Një vajzë, spektakël me makinë në lumin Lanë
Një vajzë 30-vjeçare nga Tirana është bërë protagoniste e një spektakli që për pak desh i ka rrezikuar jetën. Teksa drejtonte një autoveturë të tipi Opel me targa TR 2554 S, 30 vjeçarja ka shkelur gazin e makinës dhe pasi është përplasur me një shtyllë, makina ka marrë drejtimin e Lanës. Ngjarja që ndodhi në drejtim me shkollën "Ismail Qemali" vijoi gati me një fluturim të makinës, gati duke kaluar mes për mes lumin e Lanës nga njëra anë në anën tjetër. Dëshmitarët e rastësishëm kanë parë vërtet një gjë të rrallë dhe e gjithë kjo ngjarje është mbyllur me vetëm disa gërvishtje të vogla të vajzës. Dëshmitarët thanë se vajza doli vetë nga makina dhe vetëm për faktin që ishte e tronditur u dërgua në Spitalin Ushtarak. Policia rrugore e cila mbërriti në ngjarje vetëm për pak minuta nuk i mbeti asgjë tjetër vetëm se të bëjë matjet dhe të habitet me kalimin e një makine mes për mes lumit të Lanës.