E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përbaltje në vend të pastrimit

Nga Mero Baze

Ligji për dosjet dhe pastrimin e figurave po përfundon kryekëput në një aksion propagandistik për moshapjen e dosjeve dhe përbaltjen e figurave. Versioni zyrtar i paraqitur dje në Kuvend nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike nuk synon hapjen e dosjeve të bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit. Nën një arsyetim pervers, hapja e dosjeve shmanget dhe kalon në një proces selektiv, duke humbur dhe mundësinë për ta verifikuar realisht një përgjigje zyrtare për një dosje të caktuar. Ky ligj po ashtu nuk synon penalizimin e zyrtarëve të lartë të regjimit komunist. Zyrtarët më të lartë të regjimit komunist janë natyrisht pjesa politike e atij regjimi, ish- ministrat dhe anëtarët apo kandidatët e Byrosë Politike. Ish-ministrat Berisha i ka hequr nga lista me arsyetimin se disa prej tyre janë aktivë në politikën e sotme duke pasur parasysh emra konkretë. Arsyetimi, sipas kryeministrit, është se ata i ka rivotuar populli dhe janë aktivë në politikë. Ky është një arsyetim pervers. Nëse ky arsyetim bëhet për një ish-ministër të Ramiz Alisë, ç’kuptim ka që e njëjta gjë të mos thuhet dhe për një ish-gjyqtar të asaj kohe apo një ish-prokuror, apo hetues. Dekomunistizimi i shoqërisë shqiptare duhet të fillojë nga nomenklatura politike e komunizmit dhe pastaj të shtrihet dhe në disa poste kyçe të drejtësisë apo administratës. Por versioni i ligjit të çuar nga Berisha në Kuvend nuk ka parasysh pastrimin e shoqërisë shqiptare nga ish-funksionarët komunistë. Projektligji ka parasysh përbaltjen pa adresë të zyrtarëve të regjimit të kaluar dhe mospenalizimin e tyre. Duke bërë me vetëdije shkelje të forta kushtetuese në këtë projektligj dhe duke përdorur dy standarde të ndryshme për Skënder Gjinushin dhe Zamir Shtyllën p.sh., Berisha nuk kërkon të bëjë ndonjë ligj kundër zyrtarëve komunistë, por është duke kërkuar një alibi për dështimin e përpjekjes së tij false antikomuniste. Partia Demokratike është shumë vonë në nismën e saj ligjore për dekomunistizimin e shoqërisë, por, nëse ajo do ta bëjë atë, duhet ta bëjë të plotë dhe të qartë. Mua nuk më dhimbset asnjë prokuror dhe gjykatës nga koha e komunizmit që ka qenë në pozita kyçe. Le të dalin në pension po deshën apo të shkojnë të punojnë avokatë. Por Berishës duket se i dhimbsen. Ai nuk i do as në rrugë, as në pushtet ata prokurorë dhe gjykatës. I do në dorë të tij të nënshtruar. I do t’i shikojë me pistoletën e presionit të tij politik te koka. I do t’i shikojë edhe në drejtësi, edhe të përbaltur, pasi e ka bërë projektligjin me aq shumë shkelje kushtetuese, me qëllim që ligji të hidhet poshtë nga Gjykata Kushtetuese dhe ai të shfajësohet se nuk po bën dot betejë kundër gjykatësve dhe prokurorëve që po gjykojnë çështje të nxehta kundër tij. Dhe në këtë proces të gjatë përbaltjeje ai do të përpiqet të negociojë me ta, për të ndryshuar qëndrimin ndaj dosjeve dhe për të korruptuar në thelb një nismë antikomuniste që shoqëria shqiptare ka vite që e pret.

Sali Berisha nuk do të hapë as dosjet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit. Jo sepse shumë prej tyre janë fatkëqij që votojnë për PD, por se duke mos i hapur, por duke i ditur, ai mendon se fiton pushtet mbi ta dhe i vë në rresht. Beteja e tij për të hartuar një ligj plot handikape politike dhe juridike, nuk është betejë për të spastruar politikën shqiptare nga ish-komunistët dhe ish-zyrtarët e regjimit komunist, por për të inskenuar një betejë kundër tyre, dhe për të fituar një alibi në përplasjet e tij të mëpasme me drejtësinë.

Mjafton të kujtojmë se në versionin e ligjit të Partisë Demokratike paraqitur në vitin 2006 në Kuvend, firmosur nga Bamir Topi si ish-nënkryetar i PD, nuk përfshihen dispozitat për gjyqtarët, çka do të thotë se atëherë Berisha nuk e kishte problem drejtësinë. Duke iu bërë problem drejtësia, ai hartoi këtë version përçudnues, që nuk është as kundër komunistëve, as kundër ish-komunistëve, as kundër kriminelëve, as kundër viktimave, por është thjesht një operacion politik që prodhon zhurmë dhe rast për të përbaltur emra të caktuar në drejtësi. Dhe janë po ata emra, si Zamir Shtylla apo Skënder Breça, të cilët kanë qenë njerëzit më të mbështetur të Berishës në vitet 1992-1996, pasi i përdorte për të bërë gjyqe propagandistike kundër ish-byroistëve dhe Nexhmije Hoxhës. Duke u tundur të shkuarën e tyre si peng, i përdori ata një herë siç deshi dhe tashmë që ata nuk varen më prej tij dhe kanë në dorë dosjet e familjes së tij, është hedhur në sulm me emra konkretë ndaj tyre. Kjo realisht e vdes këtë ligj dhe na heq ne shansin si shoqëri të bëjmë një ligj real për dekomunistizimin e shoqërisë. Ky që po bën Sali Berisha nuk është ligj, por një koleksion konfliktesh politike dhe juridike, të cilat ai mezi pret t’i hedhë poshtë Gjykata Kushtetuese dhe të prodhojë alibinë e tij të madhe përse po e heton drejtësia. Dhe të mendosh që po i heq shansin Shqipërisë që të ketë një ligj për dekomunistizimin e shoqërisë, vetëm që të prodhojë një alibi për dosjen e djalit, të vajzës dhe të Lulit, është një krim po aq i rëndë sa krimet që ka bërë komunizmi dhe komunistët para viteve ‘90.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›