E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tri çështjet e pazbardhura në duart e FBI-së

Kur kanë kaluar më shumë se gjashtë muaj nga ngjarjet e 21 Janarit, ku u vranë katër demonstrues dhe u plagosën disa të tjerë, hetimet për këtë ngjarje vazhdojnë të mbeten pezull. Stopimi i veprimeve hetimore dhe mospërcaktimi i armëve, të cilat kanë qëlluar mbi demonstruesit, ka sjellë zvarritje në zbardhjen e të vërtetave të 21 Janarit, një pjesë e të cilave tashmë u është besuar ekspertëve amerikanë. Janë të paktën tri çështje të rëndësishme, për të cilat janë angazhuar ekspertë të FBI-së, por rezultatet mbeten akoma të panjohura, pasi prokuroria ende nuk ka ndërmarrë veprime konkrete. Identifikimi i predhave të sekuestruara në vendin e ngjarjes, për të cilat Instituti i Policisë Shkencore tha se nuk kanë vlera identifikueshmërie janë çështja e parë kryesore ku janë angazhuar ekspertët amerikanë. Pas mbërritjes në Shqipëri të një prokurori federal, i cili ka asistuar grupin hetimor, prokuroria kërkoi dërgimin në laboratorin e FBI-së të predhave, që sipas ekspertëve shqiptarë nuk mund të ekspertohen. Të paktën 8 predha, së bashku me modelet krahasuese të një sërë armëve të Gardës së Republikës, janë dërguar pak kohë më parë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për t’iu nënshtruar një ekspertize të specializuar. Nga kjo ekspertizë prokuroria pritet të identifikojë armët që kanë qitur këto predha, mes të cilave janë përfshirë edhe dy plumbat që i morën jetën Faik Myrtos dhe Aleks Nikës. Gjithashtu, grupi hetimor shqiptar në pamundësi për të kryer ekspertiment hetimore në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për shkak të kompleksitetit që ka vendi i ngjarjes, ka kërkuar ndihmën e ekspertëve amerikanë për të realizuar këtë veprim të rëndësishëm hetimor. Një tjetër çështje që tashmë është në dorë të amerikanëve është edhe serveri i kamerave të Kryeministrisë, i cili sipas ekspertëve të Ministrisë së Brendshme ishte riformatuar në orën 01:00 të mëngjesit të datës 22 janar. Ekspertët thanë se më parë të dhënat e grumbulluara në server ishin kopjuar. Serveri gjithashtu është dërguar për ekspertim në laboratorin e FBI-së, pasi grupi i hetimit mendon se kamerat e vendosura përreth Kryeministrisë kanë filmuar të gjithë gardistët që kanë qëlluar ose jo në drejtim të turmës. Për këtë arsye prokuroria thotë se është tepër e rëndësishme rikthimi i të dhënave që serveri ka arritur të marrë nëpërmjet kamerave të sigurisë. L.Bakillari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›