E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata e Lartë pushon çështjen ndaj Fatmir Mediut

Dosja “Gërdeci”, prokuroria merr shuplakën e radhës

TIRANE – Gjykata e Lartë pushoi dje çështjen ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu. Me vendim të trupit gjykues të organit suprem, dje u është dhënë fund hetimeve dhe procedimit ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, të akuzuar për çështjen “Gërdeci”, për shpërdorim detyre. Seanca për të marrë këtë vendim ka nisur në orën 10 të paradites së të hënës dhe ka përfunduar në orën 13.30 ku i është dhënë fund çështjes. Por për të arritur në këtë përfundim avokati mbrojtës i Fatmir Mediut, Ardian Visha ka kërkuar që në fillim të seancës mbylljen e çështjes për shkak të imunitetit të Mediut. Më pas Prokuroria e cila ka qenë e përfaqësuar nga grupi hetimor me kryetar Sokol Stojanin e ka quajtur kërkesën e mbrojtjes si të pa bazuar në ligj dhe se kur parlamenti i ka hequr imunitetin Fatmir Mediut nuk ka përcaktuar afat kohorë, por i ka hapur rrugën Prokurorisë për ta hetuar. Por pas gjithë këtyre deklaratave dhe kërkesave Gjykata e Lartë pas tre orësh ka vendosur që të pushojë çështjen “Mediu”.
Kryeministri Sali Berisha garanton institucionet e drejtësisë
Në përgjigje të interesimit të gazetarëve lidhur me vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë për të pushuar çështjen penale ndaj Deputetit dhe ish Ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, Kryeministri Sali Berisha u shpreh se nuk do të ketë asnjë lloj pengese për institucionet e drejtësisë, për hetimin dhe penalizmin e zyrtarëve të lartë të shtetit. “Duke mos ndërhyrë në vendimet dhe pavarësinë e gjykatës, si Kryeministër dhe si Kryetar i kësaj mazhorance, rikonfirmoj edhe një herë qëndrimin tim të prerë se, për qeverinë time dhe deputetët e mazhorancës, sikundër edhe gjatë mandatit të shkuar, edhe gjatë këtij mandati, nuk ka dhe nuk do të ketë imunitet, nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë lloj pengese për institucionet e akuzës dhe organet gjyqësore për hetimin dhe penalizimin e deputetëve apo ministrave, njëlloj si qytetarët e thjeshtë të këtij vendi. Ky është standardi i kësaj mazhorance”, u shpreh kreu i qeverisë Berisha.
Fatmir Mediu rikonfirmon gatishmërinë për përballjen me drejtësinë
Pasi Gjykata e Lartë vendosi dje pushimin e çështjes hetimore ndaj ish ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, ky i fundit u shpreh se mbetet i hapur ndaj organeve të drejtësisë, ndërsa bën thirrje që hetimi të shkojë deri në fund. “Deklaroj se nuk i njoh vetes asnjë lloj imuniteti ne lidhje me këtë çështje dhe çdo çështje tjetër. Kam qenë dhe jam i bindur se vendimi më i drejtë është hetimi dhe gjykimi i kësaj çështje deri në fund”, u shpreh Mediu. Ai theksoi se “pozicioni im si Ministër nuk më jep asnjë imunitet shtesë përveç atij të deputetit, për të cilin kam deklaruar se nuk e njoh dhe kërkoj drejtësi. Me kërkesën time përfaqësuesit e mi Ligjorë pavarësisht nga kushtet e reja procedurale kërkuan vazhdimin e gjykimit me anë të një Memo-je. Rideklaroj se që në fillim kam kërkuar zbardhjen dhe transparencë të plotë për tragjedinë e Gërdecit. Prandaj kam dhënë dorëheqjen si një akt përgjegjësie morale, kam deklaruar se nuk i njoh vetes asnjë lloj imuniteti për hetimin e kësaj çështje”, deklaroi më tej, ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, i cili në kabinetin e ri qeveritar do të mbajë funksionin e ministrit të Mjedisit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›