E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Çela raporton në KLP: Në 2022, vakanca në sistem deri në 42%! Tirana me numrin më të lartë të procedimeve

Prokurori i Përgjithshëm, Olsjan Çela, në raportimin në Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP) ka ngritur shqetësimin për vakancat e krijuara për shkak të vetingut. Në fjalën e tij, Çela u shpreh se gjatë vitit 2022, vakanca në sistem ishte deri në 42% e prokurorëve, ndërsa shton se pavarësisht “situatës së rënduar”, prokurorët vazhduan përpjekjet për kalimin e situatës.

“Vitin e kaluar vijoi krijimi i vakancave të përkohshme dhe të përhershme deri në 42 % të prokurorëve për shkak të rivlerësimit kalimtar. Ndërkohë, megjithë situatën e rënduar, prokurorët dhe strukturat administrative e mbështetëse në prokurori vazhduan përpjekjet për të përballuar këtë gjendje kalimtare. Përgjatë vitit 2022 është kryer mjaft punë për arritjen e një sërë objektivash në fokusin e veprimtarisë së Prokurorisë së Përgjithshme. Do të evidentoja këtu masat administrative dhe procedurale institucionale, siç janë miratimi i udhëzimeve të përgjithshme dhe planeve të veprimit për të vijuar unifikimin e veprimtarisë së prokurorive me juridiksion të përgjithshëm dhe mbikëqyrja e zbatimit tyre, për rritjen e efiçensës dhe efektivitetit në veprimtarinë e sistemit të prokurorisë bazuar në një kuadër normativ të unifikuar dhe sa më të konsoliduar në veprimtarinë institucionale”, tha Çela.

Ndalur te raporti mbi gjendjen e kriminalitetet në vend, kryeprokurori deklaroi se përgjatë vitit 2022, janë trajtuar 61045 kallëzime, një rritje prej 0,11% në krahasim me vitin 2021. Sipas raportit, Tirana rezulton me numrin më të lartë të procedimeve të regjistruara për vitin 2022, 80709, ndërsa me numrin më të ulët është Puka, me vetëm 59 procedime.

“Raporti mbi gjendjen e kriminalitetit, ku përfshihet dhe raporti mbi ngarkesën e punës të prokurorive për vitin 2022 që i janë vënë në dispozicion këtij Këshilli, paraqesin të dhëna të hollësishme për treguesit e punës dhe ecurinë e veprimtarisë për të gjithë prokuroritë. Në këtë raportim, vlerësojmë të ndalemi në disa tregues të performancës së prokurorive, problematikat dhe disa çështje që kërkojnë vëmendjen tuaj. Gjatë vitit 2022, në organin e prokurorisë janë trajtuar  61045  materiale kallëzuese që përbën një rritje prej 0,11% në krahasim me vitin 2021. Janë ndjekur gjithsej 48250  procedime penale, që përbëjnë një rritje prej 1,63 % në krahasim me vitin 2021, nga të cilat 25708  janë procedime penale të regjistruara, me një ulje  prej 9,32 % në krahasim me vitin 2021 dhe 677 procedime penale të rifilluara, që tregon ulje prej 27,52 % në krahasim me vitin 2021. Janë mbartur 21865  procedime penale me rritje prej 20,19 % krahasuar me procedimet e mbartura në vitin 2021. Është vendosur mosfillimi për  12795  referime dhe kallëzime penale, që do të thotë një ulje prej 5,23% në krahasim me vitin 2021”, u shpreh Çela.

Procedime të regjistruara 2022

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›