Gjykata e Lartë nuk pranon rekursin e Faruk Özer për ekstradimin e tij në Turqi

Ekstradimi i themeluesit të platformës Thodex, Faruk Fatih Özer tani është në dorë të Ministrisë së Drejtësisë.
Gjykata e Lartë e Shqipërisë vendosi sot në dhomën e këshillimit të mospranojë ankesën e paraqitur nga Ozer që kundërshtonte vendimin e Gjykatës së Apelit të Durrësit për ekstradimin e tij.
Faruk Ozer u arrestua më 30 Gusht 2022 në Palasë të Vlorës pasi Gjykata e Lartë e Stambollit kishte lëshuar urdhër arrest në prill të 2021, ndaj 28-vjeçarit, per veprat penale “Krijimi i organizatës kriminale” dhe “Mashtrimi me pasoja të rënda”.
Ai ishte arratisur nga Turqia në 20 prill 2021 kur autoritetet turke nisën hetimet pas një raporti nga përdoruesit se nuk mund të hynin në llogaritë e tyre të kriptomonedhave në “Thodex”.
Autoritetet turke e akuzojnë se ka përfituar rreth 2 miliard dollarë përmes platformës së kriptomonedhave “Thodex” duke mashtruar disa mijëra qytetarë turq.
Më 17 nëntor 2022 Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan vendosi pro lejimit të ekstradimit në Türkiye të Özer.
Vendimi u apelua më pas në Gjykatën e Apelit Durrës.
Më 30 dhjetor 2022 Apeli la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, që lejon ekstradimin në Türkiye të shtetasit turk Özer.
Vendimi u bë rekurs në Gjykatën e Lartë e cila sot më 13 prill ka vendosur të mos pranojë rekursin dhe tani i takon ministrisë së Drejtësisë të vendosë.
Në shtetin turk Ozer rrezikon deri në 40 mijë vite burg referuar të gjitha akuzave që rëndojnë ndaj tij.
Gazetare: Suela Alliu
/rtsh.al/