E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE: Qorrsokaku politik po mban peng reformat në vend

BRUKSEL- Përpara takimit të Këshillit të tretë të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri, që do të mbahet javën e ardhshme në Bruksel, 27 vendet anëtare të Bashkimit Europian kanë analizuar situatën politike para dhe pas-zgjedhore. Në një raport të hollësishëm, që sjell “TCH”, thuhet se Bashkimi Europian nënvizon se mirë-funksionimi i institucioneve demokratike është aspekt thelbësor i kriterit politik dhe, si pasojë, themelor në procesin e anëtarësimit. BE-ja thekson rëndësinë e ri-vendosjes së duhur e të plotë të veprimtarisë parlamentare, të bazuar në dialog të qëndrueshëm e konstruktiv politik, mes të gjitha partive politike. Ky është një prioritet kyç i opinionit. “Qorrsokaku politik po mban peng reformat e rëndësishme të kërkuara nga vendi, për të ecur përpara drejt BE-së. Për më shumë, funksionimi i plotë i parlamentit është jetik për besueshmërinë e pjekurisë demokratike të Shqipërisë", - thuhet në raportin konfindencial të siguruar nga “TCH”. Lidhur me ngërçin politik, BE-ja shpreh keqardhjen për vazhdimin e ngërçit të gjatë politik dhe klimës konfrontuese politike, që buruan nga mosmarrëveshja mbi rezultatin e zgjedhjeve të qershorit 2009. “BE përsërit thirrjen se është e gatshme të kontribuojë në të gjitha përpjekjet për të zgjidhur ngërçin politik. Por nënvizon se është fillimisht përgjegjësia e liderëve politikë të të gjitha anëve, të vendosin interesat dhe të ardhmen e vendit mbi axhendat personale të partive politike dhe të gjejnë një zgjidhje për daljen nga qorrsokaku. Liderët politike duhet të ndërmarrin hapat e domosdoshëm dhe të veprojnë për këtë qëllim”, - thuhet në raport. Për zgjedhjet, europianët vlerësojnë se megjithë parregullsitë, gjërat mund të quhen brenda normave, deri te rezultati paraprak. BE-ja përsërit thirrjen se reforma zgjedhore dhe mbajtja e zgjedhjeve janë prioritetet kyçe të Opinionit. “BE vëren se, pavarësisht disa parregullsive, votimi gjatë zgjedhjeve të 8 Majit ishte përgjithësisht i qetë dhe se fillimisht numërimi ishte i ngadaltë por, megjithëse u shoqërua me disa tensione, përgjithësisht ishte brenda normave. BE-ja shpreh keqardhjen për keqësimin e situatës dhe rritjen e tensioneve, që pasuan kur rezultatet paraprake nuk u shpallën nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe pas vendimit të tij për të numëruar vota të gabuara, i cili u konfirmua nga Kolegji Zgjedhor. BE-ja pret që procesi në vazhdim i ankesave të jetë i ndershëm, transparent, të kryhet në mënyrë të pavarur dhe në përputhje të plotë me kuadrin ekzistues ligjor. BE thekson nevojën për t'ju drejtuar të gjitha rekomandimeve të bëra nga OSBE/ODIHR, pas zgjedhjeve të Qershorit 2009 dhe rekomandimet paraprake, që bëri në kuadër të zgjedhjeve lokale të Majit 2011 (po ashtu dhe rekomandimet përfundimtare sapo të publikohen) për të përmirësuar praktikat e së kaluarës dhe të garantojë përputhshmëri me standardet e BE-së dhe ato ndërkombëtare për zgjedhje demokratike”, - thuhet në raport. Në këtë dokument, përsëritet thirrja për krijimin e një administrate publike të pavarur, dhe gjyqësori vazhdon të kritikohet për mosfunksionimin e duhur. BE-ja kërkon sërish hetim dhe ndëshkim të fajtorëve për ngjarjet e 21 janarit. Për median, kërkohen dëshmi të dukshme për garantimin e lirisë dhe pavarësisë së saj. Në dokument vijojnë të pandryshuara vlerësimet për disa fusha kyçe, si krimi i organizuar, trafiqet e korrupsioni: Në qëndrimin e radhës, BE-ja nuk harron të lavdërojë Shqipërinë për rolin e saj pozitiv në rajon, si dhe për zbatimin, në përgjithësi, pa pengesa të MSA-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›