Përballë me vetveten
Të shtunën e kaluar fëmijët tanë hynë në një botë të re. Nuk është faji i tyre, nëse marrëdhënia mes qytetarit dhe shtetit nuk është ideale. Përgjegjësia është e atyre që kanë qenë në qeveri apo opozitë për një kohë kaq të gjatë dhe lejuan agravimin e problemeve të republikës. Qytetarët dhe media duhet të fajësohen që e pranuan degradimin e institucioneve tona dhe që toleruan sistemin tonë politik, prej të cilit të gjithë presin favore për të interesat e tyre personale dhe jo të shoqërisë si një e tërë.
Shoqëria jonë është në krizë, jo ngaqë problemet tona janë më të mëdha se ato që kanë vendet e tjera, por sepse ne nuk biem dakord me njëri-tjetrin për asgjë. Me liderë mediokër, pa shtyllë kurrizore, të cilët nuk guxojnë të zgjidhin as problemet më të thjeshta, por i lënë të keqësohen, dhe me institucionet tona që kanë humbur autoritetin, ne kemi humbur pikën e fundit të besimit te shteti dhe te kohezioni i shoqërisë sonë. Ne jemi të zemëruar, të pasigurt dhe të izoluar. Ne pranojmë gjithçka dhe asgjë.
Tashmë kemi mbërritur te ky paradoks: një ngjarje për të cilën biem dakord – që vrasja e një 15-vjeçari nga dora e një oficeri policie është e papranueshme – e ka çuar vendin në buzë të greminës. Ndërsa të gjithë ishin të pikëlluar nga vdekja e Aleks Grigoropoulos, menjëherë u pa se të gjithë do ta shfrytëzonin vdekjen e tij për të forcuar pozicionet e tyre, të shprehnin frikën dhe zemërimin e tyre, me qëllim që të dalloheshin nga të tjerët. Kjo vdekje u bë kataklizmi që justifikoi atë çfarë besonin të gjithë.
Të vetmit të rinj dhe të pafajshëm në skenën publike tani janë vetëm adoleshentët, të cilët kishin filluar të politizoheshin në protestat e tyre në shkollë në fillim të vitit, por tani, nga vdekje e njërit prej tyre, ata e mësuan shpejt leksionin e veprimit kolektiv, e marrëdhënies mes qytetarit dhe shtetit, e fuqisë së mosbindjes civile. Nëse këto leksione do të jenë për mirë apo për keq, kjo mbetet për t’u parë, ndërsa po përballemi me një tjetër gjeneratë, e cila ka mësuar të kundërshtojë autoritetet.
Sot zemërimi është në kulmin e tij, ndërsa klasa politike është e paaftë të bindë njeri që ajo mund ta përgatitë vendin për ditët e vështira që na presin për shkak të krizës ekonomike globale dhe akumulimit të problemeve në ekonominë dhe shoqërinë greke (mes të cilave është rroga bazë shumë e ulët dhe papunësia e të rinjve).
Zemërimi ka arritur kulmin e tij, sepse qytetarët kanë parë që skandalet kanë përfshirë politikanët (përgjimet, rasti i ryshfetit të Siemens), klerin (bashkëpunimi i fshehtë me gjykatësit, çështja Vatopedi), gjykatësit (bashkëpunimi i fshehtë me klerin, një “luftë civile” mes fraksioneve të ndryshme). Të gjithë e dinë që nuk do ketë katarsis, se gjithçka rrjedh nën rrogoz. Kur nuk vendoset askush përpara përgjegjësisë, bëhen përgjegjës të gjithë dhe institucionet tona humbasin autoritetin. Qytetarët shikojnë politikanët dhe gazetarët që pasurohen duke shfrytëzuar pushtetin e tyre dhe kontaktet me biznesmenët. Ata e dinë se ata që kanë kontakte do ta shfrytëzojnë sistemin për përfitime personale. Dhe sistemi duron, duke korruptuar këdo dhe gjithçka, sepse shumë nga ne mendojnë se nuk është në interesin tonë të kërkojmë meritokraci dhe drejtësi, ndoshta edhe prej shpresës se edhe ne mund të përfitojmë nga gjendja e tanishme e situatës.
Kjo është çështja e madhe, me të cilën do të përballemi në ditët e ardhshme. Vrasja dhe shpërthimi i dhunës që pasoi vrau çdo grimcë iluzioni: shteti është i paaftë të mbrojë njerëzit (qoftë fëmijë, emigrantë apo shitës); qeveria ngriu përballë vrasjes dhe dështoi të vendoste pushtetin e shtetit dhe institucioneve, duke rritur kështu ndjenjën e pasigurisë së qytetarëve; partitë opozitare, me përjashtim të ca prej tyre, më shumë iu bë qejfi nga dështimi i qeverisë se sa treguan kujdes për të ulur tensionin dhe për të gjetur një rrugëdalje; grupi kundër “establishmentit” u ngop me justifikimin që u ofroi vrasja e Aleksit të vogël dhe shfrytëzoi në maksimum imunitetin që ka gëzuar prej vitesh, krijuan kaos që, në fund, i tmerroi qytetarët në një masë të tillë sa mund ra rishikojnë tolerancën e tyre për dhunën kundër pushtetit.
Si mund të rregullohet kjo? Si do të bëhemi sërish pjesë të një shoqërie të bashkuar, e pa pushtuar nga korrupsioni, zemërimi dhe intoleranca? Ditët e fundit kemi parë dhimbjen e sinqertë të humbjes së një fëmije dhe një lëvizje masive që shprehu pikëllim dhe zemërim njëherësh. Por ndiem edhe tmerrin e lehtësisë me të cilën shoqëria jonë shpërtheu. Ajo që nuk kemi parë është një njeri me kurajë që mund të propozonte ndryshimet që do të ndihmonin vendin të përballonte sfidat që na presin dhe që do të garantonin harmoni sociale. Përkundrazi, pamë që frika dhe shfrytëzimi i vdekjes së Aleks Grigoropoulos do të rritë dallimet mes nesh dhe do të përgatitë terrenin për katastrofën e radhës.