


Jo vetëm në aspektin e parametrave të qarkullimit rrugor, por edhe në anekset e tjera që shoqërojnë infrastrukturën e kësaj rruge, ka probleme vërtetë serioze dhe që për ne përbëjnë objekt të institucioneve të kontrollit dhe organeve të drejtësisë.


Krahasuar me detyrën e projektimit të hartuar nga Bashkia Vlorë, rrugës që sot na e dorëzon Kryeministri, i mungojnë pjesë të rëndësishme të projektit",- tha ai.


Deda shtoi se kësaj rrugë i janë bërë deformime të mëdha, jo vetëm në ndërtim, por edhe në lulishtet që shoqërojnë atë, si në trotuare, ashtu edhe në mesin e saj.


"Kështu, ndryshe nga projekti, Ministria e Transporteve, në vend të lulishteve bashkëkohore ka realizuar një tallje lulishte në mënyrën më amatoreske dhe më të papërgjegjshme.


Madje është e turpshme kur shikon se lulet që u vendosen thjesht për inaugurim, i tërhoqën sërish me makina, ndoshta për ndonjë inaugurim tjetër",- tha ai.


Deda ka denoncuar edhe veprimin e paprecedent, ku, sipas tij, sa herë që vjen Kryeministri në Vlorë, aq herë ndërpritet me urdhër mësimi në shkolla dhe gjithë procesi mësimor.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›