Gjykata e Lartë mbetet e bllokuar, PD rrëzon dekretin e Presidentit
Gjykata e Lartë mbetet e bllokuar. Opozita ka braktisur sallën, ndërsa mazhoranca ka vazhduar e vetme mbledhjen duke diktuar verdiktin e saj për rrëzimin e Sokol çomos nga posti për Gjykatën e Lartë dhe duke e vlerësuar Medi Bicin si njeri besnik dhe profesionist për këtë post. Kuvendi do të rrëzojë dy nga kandidaturat e propozuara nga Presidenti Topi për Gjykatën e Lartë me votën kundër në sallën e Kuvendit. Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, ka depozituar dje në Drejtorinë Juridike vendimin që dy relatorët Fatos Hoxha dhe Dashnor Sula kanë paraqitur në komision për veprimtarinë e dy kandidatëve. Dy kandidaturat priten të votohen sot në sallën e Kuvendit. Mazhoranca e anëtarëve të Komisionit të Ligjeve ka dalë në vendimin përfundimtar për t’i propozuar Kuvendit rrëzimin e kandidaturës së Sokol çomos me pretendimin se “është kandidat me mangësi dhe mungesë besueshmërie në integritetin profesional dhe moral”. Arsyet që deputeti Hoxha ka dhënë në Komisionin e çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtat e Njeriut për rrëzimin e kandidaturës së çomos është se “në mënyrë të përmbledhur, kandidati refuzoi të përgjigjet në Komision për pyetjet e deputetëve Bumçi, Doda, Alibeaj, Paloka dhe Strazimiri”. Posti i zv.ministrit të Drejtësisë në kohën kur qeverisnin socialistët, kandidati çomo e ka quajtur si ‘shërbim’ dhe kjo është një tjetër pikë që mazhoranca e ka cilësuar negative në raportin e saj. Pavarësisht vlerësimit negativ që komisioni ka dhënë për kandidaturën e çomos, kryetari i Komisionit të Ligjeve ka bërë me dije se me biografinë që ka, Sokol çomo, megjithëse nuk arriti të marrë një post në Gjykatën e Lartë, mund të marrë një post në të ardhmen si deputet. “Të kemi mes nesh politikanin çomo, deputetin çomo që ta analizojë shtetin nga koordinatat që i takojnë”, tha Rusmali.
Relatori i vlerësimit për kandidatin Medi Bici, Dashnor Sula, ka kërkuar që Kuvendi të miratojë kandidaturën e tij për Gjykatën e Lartë. Mësohet se dy kandidaturat priten të shkojnë sot në votim në sallën e Kuvendit. Ndërsa për kandidatin e tretë, Vexhi Muçmataj, demokratët mësohet se do të sjellin raport negativ për të rrëzuar kandidaturën e tij. Sipas relacionit, kandidati Bici është një kandidaturë që garanton besueshmëri dhe jep garanci për publikun e gjerë në dhënien e drejtësisë për një gjykatë të pavarur, profesionale, dhe të pa korruptuar. Bazuar në dispozitat e Rregullores së Kuvendit, relatori propozoi miratimin e kësaj kandidature në komision dhe dërgimin për votim në seancë plenare për dhënien e pëlqimit. Pas propozimit të relatorit, deputetët nisën një diskutim të hapur dhe në përfundim të mbledhjes, miratuan me shumicë votash kandidaturën e Bicit për dhënien e pëlqimit për anëtar të Gjykatës së Lartë dhe propozimi i relatorit që kjo kandidaturë t’i dërgohet për votim seancës plenare.
#