Nishani përmbyll vizitën në Bruksel, takohet me Ashton

Kreu i shtetit shqiptar Bujar Nishani përmbyll sot vizitën e tij tre ditore në Bruksel. Gjatë ditës së sotme ai do të takohet me Zëvendëspresidenten e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Politikën e Sigurisë, Baroneshën Catherine Ashton.
Ndërkohë, ditën e djeshme presidenti Nishani është takuar me komisionerin për zgjerim Stefan Fyle dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.
Gjatë takimit me kreun e shtetit shqiptar, komisioneri për zgjerim në BE, Stefan Fyle kërkoi rezultate konkrete në adresimin e 12 prioriteteve të kërkuara nga Bashkimi Europian për Shqipërinë. Ai i ka cilësuar si shumë të rëndësishme për integrimin e Shqipërisë edhe miratimin e ligjit për Gjykatën e Lartë dhe përfundimin e reformës zgjedhore.
Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidentin Nishani ka vlerësuar rolin e Shqipërisë në misionet paqëruajtëse.
Gjithashtu, presidenti Nishani është takuar më herët edhe Presidentin e Këshillit të Evropës, Herman Van Rompuy dhe me Presidentin e Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, të cilët i përsëritën kreut të shtetit apelin se integrimi evropian duhet të jetë një përpjekje reale kombëtare, një projekt gjithpërfshirës dhe se për suksesin e vendit është thelbësor një dialog politik i qëndrueshëm dhe konstruktiv.
Vizita zyrtare e Kryetarit të Shtetit në Bruksel është zhvilluar në prag të publikimit nga Komisioni Evropian të raport progresit për Shqipërinë.