E Shtunë, 31 Tetor 2026

Heqja e imunitetit OSBE e BE pershendesin vendimin

Menjëherë pas votimit me shumicë votash në Kuvend pro heqjes së imunitetit për zyrtarët e lartë dhe gjyqtarët kanë ardhur dhe mesazhet përshëndetëse nga përfaqësuesit e diplomacisë së huaj të akredituar në Tiranën zyrtare. Njëkohësisht i menjëhershëm ka qenë dhe urimi i kreut të shtetit shqiptar, Bujar Nishani. 
Nëpërmjet një mesazhi të bërë publik, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, nga Brukseli, ku po zhvillon një vizitë zyrtare, përshëndet votimin sot në Parlament dhe miratimin me konsensus të heqjes të imuniteteve të zyrtarëve të lartë dhe gjyqtarëve. 
“Dëshiroj të përshëndes dhe të vlerësoj aktin e përgjegjshëm të ndërmarrë sot nga deputetët e Kuvendit të Shqipërisë për votimin dhe miratimin me konsensus të heqjes të imuniteteve. Miratimi i këtij ligji të rëndësishëm përveçse përmbush pritshmëritë dhe kërkesat legjitime të qytetarëve shqiptarë, forcon edhe më tej parimin themeltar të barazisë së të gjithëve para ligjit si dhe të paanshmërisë së drejtësisë. Përmes këtij akti, klasa jonë politike dëshmoi maturi, përgjegjësi dhe aftësi në përmbushje të angazhimeve në interes të procesit të integrimit Europian të Shqipërisë”, theksohet në mesazhin e Presidentit Nishani.
Sipas tij, angazhimi i përbashkët i mazhorancës dhe opozitës në këtë proces evidentoi qartë përgjegjshmërinë dhe vlerat e konsensusit në çështje të rëndësishme për interesat e vendit.
Po kështu dhe Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ambasadori Ettore Sequi, mirëpriti ngrohtësisht miratimin që Kuvendi i Shqipërisë i bëri sot ligjit që amendon nenet kushtetuese  për imunitetin e deputetëve dhe gjykatësve. 
 “Miratimi i këtij ligji është një hap i rëndësishëm në forcimin e kuadrit ligjor të Shqipërisë për luftën kundër korrupsionit. Mbështetja që i është dhënë këtij ligji si nga ana e qeverisë ashtu edhe e opozitës është një shenjë inkurajuese për angazhimin më të gjërë për forcimin e shtetit ligjor në Shqipëri. Ne kemi parë se kur forcat politike shqiptare punojnë së bashku, ato mund të arrijnë rezultate domethënëse për të plotësuar kërkesat e vendosura në Opinionin mbi aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Duke vazhduar të punojnë së bashku, udhëheqësit politikë të Shqipërisë mund të bëjnë të mundur që vendi të arrijë një masë kritike rezultatesh të nevojshme për të marrë statusin e vendit kandidat”, thekson Sequi. 
Nga ana e tij, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, gjithashtu mirëpriti miratimin në Kuvend të ndryshimeve kushtetuese, të cilat kufizojnë imunitetin e përgjithshëm nga ndjekja penale për deputetët, gjyqtarët dhe zyrtarë të tjerë të lartë.
 “I përgëzoj të gjitha palët politike që miratuan sot këtë ligj të rëndësishëm. Të gjithë duhet t’i nënshtrohen Kushtetutës dhe shtetit të së drejtës, përfshirë zyrtarët publikë. Nuk duhet të ketë pandëshkueshmëri kur shkelet ligji”, tha Ëollfarth. “Ndryshimet e miratuara sot nga Kuvendi heqin një pengesë të madhe në hetimin e rasteve të dyshuara për korrupsion. Tani është në dorën e autoriteteve shqiptare të krijojnë një bilanc bindës vendimesh dhe dënimesh ose gjobash të forta dhe të përshtatshme në të gjitha rastet e korrupsionit”, tha ai.  

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›