Gjykata e Lartë rrëzon dosjen e Emiljano Shullazit
TIRANE-Emiljano Shullazi ‘sfidon’ Drejtësinë. Dosja penale ndaj të cilësuarit si një prej emrave më të rrezikshëm në botën e krimit do të shqyrtohet nga e para në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë. Shullazi ishte dënuar më parë nga kjo gjykatë me 13 vjet burg për trafik ndërkombëtar të drogës në kuadër të organizatës kriminale. E njëjta masë dënimi ishte dhënë dhe për bashkëpunëtorin e tij të ngushtë, Ervin Ferhati. Përpjekjet e Emiljano Shullazit për të rifituar lirinë duket se nuk kanë të sosur. Ai ju drejtua Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda duke kërkuar pafajësinë. Në maj të këtij viti, Apeli vendosi të kthejë dosjen për rigjykim dhe shpalli të pavlefshme përgjimet telefonike të realizuara nga Drejtësia italiane, me argumentimin se ishte shkelur sovraniteti territorial. Kundra këtij vendimi, Prokuroria kishte bërë rekurs në Gjykatën e Lartë. Kur kaluan pesë muaj, Gjykata e Lartë vendosi mospranimin e rekursit të Prokurorisë, duke i ndezur shpresat Shullazit për një përballje të re me Drejtësinë. Detar Hysi, avokati i Shullazit, do të tentojë me çdo kusht që përgjimet të mos merren si provë nga Gjykata, pasi janë shpallur të pavlefshme. Në fakt, bisedat telefonike janë prova më e fortë për të vërtetuar fajësinë e Emiljano Shullazit dhe nëse mbrojtja ia del t’i rrëzojë, ka shumë gjasa që i pandehuri t’ia ‘hedhë’ dënimit.
Sipas Prokurorisë, Emiljano Shullazi dhe Ervin Ferhati kanë drejtuar një organizatë kriminale që trafikonte heroinë nga Turqia në Itali duke përdorur si vend transit Shqipërinë. Furnizuesi me drogë i organizatës ishte një shtetas turk, ndërsa lënda narkotike e llojit kokainë dhe heroinë transportohej nga korrierë shqiptarë, kosovarë dhe kroatë. Urdhrat për çdo lëvizje jepeshin nga Shullazi. Por, në mungesë të tij, funksionet e “kapos” i kryesonte Ervin Ferhati. Emiljano Shullazi u arrestua katër vite më parë nga forcat e RENEA-s në një apartament me qira, ku u gjet së bashku me Gilmando Danin dhe Dritan Haten, të dy të kërkuar. Shullazi dyshohet të jetë i përfshirë në disa ngjarje të rënda të ndodhura në Tiranë e Durrës, por ndaj tij ende nuk ka asnjë akuzë konkrete.
(d.b/GSH/BalkanWeb)