Gjykata e Posaçme shpall të pafajshme Albana Vokshin për akuzën e shpifjes

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shpallur të hënën të pafajshme ish-deputeten Albana Vokshi, pas një padie të ngritur nga biznesmenia Vilma Nushi dhe kompania “3P LIFE LOGISTIC” për akuzën e “shpifjes”.
Në vendimin e saj, gjykata, me trup gjykues të drejtuar nga gjyqtarja Etleva Deda, vlerësoi se veprimet e Vokshit, të cilat ishin objekti i akuzës, nuk përbëjnë vepër penale.
Çështja u hap pas një kërkese për gjykim të paraqitur nga pala akuzuese më 16 janar 2025. Padia e Vilma Nushit dhe kompanisë “3P LIFE LOGISTIC” kishte si objekt akuzën ndaj Vokshit për kryerjen e veprës penale të “shpifjes”, të kryer botërisht.
Megjithatë, vendimi i gjykatës i dha fund procesit gjyqësor në favor të të akuzuarës. Përveç shpalljes së pafajësisë, gjykata vendosi që shpenzimet gjyqësore t’i ngarkohen palës akuzuese, Vilma Nushit dhe kompanisë “3P LIFE LOGISTIC”.
Vendimi i sotëm mund të apelohet brenda afatit ligjor në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
/rtsh.al/