Gjykata e Lartë rrëzon Prokurorinë për arrestimet e gardistëve
Tiranë- Gjykata e Lartë rrëzon hetimin e Prokurorisë për gardistët e grupit të zjarrit, të cilët u akuzuan për ngjarjet e 21 Janarit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Duke marrë në analizë rastin e njërit prej gardistëve, për të cilin organi i akuzës kërkoi masën e sigurisë “arrest me burg”, një Kolegj Penal, i kryesuar nga kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, rrëzon gjithë versionin e prokurorisë, sipas të cilit akuzohen kolektivisht gardistët. Në pjesën arsyetuese të këtij vendimi hidhet poshtë edhe analiza e bërë nga Shkalla e parë, e cila vendosi masën e sigurisë “arrest me burg me afat 30 ditor” ndaj gardistëve të cilësuar si pjesë e grupit të zjarrit. Vërejtjet e Gjykatës së Lartë adresohen mbi prokurorinë dhe grupin e hetimit, që nuk ka mundur që gjatë këtij hetimi të veçojë provat për secilin nga gardistët, duke lënë kështu të kuptohet se çdo gardist që ishte me shërbim pranë Kryeministrisë më 21 Janar, është i dyshuar për vrasje. Duke marrë në konsideratë vendimin e Gjykatës së Apelit, që shfuqizoi masën e arrestit ndaj gardistëve, Kolegji Penal e cilëson atë të drejtë në raport me provat e paraqitura nga prokuroria. Një nga provat e prokurorisë janë gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes, të cilat janë qitur nga armët e 4 gardistëve, përfshi edhe Agim Llupon, i arrestuar tashmë nën akuzën e vrasjes së Ziver Veizit. Por gardistët e tjerë të arrestuar dhe më pas të liruar nga Apeli, sipas gjykatës, jo domosdoshmërish janë të dyshuar për vrasje, për sa kohë nuk është provuar që arma e tyre ka sjellë pasoja për jetën e demonstruesve. “Pretendohet se ka dyshime të bazuara në prova që e implikojnë Mark Nikollin në kryerjen e veprave penale, sepse nga gëzhojat e sekuestruara e sipas aktit të ekspertimit balistik del se nga arma e tij është qëlluar në drejtim të demonstruesve. Fakti që me armën që Mark Nikolli kishte është qëlluar, del i qartë, sikurse provohet që është qëlluar dhe nga disa armë të tjera, bazuar në procesverbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes, ku janë gjetur 131 gëzhoja, por kjo s’mund të shërbejë për të arritur në përfundimin se viktimat janë qëlluar nga arma e tij, kur nuk ka asnjë të dhënë tjetër”- thuhet në vendimin e Gjykatës së Lartë. Më tej argumentohet se, “pavarësisht nga ngjarja e ndodhur me 21.01.2011 e pasojat shumë të rënda që u shkaktuan, në caktimin e masës së sigurimit, si dhe atë të vënies para përgjegjësisë penale, duhet detyrimisht individualizmi i provave për çdo person e jo të niset nga provat në tërësi, që vënë në dyshim qëndrimin e shumë personave që kanë qenë të pranishëm në ngjarje”. Gjykata e Lartë shprehet se në çdo rast duhet të përcaktohen qartë dyshimet të bazuara në prova për personin konkret, në të kundërt vendosja e masës së sigurimit bie në kundërshtim me kërkesat ligjore, sikurse është vepruar me personin nën hetim Mark Nikolli, sepse provat e paraqitura nga prokuroria për të janë po ato që lënë dyshime për çdo gardist që ka qëlluar me armë me datën 21.01.2011. Po ashtu, Shkalla më e lartë e gjyqësorit nuk lë pa analizuar as vendimin e Shkallës së parë, të cilin e konsideron të gabuar dhe për këtë arsye e rrëzon si të pabazuar në ligj dhe prova. “Gjykata e rrethit është ndalur kryesisht në veprimet që kishte kryer organi i prokurorisë dhe në ato që duhet të kryejë për sqarimin e plotë të çështjes, pa u ndalur në asnjë moment se cilat janë provat që krijojnë dyshime për kryerjen e veprave penale nga Mark Nikolli dhe as arsyet se përse ndaj tij duhej caktuar masa e sigurimit “arrest në burg” me afat 30 ditor”- shprehet Kolegji Penal.