Gjykata e Lartë në Tailandë dënon ish kryeministrin Sinavatra
Gjykata e Lartë në Tailandë dënoi ish kryeministrin Taksin Sinavatra me dy vjet burg për konflikt interesash.
Vendimi i sotëm është i pari kundër ish kryeministrit të përmbysur nga një grusht shteti në vitin 2006. Çështja kishte të bënte me një marrëveshje toke që përfshinte gruan e tij, Pojaman Sinavatra të cilën gjykata e nxorri të pafajshme.
As zoti Taksin dhe as zonja Pojaman nuk ishin të pranishëm për vendimin e sotëm. Ata shkuan në Britani dy muaj më parë duke thënë se nuk do të merrnin një gjykim të drejtë.
Zoti Taksin tha sot se e kishte pritur me kohë një vendim të tillë.
Gjykata nxorri një urdhër të ri arresti për ish kryeministrin. Prokurorët tailandezë thanë se do ti kërkojnë Britanisë ta ekstradojnë atë. (ze)