Gjykata e Tiranës i jep lirinë "piratit" italian të bankave
TIRANE- Gjykata e Tiranës i ka dhënë lirinë italianit që u arrestua nën akuzën e klonimit të kartave të kreditit. Gabriele Pascualino është 27-vjeçari nga Xhenova që më 16 maj të këtij viti është lënë i lirë me vendim gjykate pasi koha e vuajtjes së paraburgimit të tij sipas gjykatës është më e gjatë se sa koha e dënimit. Italiani i klonimit të kartave të kreditit tashmë është lënë i lirë ndërsa pritet t'i lirohet edhe bashkëpunëtori në sipërmarrjen e çuditshme, por mjaft frytdhënëse të klonimit të kartave të kreditit. Për 27-vjeçarin të arrestuar dy vite më parë u kërkua masa e dënimit prej 5 vitesh burg dhe një gjobe, më pas u vendos që të lihej në burg nën masën e dënimit tri vite. I riu Pascualino në bashkëpunim me Luca Calvi hynë në historinë e piraterisë së bankave në vendin tonë, në kohën kur sapo kishte nisur të kërcënonte "krimi i shekullit". Dy të rinjtë të ardhur nga Xhenova munden të kryenin mbi 100 veprime bankare me "kartat" e tyre. Ndërhyrjet i kryenin gjithnjë në të njëjtën bankë, që rezultoi asokohe të ishte e nivelit të dytë në Tiranë. Ky ishte edhe "gabimi" që çoi në identifikimin dhe më pas prangosjen e tyre. Nga të dhënat që e shoqëruan zbulimin u mësua se dy "piratët" e bankave vinin nga e njëjta "shkollë" grabitjeje në vendlindjen e tyre. Atje u tha se ishin arrestuar dhe dënuar për të njëjtin akt kriminal, por pas lirimit, të rinjtë kanë kuptuar se aktiviteti i tyre mund te gjente terren vetëm në Shqipëri, pasi në vendin tonë grabitjet e bankave kryheshin vetëm me armë dhe maska, ndërsa klonimi i kartave do t'u jepte atyre mundësinë të ishin zotër të kësaj "pune".
(s.g/GSH/BalkanWeb)
(s.g/GSH/BalkanWeb)