E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjedhja e Pay Tv, nën akuzë 11 persona

Prokuroria e Tiranës përfundon hetimet për “hacker”-ët e platformave dixhitale

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka zbardhur skemën e ndërhyrjeve të sofistikuara në platformat dixhitale televizive në Shqipëri, duke dërguar në gjykatë 11 “hacker”. Prokurori i çështjes, Erion Pano, ka firmosur kërkesën për gjykim për këtë çështje, duke akuzuar të pandehurit për veprat penale të mashtrimit kompjuterik, moskallëzimit të krimit dhe tregtimit të mallrave që janë kontrabandë. Personat e vënë nën akuzë janë: Alfred Kadriu, Edison Shema, Eldi Vorpsi, Fatmir Cupi, Lorenc Nushi, Marin Palushi, Saimir Kuniqi, Sajmir Likollari, Sokol Shalca, Spiro Zguri dhe Xhaferr Gixhari. Sipas dosjes së prokurorisë, të pandehurit dyshohen se kanë arritur të ndërhyjnë në platformat dixhitale, duke u shkaktuar këtyre të fundit qindra milionë lekë humbje. Një ndër akuzat që rëndon mbi 11 të pandehurit është “mashtrime nëpërmjet internetit”, e bazuar në nenin 143/b të Kodit Penal. Kjo është një vepër penale e re, e cila ka hyrë në fillim të vitit të kaluar në legjislacionin shqiptar.

Abuzimi me “Pay Tv”

Prokuroria deklaron se janë dokumentuar qindra raste të abuzimit me këtë skemë. “Janë qindra raste të dokumentuara që janë shitur ‘Dream Box’. Fillimisht, personat e ndaluar shisnin aparatin ‘Dream Box’, që i mbanin në dyqanet e tyre. Më pas, në momentin që klientët vinin në punë këto aparate në shtëpi dhe e lidhnin me internetin, të arrestuarit kontaktonin me ta nëpërmjet numrit të telefonit dhe i tregonin procedurat për të hyrë në linjën e tyre. Më pas, u aktivizonin linjën”, thanë burimet nga prokuroria dhe policia. Sipas tyre, në serverët e tyre kishin dy programe. “Njëri prej programeve funksiononte për përshtatjen e ‘Dream Box’ me sinjalet e televizioneve, si ‘Digitalb’, ‘Sky’ etj., dhe një program tjetër përdorej për thyerjen e kodeve të kartave”, thanë burimet nga grupi hetimor, i cili shton se një server mbante rreth 50 klientë.

Dosja në gjykatë

Prokurorët e çështjes Elio Mazreku dhe Erion Pano kanë dokumentuar veprimtarinë e paligjshme të të ndaluarve, ndërsa kanë urdhëruar strukturat e Policisë së Tiranës që të kryenin blerje të stimuluara për të zbardhur mekanizmin. “Grupi hetimor ka kontaktuar dhe blerë ‘Dream Box’ të të gjithë të pandehurve. Për t’u siguruar, agjentët civilë kanë shkuar te personat e dyshuar edhe nga 3-4 raste”, thuhet në dosjen e akuzës. Sipas tyre, për këtë proces, hetuesit shpjegojnë se në rrugë ligjore janë përdorur filmimet dhe përgjimet. “Janë 115 raste të dokumentuara që i ka blerë policia. Gjithashtu, ‘Dream Box”-et, janë sjellë kontrabandë në Shqipëri, pasi hyrja e tyre nuk ka qenë e regjistruar, pavarësisht se me ligj duhet paguar taksa”, thanë burimet e prokurorisë. Sipas tyre, janë gjetur në serverët e sekuestruar edhe listat e klientëve, të cilët kishin blerë këto pajisje. Prokuroria ka arritur të pyesë qindra persona dhe të kryejë verifikime dhe vëzhgime në terren. Gjithashtu janë kryer të gjitha ekspertizat përkatëse dhe ka rezultuar se personat e pandehur kanë konsumuar tre vepra penale dhe rrezikojnë një dënim nga gjobë deri në pesë vjet heqje lirie.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›