Grabitësi i OSSH-së plagos punonjësen
Një punonjëse e OSSH-së është plagosur me armë zjarri nga dy persona që synonin të grabisnin arkën e një filiali në kryeqytet. Ngjarja ndodhi në mesditë në degën e Rrugës së Elbasanit, kur një vajzë dhe një djalë, me qëllim vjedhjen e parave, qëlluan me armë mbi arkëtaren 58-vjeçare Vjollca Stefa. E lënduara është dërguar me urgjencë në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që policia ka nisur hetimet për gjetjen e autorëve.
Burimet policore bënë të ditur se ngjarja e rëndë u regjistrua pak pas orës 14:00, kur një djalë edhe një vajzë janë afruar tek zyra e OSSH-së. Zyra ndodhej përballë Shkollës së Baletit, në një rrugicë, ku nuk kalojnë as automjete, pas një pallati të vjetër. Ajo ishte në formën e një barake me metal, brenda së cilës ndodheshin arkëtarja e degës së Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes dhe arkëtarja e Ujësjellësit. Gjatë gjithë ditës, ato qëndronin për mbledhjen e parave të faturuara të qytetarëve të ndryshëm. Në orët e paradites, para dy sporteleve të rrethuar me hekura për qëllime sigurie, ndodhen shumë njerëz, por nuk ka qenë e njëjta situatë dje në mesditë. Dy të rinj, që mendohet se janë të moshës 23-30 vjeç, djalë e vajzë, kanë pritur sa janë larguar edhe qytetarët e fundit, të cilët ishin duke paguar faturat e dritave dhe të ujit. Në momentin që ata kanë vënë re se nuk ndodhej ndonjë person tjetër dhe që në ballkonet e pallatit nuk kishte asnjë person, djali i ri ka shfrytëzuar derën gjysmë të hapur të kabinës së OSSH-së dhe ka hyrë brenda. Në atë kohë, punonjëset e kësaj zyre po përgatiteshin të largoheshin nga puna. Dy punonjëset i kanë kërkuar të riut që të dalë jashtë, por ai ka nxjerrë një pistoletë dhe ka kërkuar prej tyre paratë e mbledhura gjatë ditës. Ato kanë refuzuar t’i japin paratë dhe nën kërcënimin e armës, kanë tentuar të mbajnë situatën nën kontroll. Por, nga frika, i riu ka shkrepur armën, duke lënë të plagosur 58-vjeçaren, Vjollca Stefa. Menjëherë, gruaja tjetër ka dhënë alarmin, ndërkohë që i riu ka dalë me shpejtësi nga zyra dhe është larguar në drejtim të ish-Drejtorisë së Përgjithshme të Tatim-Taksave, pasi në drejtimin tjetër kishte lokale dhe klientët janë ngritur në këmbë, sapo kanë dëgjuar krismat. Aty është kthyer në një tjetër rrugicë dhe bashkë me një vajzë, të paktën sipas dëshmive, mendohet se është larguar nga vendi i ngjarjes. Dëshmitarët e ngjarjes, të cilët kanë dëgjuar krisma dhe janë afruar për të parë se çfarë kishe ndodhur, kanë njoftuar policinë.
Nga ana tjetër, menjëherë pas kësaj ngjarjeje të rëndë, e lënduara, e cila është plagosur rëndë, është dërguar për në spital. Ndihmën e parë ia ka ofruar kolegia e punës, ndërkohë që të pranishmit kanë vënë në dispozicion makinat, duke e dërguar për në Spitalin Ushtarak. Burimet nga spitali tregojnë se ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën, megjithëse plaga e marrë është e rëndë. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur shërbimet e policisë, ku fillimisht zona është rrethuar nga forcat e Komisariatit nr. 1. Sipas të dhënave hetimore, menjëherë janë ushtruar kontrolle dhe janë ngritur postblloqe, duke bërë shoqërimin e disa të dyshuarve. Më pas, policia ka marrë në pyetje kolegen e gruas së plagosur, duke i kërkuar informacion në lidhje me të dyshuarin e kësaj ngjarje të rëndë. Policia tha se i riu nuk kishte mundur të merrte para nga zyra e OSSH-së, duke u larguar me shpejtësi. Ai mendohet se është i njëjti person që dyshohet se ka kryer edhe krime të tjera në këtë zonë. Grupi hetimor është përforcuar më vonë edhe nga specialistët e Sektorit të Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe në bashkëpunim po punohet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e arrestimin e të gjithë personave të përfshirë në këtë krim.
#