Gruaja tenton vrasjen e kufitarit të lëndinës
Një grua është bërë më e fortë se burri për t’i dhënë fund konfliktit që kishin me kufitarin e pronës dhe në orën 03:00 të mëngjesit ka dalë me automatik në krah, duke qëlluar ndaj tij, me qëllim për ta vrarë. Ngjarja ka ndodhur në një fshat që ndan Tiranën me Dibrën, ndërkohë që policia, brenda pak orësh ka bërë shoqërimin e dy palëve. Sipas të dhënave hetimore, gjithçka ka nisur rreth orës 03:30, kur një telefonatë ka mbërritur në sallën operative, ku ka kërkuar ndihmë nga shërbimet e policisë, pasi po tentonin ta vrisnin. Personi telefonues është prezantuar si Agim Totri, 45 vjeç, nga fshati Zall-Bastar-Murrizi, që është në kufi të Tiranës me Dibrën. Menjëherë pas vlerësimit të situatës së rëndë, për në vendin e ngjarjes janë nisur shërbimet e Komisariatit nr. 4, të cilat kanë mbërritur shumë shpejt atje. Uniformat blu kanë marrë kontakt me të dëmtuarin, i cili ka deklaruar se ishte qëlluar nga bashkëshortja e një kufitari që ka në pronë. Nga ky informacion, policia ka nisur kërkimet për gruan e identifikuar me emrin Sabrie Shkopi. Ajo kishte mbërritur në banesë, ndërkohë që armën e kishte fshehur në oborr. Rreth orës 07:00, shërbimet e Komisariatit nr. 4 kanë gjetur 43-vjeçaren, e cila është shoqëruar për në polici, ndërkohë që brenda një kohe të shkurtër është gjetur edhe arma e krimit. Në lidhje me këtë atentat, policia tha se komisariati ka bashkëpunuar edhe me sektorin kundër krimeve të rënda, të cilët kanë zbardhur plotësisht këtë ngjarje. Sipas të dhënave, familja Shkopi dhe Totri kishin disa toka dhe ishin kufitarë ndërmjet tyre. Shumica ishin lëndina dhe linin bagëtitë në to. Por kohë më parë, ata janë zënë mes tyre për këtë problem, duke pretenduar pronësinë e lëndinave. Konflikti ka shkuar deri në kërcënime, ndërkohë që mëngjesin e djeshëm, gruaja e familjes nuk ka duruar më. Ajo ka marrë një automatik “Kallashnikov” dhe pa dijeninë e burrit ka dalë te toka e saj duke pritur për fqinjin, Agim Totri. Sapo është afruar, ajo e ka qëlluar për ta vrarë, pavarësisht se nuk e ka kapur asnjë plumb. Policia tha se pas dokumentimin të plotë të ngjarjes vendosi të arrestojë 43-vjeçaren për veprën penale të vrasjes së mbetur në tentativë.
#