E Shtunë, 31 Tetor 2026

Telashet e ligjit për dosjet

Nga Tema

Antena brenda familjes

Ligji për dosjet u kry. Flamuri e mori, e lexoi dhe po shikonte me kujdes çdo paragraf. Filloi të shikonte pjesën kur duhet të hapen dosjet. Pasi e lexoi disa herë, nuk kuptoi gjë dhe mori në telefon Aldo Bumçin.

- Si është kjo punë, - tha, - hapen apo jo dosjet për bashkëpunëtorët?

- Hapen, - i tha Aldo, - por vetëm për ata që na krijojnë probleme. E kemi rregulluar që me dosje të quhet ai person, të cilit komisioni i ngritur nga qeveria i gjen dosjen. Mund të ndodhë që komisioni s’e gjen dosjen dhe ai nuk quhet. Kjo natyrisht varet se si sillet ai, - tha Aldo.

- Bela e madhe, - tha Flamuri. - Gjithë ata që dua unë t’u hapen dosjet, sillen mirë. S’ka për t’i gjetë komisioni. Gjithë ata që sillen keq, s’kanë dosje.

- S’ke ç’i bën, po të paktën i kemi në dorë ata që kanë, - i tha Aldo.

- Po mo, por kisha hallin tim, se janë ca që dua t’i heq qafe. Nuk di, kush e ka kasetën veç atij burrit?

- S’e ka njeri veç atij, - tha Aldo. - As ne s’na e tregon. Vetëm na jep piketat që duhet të shtojmë në ligj.

- Po me këta gjykatësit si do i bëhet, - tha Flamuri, - se mos na e kthen Gjykata Kushtetuese?

- Le ta kthejë. S’na intereson. Ne duhet thjesht të themi tani që katër-pesë prokurorë dhe gjyqtarë janë kriminelë. Ata pastaj le ta kthejnë ligjin. Ne do t’u themi, mbroni kriminelët. Nuk na intereson shumë.

- E kuptova, - tha Flamuri. - Tani unë si t’u them këtyre që vijnë pyesin te PD, do hapen apo nuk do hapen dosjet?

- Po i pe që kanë qenë të persekutuar, thuaj që nuk do hapen, - i tha Aldo, - po i pe që janë mirë nga shëndeti, thuaju do hapen, por me kujdes.

- Po sikur të pyesin për këta të PD, kush është spiun, çfarë t’iu them? - i tha Flamuri.

- I thuaj, nuk kemi të dhëna, por nga qëndrimi shikohet. Kush del kundër atij burrit, me siguri që ka qenë spiun. Kush rri urtë, është i ndershëm.

- Po sikur the ndryshe në fillim? - i tha Flamuri.

- Po mirë, ajo ishte për informim për ty. Unë them si t’i sqarosh njerëzit. Pastaj mos u mërzit. Të thashë që ligjin do ta kthejë gjykata. Ne aq na duhet. Se dhe ne kemi njerëzit tanë që duam t’i mbrojmë, por po luajmë blofin. Duam të themi që ata që po gjykojnë Gërdecin, Fazlliçin dhe Lul Bashën janë spiunë. Kaq.

- E kuptova, - tha Flamuri. - Tani jam i qartë. Se jam i vjetër në PD, e di se ç’të bëjnë këta spiunët.

- Pse, ç’të bëjnë? - tha Aldo kurioz. - Se unë s’e di ç’ka ndodh më parë me këtë punë.

- Më ‘97 na lanë vetëm, - tha Flamuri. - Doli ai burri në Këshill Kombëtar dhe tha se Sigurimi i Shtetit kërkon të na rrëzojë dhe i numëroi 14 ministra me radhë që tradhtuan PD më ‘97. Sa qeveria e sotme.

- Cilët ishin 14 ministrat? - tha Aldo.

- Ou, lista e madhe, - tha Flamuri. - Ai burri ashtu thoshte për këdo që ikte. E quante spiun. Lista fillonte me Safet Zhulalin e mbaronte me Genc Rulin…

Aldo u pre në fytyrë.

- Mos ki frikë, - i tha Flamuri, - se nuk ishin vërtet. Po ai burri ashtu i bënte kur iknin. Kur rrinin, i quante normalë. Pastaj dhe po ka qenë, nuk besoj se ky ligj i ri penalizon dhëndrin për shkak të vjehrrit apo vjehrrës.

- Jo, jo, - tha Aldo, - e hoqëm këtë klauzolë, që kur tha Nexhmija ato fjalët e pista për vjehrrën e doktorit.

- E pra, rri i qetë, - i tha Flamuri. - S’kemi ndërmend të merremi me këto gjera. Po shyqyr që paskeni bërë ligj të mirë që të kemi me se të merremi po na doli ndonjë armik. Se nuk verifikohet kurrë, ka qenë apo s’ka qenë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›