E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria në të njëjtin nivel klasifikimi për sa i përket Lirisë Ekonomike në Botë

Del raport vjetor, vendi ynë ka të dhëna dhe gjasa të përmirësojë pozitën e saj si rezultat i masave të qeverisë ndaj ndikimit të recesionit global.

TIRANE – Shqipëria renditet në të njëjtin pozicion sikurse edhe vitin e kaluar në klasifikimin e publikuar nga “Indeksi i Lirisë Ekonomike të Botës për vitin 2009”. I njëjti raport vjetor i publikuar dje nga Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike (ACER), e klasifikon Shqipërinë në vendin e 65-të. Ai vëren se Shqipëria ka të dhëna dhe gjasa të përmirësojë pozitën e saj si rezultat i masave të qeverisë ndaj ndikimit të recesionit global. “Shqipëria përbën një rast interesant studimi, thuhet në raport ndërsa vijohet se, ajo tregon se vetëm madhësia racionale e qeverisë nuk është e mjaftueshme për të siguruar përfitimet e lirisë ekonomike. Institucionet e lirisë ekonomike, si shteti ligjor dhe të drejtat e pronës, si dhe sektori monetar, hapja tregtare dhe rregullimi ligjor janë të nevojshme”. Sipas këtij raporti, Shqipëria u rendit mjaft lart, në vendin e 8-të në Madhësinë e Qeverisë: Shpenzime, Taksa dhe Sipërmarrje (Fusha 1) dhe e 7-ta në Sektorin Monetar (Fusha 3). “Pavarësisht renditjeve relativisht të larta në disa fusha, renditja e përgjithshme e Shqipërisë ishte e 65-ta”, vëren raporti. Raporti i këtij viti përfshin gjithashtu studime të reja që analizojnë ndikimin e mundshëm të recesionit global në nivelet e lirisë ekonomike.
Sugjerohet se liria ekonomike mund të pësojë rënie në afat-shkurtër si pasojë e krizës, por në një periudhë afat-gjatë, liria ekonomike ka një prirje të rritet pas një krize bankare.
Sipas datave të raporti, mësohet se, Shqipëria vlerësohet në komponentët kryesorë të lirisë ekonomike (nga 1 në 10-të ku vlera më e lartë tregon një vlerë më të lartë të lirisë ekonomike): Madhësia e qeverisë: ndryshuar në 8.07 nga 8.92 krahasuar me raportin e mëparshëm; Strukturat ligjore dhe garantimi i të drejtave të pronës: ndryshuar në 4.94 nga 4.13; Sektori Monetar: ndryshuar në 9.57 nga 9.64; Liria e tregtisë ndërkombëtare: ndryshuar në 5.93 nga 5.44; Rregullimi ligjor i kredisë, tregut të punës dhe biznesit: ndryshuar në 5.80 nga 6.40.
Në indeksin kryesor të këtij viti, Hong Kongu mban renditjen më të lartë për lirinë ekonomike, 8.97 nga 10 pikë maksimale. Vendet e tjera kryesuese janë: Singapor (8.66), Zelandë e Re (8.30), Zvicër (8.19), Kili (8.14 ), Shtetet e Bashkuara të Amerikës (8.06), Irlandë (7.98), Kanada (7.91), Mbretëria e Bashkuar dhe Australia (7.89), dhe Estonia (7.81). Renditjet dhe pikët e ekonomive të tjera të mëdha përfshijnë Tajvanin me të njëjtat pikë si Finlanda dhe Mauritius në vendin e 16-të (7.62); Gjermania 27 (7.50); Japonia 28 (7.46); Korea e Jugut 32 (7.45); Francë 33 (7.43); Spanjë, 39 (7.32); Suedi, 40 (7.28); Itali, 61 (6.95); Meksikë, 68 (6.85); Izrael, 78 (6.69), Kinë, 82 (6.54), Rusi, 83 (6.50), Indi, 86 (6.45); Argjentinë, 105 (6.10), dhe Brazil, 111 (6.00).

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›