Vazhdon numërimi. Lulzim Basha, 30 vota para Edi Ramës. Humbësi zbarkon përsëri në rrugë. Reagon Berisha: Rama, tentativë për të asgjësuar KQZ-në

-- Bujar Nishani: Policia do zbatojë ligjin në garantimin e lirive dhe të drejtave të qytetarëve
-- Dhuna te KQZ, lëndohen 5 efektivë të Policisë së Shtetit
-- Edhe presidenti i Republikës Bamir Topi, hedh votën për kreun e bashkisë në kutinë e gabuar
UPDATE- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vazhdon numërimin e votave të kontestuara. Deri tani janë numëruar 33 kuti nga 62 që janë në total. Të dhënat paraprake flasin për një epërsi në rritje të kandidatit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili ka marrë 57 vota, ndërsa Rama 22 vota. Në tërësi, Basha kalon në avantazh Ramën, duke marrë kryesimin e garës me 25 vota diferencë. KQZ do të vazhdojë punën me numërimin edhe të 29 kutive të tjera me vota të kontestuara. Akti normativ i miratuar dje nga KQZ, e cila në funksionin paraprak luan rolin e një KZAZ-je për Tiranën, i hap rrugë numërimit të cdo vote të vlefshme që është gjetur në kutitë e gabuara.
Rezultatet
Qendra e votimit 2027, 5 fletë votimi
Lulzim Basha- 4 vota
Edi Rama- 1 votë
Qendra e votimit 2025, 2 fletë votimi
Lulzim Basha- 2 vota
Edi Rama- 0 vota
Qendra e votimit 2022, 2 fletë votimi
Lulzim Basha- 1 votë
Edi Rama- 2 vota
Qendra e votimit 2019, 1 fletë votimi
Lulzim Basha- 1 votë
Edi Rama- 0 vota
Qendra e votimit 1809/1, 1 fletë votimi
Lulzim Basha- 1 votë
Edi Rama- 0 vota
Qendra e votimi 1797, 1 fletë votimi
Lulzim Basha- 1 votë
Edi Rama- 0 vota
Qendra e votimit 1796, 1 fletë votimi
Lulzim Basha- 1 votë
Edi Rama- 0 vota
Berisha: Rama, tentativë për të asgjësuar KQZ-në
Kryeministri Sali Berisha reagoi ashpër sot përmes një konference për shtyp, duke paralajmëruar tendencat e dhunshme të opozitës, se çdo cenim i institucioneve të këtij shteti, do marrë përgjigjen e merituar ligjore. Qëndrimi i kryeministrit erdhi pas dhunës së ushtruar nga militantë dhe deputetë të Partisë Socialiste në ambientet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve si dhe në disa akse kryesore rrugore të vendit. Shefi i ekzekutivit deklaroi se askush s’do ia dalë të cenojë sistemin demokratik dhe se ultimatumet e z.Rama, të shoqëruara me ftesën për bashkëpunim dhe kërcënimet se do të nisë revoltën nëse vihet në diskutim ky rezultat, është një ftesë për kompromis e tij: “Më jep Tiranën, të ndalem”. “Ata 800 mijë shqiptarë që votuan koalicionin tim nuk do të pranon dorëzim në tavolinë të pushtetit”- tha kryeministri Berisha.
Edhe presidenti i Republikës Bamir Topi, hedh votën për kreun e bashkisë në kutinë e gabuar
Pamjet filmike të shkëputura nga ABC NEWS, faktojnë se kreu i shtetit gabimisht ose i keq-orientuar nga komisioneri pranë kutive të votimit, lëshon votën për kryetarin e bashkisë, në kutinë e kreut të njësisë bashkiake
Mes zgjedhësve të kryeqytetit që votuan në mënyrë të rregullt në fletën e votimit të miratuar, nga KQZ, por e hedhur aksidentalisht në kuti tjetër, është edhe ajo e presidentit të Republikës, Bamir Topi, për kryetar bashkie. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve prej dy ditësh po numëron të gjitha ato fletë të rregullta votimi, të kontestuara për shkak të gjetjes së tyre jo në kutinë e caktuar. Mes këtyre qytetarëve, vota e të cilëve rrezikonte të mos numërohej për një gabim aksidental e që në disa raste nuk përjashtohet të ketë qenë dhe i orientuar është si i barabarte mes të barabartëve dhe presidenti i Republikës, Bamir Topi. Kreu i shtetit, kësaj here edhe i pa-orientuar nga personi i caktuar pranë katër kutive të votimit për të ndihmuar zgjedhësit, ka hedhur votën e tij me shirit të verdhë për kryetar të bashkisë së Tiranës, në kutinë për kreun e njësisë bashkiake, lehtësisht e verifikueshme kjo nga pamjet e transmetuara ‘live’ ditën e zgjedhjeve nga qendra e votimit në shkollën 9-vjeçare “Servet Maçi” në njësinë bashkiake nr. 9. A do të ndihej keq numri 1 i shtetit nëse vota e tij nuk do të numërohej, sepse aksidentalisht e hodhi në një kuti tjetër? Nëse, siç forca kryesore në opozitë ka kërkuar me insistim mos-numërimin e këtyre votave, për shkak se nuk donin të rrezikonin avantazhin minimal prej 10 votash të kryebashkiakut aktual Edi Rama, fatin e votës së shumë zgjedhësve shqiptar do ta kishte dhe ajo e zotit Topi. Akti normativ, i refuzuar nga opozita po i miratuar nga mazhoranca në linjën e saj ë theksuar që nga dita e zgjedhjeve se çdo votë e hedhur duhet të numërohet, i ka hapur dritën jeshile numërimit të votave të rregullta të kontestuara vetëm se gjatë numërimit nuk gjenden në kutinë e duhur, dhe kur gabon presidenti i Republikës, kush përjashton mundësinë e përsëritjes së këtyre gabimeve njerëzore edhe nga zgjedhës të tjerë që kanë ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese të votës, në një gare që në memorien e qytetarëve të Tiranës do të mbetet historike, e pashlyeshme. Përfundimisht, këto fletë të izoluara në zarfe të mbyllura, tashme po numërohen, ndër të cilat edhe vota e presidentit Topi, hedhur në njësinë bashkiake nr. 9 për të mbetur dhe ky një numërim historik i çdo vote të rregullt të qytetarëve të Tiranës.
Humbësi zbarkon përsëri në rrugë, por qytetarët e braktisin
Qytetarët injorojnë thirrjet e Ruçëve dhe Braçeve, të urdhëruar nga njeriu i politikës së rrugës, Edvin Rama, për protesta të dhunshme dhe revoltë popullore. Kryetari socialist dhe njëherazi kandidati që humbi zgjedhjet për bashkinë e Tiranës, Edi Rama, duket se është i vendosur t’i shkojë deri në fund çmendurisë së tij psikologjike, për të keqpërdorur qytetarët dhe simpatizantët partiakë të majtë, por as kjo duket se s’do i funksionojë. Ajo që parashikohej para se të zhvilloheshin zgjedhjet lokale, po gjen zbatim të përkryer aktualisht në situatën post-zgjedhore. Edi Rama s’ka vullnet të pranojë leximin e votës së qytetarëve, pasi ata janë shprehur qartë kundër politikave të tij destruktive dhe me synim cenimin e stabilitetit politik, social e ekonomik. Në kushtet kur Bashkimi Evropian bën thirrje për dialog konstruktiv, nga ana tjetër është Edi Rama ai që kundërpërgjigjet se s’ka ndërmend t’i imponohet vullnetit kushtetues të qytetarëve të Tiranës, të cilët në 8 maj ndëshkuan me votë “betejën” e tij politike. Thirrjet e djeshme për revoltë popullore kanë reflektuar në një pjesë të qyteteve të kontrolluara nga besnikë të Ramës, të cilët në shkelje të hapur me ligjin kanë bllokuar disa nga akset kryesore të vendit, me slogane të çuditshme të tipit si, “Mos prekni votën”. Këto turma nxiten nga deputetë të opozitës, të cilët qëndrojnë në krye të protestuesve dhe sigurisht që përgjegjësia për çdo incident si në dëm të forcave të rendit ashtu edhe të protestuesve, do bjerë mbi deputetët nxitës dhe mbi urdhër-lëshuesin e tyre, Edi Rama. Në këto momente protestat po zhvillohen në qytetet si Durrës, Fier, Vlorë dhe Kavajë, me pjesëmarrje të dobët, ndërsa ka një indiferencë të theksuar të qytetarëve të Elbasanit dhe të Korçës. Para se Edi Rama të lëshojë urdhëra partiakë të sensit revoltë popullore dhe protesta të dhunshme, duhet të mendojë mirë se, për çfarë do lloj situate të padenjë, përgjegjësia bie mbi të dhe vetëm mbi të. Vota do lexohet deri në fund, pasi ky është detyrimi më i rëndësishëm ligjor si dhe një nga kriteret e institucioneve ndërkombëtare për një proces zgjedhor me standarde Evropiane.
Bujar Nishani: Policia do zbatojë ligjin në garantimin e lirive dhe të drejtave të qytetarëve
Në ditën e dytë të protestës së simpatizantëve të Partisë Socialiste në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, siguroi se ligji do të respektohet në çdo aspekt të tij, por në të njëjtën kohë duke ruajtur liritë dhe të drejtat e qytetarëve. “Sot Shqipëria ka të gjitha institucionet e saj të konsoliduara në zbatim të ligjit të cilat kanë të gjitha aftësitë profesionale dhe logjistike për të përmbushur misionet e tyre në rastin e garantimit të rendit dhe qetësisë publike dhe mbi të gjitha të sigurisë, jo vetëm të institucioneve që janë shumë të rëndësishme, por të çdo qytetari të thjeshtë kudo që ai është”- tha Nishani. Kreu i Ministrisë së Brendshme tha se Shqipëria i ka të gjitha institucionet funksionale për ta zbatuar ligjin ndërsa shtoi se Policia e Shtetit do të siguroje zbatimin e tij në protestën para ambienteve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. “Policia e shtetit ashtu siç ka vepruar deri më sot do vazhdojë të përmbushë mision e saj, do vazhdojë të përmbushë detyrën e saj përballë ligjit, por mbi të gjitha përballë asaj që qytetarët, taksapaguesit shqiptarë kërkojnë dhe e ngarkojnë policinë e shtetit për të garantuar rendin, qetësinë publike, jetën dhe sigurinë e tyre”- tha Nishani. Deklaratat e Nishanit erdhën pas projektit të organizuar nga PAMECA, ambasada Britanike dhe ministria e Arsimit për emancipimin e qytetarëve dhe fëmijëve mbi rregullat e qarkullimit rrugor.
Policia, thirrje qytetarëve: Shmangni veprimet e dhunshme
Policia e Tiranës ka deklaruar se ka marrë masa për ruajtjen e objektit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe sigurimin e rendit e të qetësisë ndërsa i bën thirrje qytetarëve të distancohen nga aktet e dhunës dhe të shmangin çdo lloj provokimi apo goditje ndaj forcave të policisë. Në një deklaratë për shtyp policia e Tiranës ka theksuar se rreth orës 11.30, pas grumbullimit para ndërtesës së Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, një grup personash kanë ushtruar dhunë ndaj strukturave të policisë, ku disa prej tyre janë të lënduar dhe një punonjës policie është dërguar në Spitalin Ushtarak Tiranë, për të marrë ndihmën mjekësore. Më tej policia bën me dije se rreth orës 11.00 të ditës së sotme, në segmentin rrugor Rrogozhinë - Kavajë, në afërsi të Urës së Drazhit, janë grumbulluar në një tubim rreth 200 persona, të cilët kanë bllokuar këtë segment rrugor. Sipas policisë janë marrë masat për ruatjen e rendit dhe të qetësisë publike, ku deri më tani nuk është shënuar asnjë incident.
Dhuna te KQZ-ja, lëndohen 5 efektivë të Policisë së Shtetit
Është tensionuar situata para godinës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ndërkohë që po numërohen votat e pa-numëruara për kryebashkiak të Tiranës. Mbështetësit e opozitës se bashku me disa deputetë të Partisë Socialiste tentuan të hyjnë brenda godinës. Ata kanë shtyrë forcat e policisë dhe janë përplasur me gardhin e krijuar nga uniformat blu. Në krye të turmës që kërkon të çajë kordonin e policisë ndodhet deputeti Saimir Tahiri. Nga konfrontimet, mbetën të lënduar katër punonjës policie, një nga te cilët është dërguar menjëherë për të marrë ndihmën mjekësore. Mbështetësit e Partisë Socialiste kanë ushtruar presion mbi forcat e policisë duke i hedhur edhe shishe e sende të forta.
PD, Tabaku: Pse ka frikë Edi Rama, nga numërimi i çdo vote?
Jorida Tabaku, kandidate e parë e Këshillit Bashkiak të Tiranës, nëpërmjet mediave i përcolli një mesazh kandidatit socialist Edi Rama. Tabaku i bëri thirrje Ramës që të respektojë vullnetin e qytetarëve si dhe të lerë pas interesat e tij personale. “Është bërë e qartë sot nga veprimet e Edi Ramës se nëse të gjitha votat numërohen sipas një procesi të ligjshëm, ai do të kërkojë revoltë. Është bërë e qartë nga veprimet e Edi Ramës se nëse të gjitha votat numërohen sipas një procesi të ligjshëm ai nuk fiton. Është bërë e qartë nga veprimet e Edi Ramës se duke bllokuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ai në mënyrë të dëshpëruar kërkon të anashkalojë procesin e ligjshëm për përfitimet e tij personale. Është bërë e qartë nga veprimet e Edi Ramës se ai kërkon të mbysë zërat e qytetarëve pasi nuk i pëlqeu ajo që ato thanë. Është bërë e qartë nga veprimet e Edi Ramës se ai është i gatshëm të bëjë gjithçka vetëm e vetëm për të ruajtur karrigen. Është bërë e qartë se të gjithë qytetarët janë të lodhur nga veprimet e Edi Ramës dhe janë të gatshëm të shkojnë përtej luftërave politike. Pse ka Edi Rama frikë nga numërimi i çdo vote?
...