Gjykata e Larte kurbani i kushteve te PS

Partia Socialiste ndërsa ka dhënë konsensusin për projektligjin për heqjen e imunitet menjëherë në nisje të seancës së të hënë vendosi një tjetër kusht për votën e saj pro ligjit për Gjykatën e Lartë, tjetër kriter ky i Bashkimit Europian për marrjen e statusit kandidat. Kryetari i grupit parlamentar socialist deklaroi se opozita nuk do ta japë votën pa u zbatuar të gjitha vendimet e gjykatave, duke marrë si shembull rrethin e Fierit.
Në përgjigje të reagimit të deklaratës së Rucit, kryetarja e kuvendit,Jozefina Topalli tha se votimi i ligjit për Gjykatën e Lartë nuk është në interes e mazhorancës, por të shqiptareve. Kryeparlamentarja Topalli nënvizoi se ligjet e planit të veprimit, të futur në kalendarin e Kuvendit për javën e ardhshme, do të votohen brenda tetorit.
Futja në kalendarin e punimeve dhe miratimi në seancën plenare të 27 shtatorit të ligjit për gjykatën e lartë së bashku me atë të profesionit të avokatit janë dy nisma të cilat do të duhet të marrin konsensusin nga parlamenti, duke i çuar në këtë mënyrë një sinjal pozitiv Brukselit në dhënien e statusit të kandidatit. Por sa herë që kuvendi ka përfshirë në axhendën e punimeve shqyrtimin dhe miratimin e ligjit për gjykatën e lartë, opozita gjithmonë ka kërkuar shtyrjen e tij. Në sesionin e kaluar parlamentar socialistët e kushtëzuan miratimin e tij me amendimet e bëra në ligjin për gjykatën administrative, ndërsa në çelje të punimeve të Kuvendit në shtator e kushtëzuan me paketën e ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi.
Partia Socialiste është deklaruar politikisht pro marrjes se statusit të vendit kandidat, por me qëndrimet e saj po fakton akuzat e maxhorancës, se socialistët po bëjnë gjithçka për të penguar integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.