E Hënë, 2 Nëntor 2026

Policia Rrugore harton një protokoll të posaçëm masash për përdoruesit e monopatinave

Policia Rrugore ka ngritur alarmin pas kontrolleve intensive të fundjavës, ku janë evidentuar një sërë shkeljesh të rënda, si drejtimi i automjeteve me shpejtësi deri në trefish mbi normën e lejuar, parakalime të gabuara dhe drejtimi nën efektin e alkoolit. Këto gjetje e kanë shtyrë Policinë e Shtetit të bëjë një apel të fortë për të gjithë përdoruesit e rrugës: “Mos luani me jetën!”.

Njësia Operacionale për Sigurinë Rrugore, në bashkëpunim me komisariatet e Policisë Rrugore në Tiranë dhe në 11 qarqe të tjera, ka intensifikuar monitorimet duke përdorur mjete inteligjente si radarët Poliscan, dronët, alkooltestuesit dhe kamerat.

Si pasojë e këtij monitorimi, u konstatuan një sërë shkeljesh flagrante si shpejtësi ekstreme që tejkalon dy deri në trefish normën e lejuar; parakalime të gabuara që rrezikojnë aksidentet fatale; përdorim i celularit gjatë drejtimit të mjetit; drejtimi i automjeteve nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur; mosvendosja e rripit të sigurimit dhe shkelje të tjera të rregullave.

Shefi i Sektorit për Sigurinë Rrugore, Artur Selimaj, apeloi për “zbatim me rigorozitet të sinjalistikës rrugore”, duke theksuar se Policia Rrugore ka hartuar gjithashtu një protokoll të posaçëm masash për përdoruesit e monopatinave dhe biçikletave.

Policia Rrugore paralajmëron se do të intensifikojë kontrollet 24/7 në të gjitha akset rrugore, duke ftuar edhe qytetarët që të denoncojnë çdo shkelje.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›