E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Tiranës shpall të pavlefshme fletëthirrjen e prokurorisë për Bashën

Nga Bledar Lumani

Gjyqtarja Fatmira Hajdari e ka cilësuar si të paligjshme fletëthirrjen e prokurorisë për ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha, i cili akuzohet për abuzime në ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës. Me vendimin e djeshëm, gjykata nuk e cilëson më si të pandehur Bashën. Por, dosja ndaj këtij të fundit ka shkuar në Gjykatën e Lartë dhe vendimi i djeshëm i gjykatës së kryeqytetit duket se nuk do të ketë efekt. Sakaq, me vendimin e djeshëm, gjyqtarja Hajdari ka krijuar përplasje me një vendim tjetër të dhënë pak kohë më parë po nga Gjykata e Tiranës. Sipas vendimit të marrë nga gjyqtari Sokol Tona gjatë shqyrtimit të kërkesës së ish-zëvendësministrit të Transporteve, Armand Teliti, për mbylljen e hetimeve të dosjes Durrës-Kukës, çështja e Lulzim Bashës nuk është kompetencë e kësaj gjykate.

Vendimi

Edhe pse dosja ndaj ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, ka shkuar për gjykim në Gjykatën e Lartë, gjykata e kryeqytetit e ka cilësuar si të paligjshme fletëthirrjen e prokurorisë ndaj Bashës. “Deklaroj të pavlefshme aktet procedurale të hetimeve paraprake, akt-njoftimin dhe njoftimin e akuzës për Lulzim Bashën”, - u shpreh dje gjatë vendimit gjyqtarja Fatmira Hajdari. Me vendimin e djeshëm, përveçse i ka dhënë të drejtë ministrit Basha për pavlefshmërinë e fletëthirrjes së prokurorisë, gjyqtarja Hajdari nuk e cilëson më si të pandehur Lulzim Bashën. Por, gjyqtarja Hajdari me vendimin e dhënë dje ka krijuar përplasje me një tjetër vendim të dhënë po nga Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet. Kështu, gjatë shqyrtimit të kërkesës së ish-ministrit të Transporteve, Armand Teliti, që tashmë nuk është më i pandehur në dosjen Durrës-Kukës, ku ai kërkonte mbylljen e hetimeve, gjyqtari Sokol Tona u shpreh se çështja e Bashës nuk është kompetencë e gjykatës së kryeqytetit. Gjatë vendimit për mbylljen e hetimeve për rrugën Durrës-Kukës, pas kërkesë së Armand Telitit, gjyqtari Sokol Tona hodhi poshtë kërkesat e prokurorit të kësaj çështjeje, njëra prej të cilave ishte mosshqyrtimi i kësaj ankese nga kjo gjykatë, por nga Gjykata e Lartë. Kjo, meqenëse si person nën hetim ishte edhe ish-ministri i Transporteve, aktualisht ministër i Jashtëm, Lulzim Basha. Tona kërkoi të saktësohej nga organi i akuzës, nëse Basha ishte i pandehur apo person nën hetim, dhe mori përgjigjen se ministri ishte nën hetim. Dhe ka qenë pikërisht ky fakti që ankesa e Telitit të shqyrtohej nga gjykata e kryeqytetit, pasi, sipas Tonës, çështja e Bashës nuk ishte kompetencë e gjykatës së kryeqytetit. Këtë pretendim pati edhe Prokuroria e Përgjithshme gjatë shqyrtimit të kërkesës së Bashës për pavlefshmëri të fletëthirrjes së organit të akuzës. Prokuroria u shpreh se të drejtën për të shqyrtuar këtë kërkesë e ka vetëm Gjykata e Lartë dhe jo ajo e Shkallës së Parë, duke qenë se i pandehuri Lulzim Basha është deputet i parlamentit dhe njëkohësisht anëtar i Këshillit të Ministrave. Sipas vendimit të djeshëm të gjykatës, është i pavlefshëm jo vetëm akt- njoftimi i Prokurorisë së Përgjithshme drejtuar Bashës, por edhe të gjitha aktet procedurale të ndërmarra pas 6 nëntorit. Me këtë nënkuptohet pavlefshmëri e veprimeve të prokurorisë edhe në dërgimin e dosjes në Gjykatën e Lartë. Në këtë gjykatë ndodhet prej disa ditësh dosja prej shtatë vëllimesh me dy të pandehur, Lulzim Bashën dhe Andi Tomën. Për shkak se pesëshja e kolegjit penal po studion fashikujt e dosjes, ende nuk është caktuar një datë se kur do të nise procesi.

Pretendimet e mbrojtësit të Bashës

Pas urdhrit të nënshkruar nga Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, për marrjen e Lulzim Bashës nën cilësinë e të pandehurit, mbrojtësi i këtij të fundit e cilësoi si të paligjshëm urdhrin. Për këtë arsye ai depozitoi një kërkesë në gjykatën e kryeqytetit, ku kërkonte ndërprerjen e hetimeve ndaj Bashës. Sipas kërkesës së mbrojtësit të ministrit të Jashtëm, urdhri i prokurorisë për marrjen e këtij të fundit nën cilësinë e të pandehurit është një shkelje flagrante e ligjit, pasi gjykata e kryeqytetit vendosi pak ditë më parë mbylljen e hetimeve nga ana e prokurorisë. “Kërkesa e prokurorisë është një shkelje flagrante, pasi me vendim të datës 18 nëntor 2008, Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ka vendosur të pranojë kërkesën për anulim të vendimit për zgjatjen e afatit të hetimeve për procedimin penal nr. 1 të vitit 2007. Sipas këtij vendimi, hetimet nuk mund të vazhdojnë”, - u shpreh mbrojtësi i Bashës, Zef Nikaj. Nikaj i cilësoi gjithashtu politike veprimet e fundit të Prokurorisë së Përgjithshme. “Shpërfillja flagrante e detyrimeve ligjore dhe e vendimit të gjykatës demonstron qartë prapavijën e pastër dhe prapaskenat politike të trajtimit të kësaj çështjeje dhe përdorimin si një mashë politike të Prokurorisë së Përgjithshme”, - u shpreh mbrojtësi i z. Lulzim Basha. Ish-ministri i Transporteve, Lulzim Basha, aktualisht ministër i Jashtëm, akuzohet se bashku me ish-drejtorin Juridik në Ministrinë e Transporteve, për shkelje të rënda gjatë ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës.

Dosja, në Gjykatën e Lartë

Dosja e rrugës Durrës-Kukës, në të cilën i pandehuri kryesor është pikërisht ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, ka mbërritur tashmë në Gjykatën e Lartë. Gjyqtari Spiro Spiro do të jetë ai që do të gjykojë këtë dosje, ku përveç Bashës, i pandehur është edhe ish-drejtorin Juridik në Ministrinë e Transporteve, Andi Toma. Kjo është përcaktuar nga shorti me gogla që është hedhur në Gjykatën e Lartë pak ditë më parë. Për këtë procedurë anëtarët e Gjykatës së Lartë kryen një mbledhje të posaçme, për shkak se Lulzim Basha është i vetmi ministër që gjykohet nga kjo gjykatë. Ndërkohë, katër emrat e gjyqtarëve të tjerë që do të përbëjnë trupin gjykues për dosjen e rrugës Durrës-Kukës janë Aleksandër Muskaj, Irma Bala, Besnik Ymeri dhe Perikli Zaharia. Përveç zgjedhjes së trupit gjykues, tashmë ka mbetur për t'u fiksuar edhe data e çeljes së procesit, gjë që pritet të mësohet në ditët në vijim. Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, do të gjykohet në bazë të akuzës së ngritur nga prokurori i çështjes, Arben Kraja, për kohën kur drejtonte Ministrinë e Transporteve. Kreu i diplomacisë shqiptare akuzohet nga Prokuroria e Tiranës për shkelje gjatë kohës që kryente funksionin si ministër i Transporteve. Sipas prokurorit Arben Kraja, Basha i ka shkaktuar shtetit një dëm prej 230 milionë eurosh. Nën akuzë për shpërdorim detyre është edhe vartësi i tij, ish-drejtori i Rrugëve, Andi Toma. Për këtë të fundit mbrojtësi i tij, Genc Gjokutaj, kërkoi që të ndërpriten hetimet, pasi kanë përfunduar afatet.

Nga akt-ekspertimi i dy ekspertëve kontabël, Pëllumb Ahmetaj dhe Zenun Katana, prokuroria bëri të ditur se ka nxjerrë një dëm të madh që i është shkaktuar shtetit me anë të procedurave dhe mënyrës së shpalljes së fituesit të tenderit për ndërtimin e kësaj rruge. “Në këtë raport disafaqësh, ekspertët kontabël, Ahmetaj dhe Katana, kanë arritur në përfundim se drejtuesit e Ministrisë së Transporteve me veprimet dhe mosveprimet e tyre në procedurat e ndjekura dhe përcaktimin e fituesit të tenderit për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës, pa tunelin, i kanë shkaktuar shtetit shqiptar një dëm prej rreth 230 milionë eurosh”, - thuhet në raportin përfundimtar të hetimeve të prokurorisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›