E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha mbron publikisht Skënder Gjinushin e Gramoz Ruçin

Nga L.Progni, A.Maho

Në mënyrë paradoksale, opozita është shprehur dje e pakënaqur me ligjin për dosjet, edhe pse ligji përjashton nga penalizimi disa eksponentë të saj, një pjesë e të cilëve janë dhe anëtarë të Kuvendit të Shqipërisë, por edhe të zgjedhur në forumet më të larta të PS dhe partive të tjera opozitare. Ndër të tjerë, vetë kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, vjen pikërisht nga angazhimi në strukturat më të larta të Partisë së Punës së Shqipërisë. Përvoja politike e Valentina Leskajt nis me punën e saj si sekretare personale e Vito Kapos dhe më pas kryetare e Bashkimit të Grave komuniste. Në sallën e Kuvendit të Shqipërisë në të dy krahët e politikës shqiptare ka ish-anëtarë të PPSH, ish-krerë të forumeve të larta drejtuese të nomenklaturës komuniste, duke filluar që te posti i ish-Sekretarit të Rinisë (ka më shumë sesa një në Kuvendin e Shqipërisë), dhe deri te posti i ish-Sekretarit të Parë të PPSH në rrethe të caktuara. Po aq paradoksale duket të jetë edhe mbrojtja që kryetari i qeverisë, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike, i bëri dje dy prej ish-ministrave të PPSH. Në seancën e djeshme, ku zhvillohej debati për krimet e komunizmit, Valentina Leskaj foli për shkelje të Kushtetutës dhe ligjit lidhur me këtë ligj. Por krahas saj, kryetari i PD, Sali Berisha, mori në mbrojtje kryetarin e PSD, Skënder Gjinushi, ish-ministër në kohën e komunizmit, njëherësh edhe Gramoz Ruçin, i cili ka qenë gjithashtu ministër i Rendit në kohën kur bëhej masakra e prillit në Shkodër.

“Ju e zhbëtë lustracionin, sepse i dhatë pafajësi dhe dëmshpërblyet për vitet e burgut Nexhmije Hoxhën. Korba e Zezë e të gjitha të zezave që i ndodhën këtij kombi. Edhe kur i shoqi i saj u debilos, kur herë imitonte një kafshë, dhe herë një tjetër në oborrin tij, kjo drejtonte me dorën e zezë shtetin, edhe pas vdekjes së tij”, - tha Berisha.

“Unë i them atij atje, 100 herë Skënder Çaushi, por nuk them që, nuk kohën kur ishte ministër i Arsimit, ishte funksionar i KQ apo i Byrosë Politike. Erdhi nga Parisi, e mori në Ministrinë e Arsimit. Duhet të jemi realistë, ia kam thënë një mijë herë, kjo është e vërtetë e padiskutueshme”, - tha Berisha.

Seanca e djeshme, ku debatohej për ligjin për dosjet e komunizmit, u zhvillua në një atmosferë të nxehtë debatesh midis deputetëve të PS dhe të PD. Ligji për dosjet e komunizmit, i cili vepron vetëm mbi disa prokurorë e gjykatës dhe mbi asnjë politikan, është kundërshtuar nga opozita, e cila ka marrë vendimin për t’u larguar nga salla e Kuvendit, pasi ka mbajtur fjalën kryetarja e grupit parlamentar, Valentina Leskaj. Ajo mbrojti në Kuvend qëndrimin e PS kundër projektit të PD për dënimin e krimeve të komunizmit, por e përqendruar në mbrojtje të familjes së Edi Ramës, e cila, sipas Leskajt, po sulmohej nga Sali Berisha.

Berisha sulmon Ramën si komunist, por thotë se e ka ftuar në PD

Edhe pse e ka sulmuar ashpër kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, kryeministri shqiptar, Sali Berisha, ka pranuar se e ka ftuar atë që të jetë në listat e PD që më 31 mars të vitit 1991 bashkë me Ardian Klosin. Ai tha se ka dërguar një negociator për këtë. Berisha zbuloi se negociatori ka qenë Neritan Ceka. Megjithatë, vetëm pak çaste para kësaj deklarate ai akuzoi ashpër Ramën si të lidhur me komunizmin.

“Kush i hapi gropat e Maliqit? Rita Marko dhe Spiro Koleka i stisën ato, daja e kryetarit tuaj që ju mban peng ju sot. Shikoni si i ekzekutuan intelektualët e kombit për sabotatorë.

Ju kthyet në funksione ata që gjymtuan, copëtuan, dënuan shqiptarët që mendonin ndryshe atëherë. Keni thënë se ky ligj ka të bëjë me goditjen e Shtyllës apo të ndonjë shtyllari, por ju zotëri jeni vërtet fatkëqij, juve u mban peng Edi Rama për lidhjet e tij familjare. Është i biri i një anëtari i KQ, që të gjithë përkushtimin e tij maksimal, total e kishte kur lustronte Enver Hoxhën nëpër buste dhe statuja, po, po dhe merrte aty si kone për të lustruar bustet. Po, po e dinë mirë të gjithë, le të dalë të na e mohojë.

Së dyti, është nipi i Kolekës, ai ishte që i çoi në litar intelektualët, vetëm e vetëm se ishin më të mirë se ai. Ky tani ju thotë se Berisha e ka për Shtyllën dhe shtyllarët”, - tha Berisha në seancën e djeshme.

Pak orë më parë, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar, Berisha kishte përsëritur të njëjtat akuza, ndërsa i bënte thirrje Ramës të votojë ligjin për dosjet. “Por i them zotit Rama se po bën Spiro Kolekën, dajën tënd, që ka çuar në pushkatim me dhjetëra inxhinierë me ekspertizat e tij false, kur u thua shqiptarëve se vetëm Shtylla mund të hetojë, vetëm ata që kanë urdhëruar varje mund të gjykojnë”, - tha Berisha.

Xhafa, Islami e Fino kritikojnë Leskajn: Nuk di të drejtojë grupin parlamentar

Deputetët socialistë, Fatmir Xhafa, Bashkim Fino e Kastriot Islami, kanë kritikuar dje kryetaren e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, për një drejtim jo të mirë të grupit parlamentar socialist. Ata janë përqendruar te mangësitë që sipas tyre gjenden në mënyrën se si kryetarja Leskaj po drejton grupin parlamentar, veçanërisht në seanca specifike, kur bëhet fjalë për çështje të një rëndësie të veçantë për

debatin ndërmjet mazhorancës dhe opozitës. Kritikat ndaj Leskajt janë përsëritur disa herë, ndërsa dje janë rikthyer në grupin parlamentar, për shkak të rëndësisë që kishte seanca e djeshme parlamentare, ku po diskutohej për ligjin e dosjeve të komunizmit. “Kërkohet një drejtim më i mirë i grupit parlamentar, kërkohet menaxhimi i radhës së diskutimeve, menaxhimi më i mirë i diskutimeve, më cilësore dhe më profesioniste, të bëhet ndarje më e mirë e diskutimeve”, - mësohet të jenë shprehur dje tre deputetët socialistë, Islami, Xhafa e Fino, ndaj kryetares së tyre të grupit parlamentar. Kritika ndaj kryetares socialiste të grupit parlamentar socialist kanë adresuar edhe deputetë të tjerë në momente të ndryshme. Kritikat janë drejtuar pikërisht për mangësitë në mënyrën e drejtimit të grupit parlamentar socialist për mangësitë në vendosjen e radhës së diskutimeve të deputetëve socialistë, në përzgjedhjen e fjalimeve apo diskutimeve profesionale e të tjera. Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar socialist është diskutuar për diferencën që ekziston ndërmjet qëndrimeve të deputetëve në grupin parlamentar socialist, dhe të ndryshme janë qëndrimet që mbahen nga zyrtarët socialistë te salloni i konferencave të shtypit të kësaj selie. Kjo diferencë është vënë në dukje nga deputeti socialist, Bashkim Fino, i cili gjithashtu ishte një prej deputetëve që kritikoi ashpër kryetaren e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj. Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar socialist është diskutuar edhe për vendimin që duhet të merrej lidhur me seancën e pasdites, ku po diskutohej për çështjen e ligjit për dosjet e komunizmit. Deputetët janë ndarë në dy grupe sa i përket kësaj çështjeje. Një pjesë e tyre kanë kërkuar që grupi i PS të largohet nga seanca në momentin kur do të diskutohej për ligjin për dosjet e komunizmit, ndërsa pjesa tjetër ka kërkuar që deputetët socialistë të marrin pjesë në debat dhe të mbrojnë qëndrimin e tyre për çështjen e dosjeve të komunizmit. Në përfundim është marrë vendimi për largimin nga seanca dhe rikthimin në fund të kësaj seance ku do të diskutohej për ringritjen e Komisionit parlamentar për Reformën Zgjedhore.

Berisha “zbulon” qëllimin e ligjit

Kryeministri, Sali Berisha, sulmoi dje ashpër prokurorin që po merret me çështjen e Gërdecit, ku i përfolur si i përfshirë është dhe djali i tij. Duke folur para deputetëve të tij, por dhe në sallën e Kuvendit, Berisha ka zbuluar vetë se një nga arsyet se pse po miratohet ky ligj është se disa dosje kundër qeverisë po zbardhen, siç e ka quajtur ai, me sfond politik dhe jo siç e kërkon ligji.

“Tani na del në mënyrën më të pafytyrë dhe më të papranueshme se ligjin, thonë zëdhënësit e Edi Ramës, po e bëjnë për shkak të 3, 5 hetuesve apo 6 gjyqtarëve. Në mënyrë absolute jo, ligji s`ka asnjë lidhje. Ligji është propozuar rreth 3 vjet më parë, kur s`ka patur asnjë proces. Por më lejoni t`i shtroj një pyetje zotit Edi Rama: sipas teje, zoti Rama dhe sipas zëdhënësve tuaj, në Shqipëri procese madhore mund të zhvillojnë vetëm ata që i kanë duart deri në bërryla me gjakun e njerëzve të pafajshëm?”, - tha Berisha.

“Në Shqipëri 98 % e prokurorëve dhe gjykatësve janë të lirë, s`kanë asnjë lidhje me atë të shkuar. Vetëm këta, vetëm ‘Zamir Shtyllat’, të cilët kanë urdhëruar lidhjen me tela me gjemba të qytetarëve në vitin `90 dhe zvarritjen e tyre në Sarandë dhe që janë aty vetëm për lidhjet e shumëllojta me drejtuesit e tyre dhe për asgjë tjetër. Pra, këta mbrohen nga Edi Rama, por jo vetëm nga ai. Ne kemi së paku mbi 300 gjykatës dhe mbi 300 prokurorë, të cilët nuk kanë asnjë lidhje me krimet e komunizmit. Largimi i gjykatësve dhe prokurorëve të lidhur me krimet e komunizmit forcon në mënyrën më të ndjeshme pavarësinë e këtyre institucioneve”, - vijoi më tej kryeministri. Berisha tha se ligji nuk është hakmarrës dhe e quajti atë të butë.

“Ky ligj në mënyrë absolute nuk ka asnjë nuancë hakmarrjeje. Ky ligj nuk ka ndëshkim. Vendet e tjera kanë adaptuar ndëshkimin masivisht mbi bazën e dosjeve të ndëshkimit gjatë diktaturës. Ne i mbetemi një varianti, të cilin sot të përndjekurit me të drejtë e kanë quajtur të butë.

Unë e kuptoj mjaft mirë pakënaqësinë reale që ekziston te jo pak nga ju për variantin e përzgjedhur, por unë prapë ju bëj thirrje, nuk kemi asnjë arsye që të tërhiqemi nga një variant që e votuam në vitin 1995, nuk kemi arsye të jemi mosbesues ndaj rezultateve dhe efekteve të këtij ligji, pasi nuk arriti të implementohej për shkak të rebelimit komunist, nuk kemi arsye që të krijojmë tundimin më të vogël drejt hakmarrjes”, - tha Berisha.

Berisha merr përpara edhe Topin

Kryeministri, Sali Berisha, sulmoi dje ashpër edhe Presidentin e Republikës, Bamir Topi, për dekorimin e ish-prokurorit Skënder Breca, i njohur si persekutor i egër i regjimit.

“Në 18 vjet tentativa jonë e ndershme, kjo që është sot, që u vendos me ligj në vitin 1995, u bllokua dhe ne përjetuam këtë vit dekorimin e prokurorit që kërkoi dënimin kapital të Xhelal Koprenckës në vitin 1979, sepse ky pinjoll i një familjeje të shkëlqyer, atdhetar i flaktë, kur dy bashkëvuajtësit i bënin letër diktatorit të hapemi drejt Rusisë, ky tha: “Jo, duhet të hapemi drejt Amerikës, ai është vendi i lirisë”. Për këtë dhe vetëm për këtë mori dënimin kapital dhe sot në mënyrën më të papranueshme xhelati i tij u dekorua këtë vit për faqen e zezë të tij, për të përdhosur ndërgjegjen e kombit”, - tha Berisha duke iu referuar vlerësimit të Brecës nga Topi. “Kombi gjerman nën sundimin e Hitlerin dogji Evropën dhe vendin e tij, por mendimtarët e mëdhenj të këtij kombi ia dolën pas lufte të zhvillojnë dhe konsolidojnë ndjenjën e përgjegjësisë dhe pendesës në interesin më të mirë dhe Gjermania sërish u bë lokomotiva e zhvillimit evropian. Ndërsa te ne pas 18 vitesh dekorohet xhelati që ekzekutoi njeriun që vetëm e vetëm tha se Shqipëria duhet të orientohet drejt Shteteve të Bashkuara, tha këto që themi ne sot”, - vijoi më tej kryeministri.

Para gjashtë muajsh presidenti dekoroi me “Medaljen e Mirënjohjes” me motivacionin: “Për përkushtim të lartë, korrektësi dhe ndershmëri në ushtrimin e funksioneve të prokurorit” Skënder Brecën.

Rama- Berishës: Lëre ligjin e dosjeve, të miratojmë Kodin Zgjedhor

Kryetari i PS, Edi Rama, tha dje se kryeministri, Sali Berisha, po tenton të bëjë hapje selektive dosjesh për të mbyllur dosjet e korrupsionit.

“Sali Berisha thotë se projektligji i dosjeve është një arritje në rrugën e dekomunistizimit të shoqërisë shqiptare. Gënjen! Projektligji i dosjeve është një shprehje brutale e komunistizimit të marrëdhënieve mes qeverisë së Sali Berishës e atij vetë me pushtetin gjyqësor në Shqipëri. Sali Berisha kërkon të shkatërrojë pushtetin gjyqësor për të shpëtuar in extremis oborrtarët e tij nga hetimi e gjykimi i pavarur i dosjeve të mëdha të korrupsionit qeveritar.

Është e trishtueshme që 18 vjet pas shembjes së diktaturës komuniste, Shqipëria nuk ka arritur të bëjë një ligj evropian për hapjen e dosjeve të diktaturës komuniste. Është e trishtueshme që sot, 18 vjet pas shembjes së diktaturës komuniste, kryeministri i Shqipërisë dhe forcat qeveritare duan të hapin dosjet e diktaturës komuniste për të mbyllur dosjet e diktaturës së korrupsionit”, - tha Rama.

Ai iu përgjigj dhe akuzave të kryeministrit, Sali Berisha, se ka lidhje me regjimin komunist. “Sali Berisha gënjen për arritjet e tij njësoj si një propagandist i rëndomtë komunist. Akuzon kundërshtarët e tij njësoj si një persekutor i zakonshëm komunist. Shpif ndaj atyre që nuk i pëlqejnë njësoj si një karrierist i zellshëm komunist. Fyen të tjerët njësoj si një fodull i prapambetur komunist. Dhe, më keq akoma, vepron kundër ligjit, kundër institucioneve dhe kundër kujtdo që i kundërvihet, njësoj si një bajraktar i pandreqshëm komunist”, - tha Rama. Kryetari i PS tha se kjo parti ka dy vjet që ka depozituar një ligj në Kuvend për këtë çështje. Duke e mbyllur, Rama i ka bërë apel Berishës që të miratojnë Kodin Zgjedhor. “Apeli im për Sali Berishën është i qartë: I kemi të gjitha mundësitë të bëjmë një ligj evropian për këtë çështje, e cila në thelb nuk është e asnjë partie më vete, po e gjithë shoqërisë shqiptare si një e tërë.

Mos votoni sot me ngut atë që keni gatuar pa asnjë debat dhe asnjë mirëkuptim as me opozitën, as me shoqërinë civile, as me kategoritë drejtpërdrejt të interesuara dhe as me partnerët ndërkombëtarë.

Kthehuni në tryezën e diskutimit për të gjetur mirëkuptimin e të gjithëve, sepse të gjithë e dëshirojnë miratimin më në fund të një ligji evropian për çështje e dosjeve të diktaturës komuniste.

Ne jemi gati të japim konsensus mbi cilindo model të suksesshëm të vendeve të ish-Lindjes komuniste, ku duhet të bazohet ky ligj dhe jemi të bindur se të gjithë do ta përshëndesnin një proces të hapur e konstruktiv në hartimin e këtij ligji, për të cilin s'ka asnjë ngut në një moment si ky, kur ende duhet të përfundojmë detyrën tonë të përbashkët për nxjerrjen e Kodit Zgjedhor nga Kuvendi dhe hapjen e rrugës për implementimin e tij”, - tha Rama.

Nënkryetari i LSI, Prifti: Historia e ligjit të dosjeve, teatër i PD dhe PS

“Kjo historia e këtij ligjit të dosjeve, me thënë të drejtën, duket si teatër këtu në parlament, duket sikur dy krahët e politikës nuk merren vesh me njëri-tjetrin, por në fakt te ligji i dosjeve, ata njerëz që janë me dosje tek ai krahu andej (drejtohet nga deputetët e PS), janë përjashtuar nga ligji, edhe ata që janë me dosje tek ai krahu andej (drejtohet nga deputetët e PD), janë përjashtuar nga ligji. Kështu që ky është një ligj qesharak, është një ligj që është një teatër para shqiptarëve, sepse veten e tyre ata që janë me dosje në këtë parlament, e kanë përjashtuar nga ligji. Kështu që nuk i beson njeri këtyre lloj teatrove.”

Projektligj për pastërtinë e figurave të funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të zgjedhurve

Në mbështetje të nenit 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës me propozimin e një grupi deputetësh,

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë vendosi:

KREU I

Neni 1

Qëllimi i ligjit

Ky ligj ka për qëllim të kontrollojë pastërtinë e figurës së çdo funksionari publik të zgjedhur apo të emëruar, lidhur me pjesëmarrjen e tyre në strukturat politikëbërëse dhe zbatuese të dhunës së diktaturës së proletariatit, si edhe në strukturat e ish-Sigurimit të Shtetit, për periudhën 29 nëntor 1944 deri më 8 dhjetor 1990.

Neni 2

Objekti i ligjit

Objekti i këtij ligji është përcaktimi i subjekteve dhe funksioneve të larta shtetërore të cilat janë të papajtueshme me veprimtarinë publike të zyrtarit për shkak, të qenies si anëtar, drejtues, apo bashkëpunëtor në strukturat politikëbërëse dhe zbatuese të dhunës së proletariatit apo të ish Sigurimit të Shtetit për periudhën 29 nëntor 1944 deri më 8 dhjetor 1990, rastet e papajtueshmërisë dhe procedurat e verifikimit dhe pasojat e këtyre procedurave.

Neni 3

Subjektet e verifikimit

Subjekt i verifikimit sipas këtij ligji, janë të gjithë funksionarët publikë, të zgjedhur apo të emëruar, të cilët aktualisht ushtrojnë apo do të ushtrojnë një nga funksionet e mëposhtme:

a) Presidenti i Republikës së Shqipërisë;

b) Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë;

c) Anëtarët e Këshillit të Ministrave, zëvendësministrat, funksionarët politikë, sekretarët e përgjithshëm, drejtorët e përgjithshëm dhe drejtorët e drejtorive të dikastereve, si dhe të barazuarit me ta në institucionet e tjera shtetërore qendrore ose të pavarura;

d) Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe gjyqtarët e prokurorët pranë gjykatave dhe prokurorive të të gjitha niveleve;

e) Funksionarë të lartë të Presidencës, të administratës së Kuvendit, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të Gjykatës së Lartë, të Gjykatës Kushtetuese, të Prokurorisë së Përgjithshme, sipas rangjeve të caktuara në shkronjën “c”;

f) Guvernatorë, zëvendësguvernatorë dhe drejtorët e Bankës së Shqipërisë;

g) Funksionarë në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, si dhe oficerët me gradë “Gjeneral” dhe “Kolonel”;

h) Prefektët, kryetarët e këshillave të qarkut si dhe kryetarët e bashkive dhe komunave;

i) Drejtuesit e drejtorive të administratës publike në nivel qarku;

j) Në Shërbimin Informativ Shtetëror (SHISH), në Shërbimin Informativ Ushtarak (SHIU) dhe çdo shërbim tjetër inteligjent;

k) Në Gardën e Republikës;

l) Funksione drejtuese në Policinë e Shtetit deri në nivel qarku dhe komisariati;

m) Drejtuesit e përfaqësive diplomatike;

n) Anëtarët e Akademisë së Shkencave, rektorët, zëvendësrektorët dhe dekanët në universitetet publike, si dhe drejtorët e gjimnazeve dhe shkollave të mesme tekniko-profesionale;

o) Çdo person tjetër i dekretuar nga Presidenti i Republikës apo i zgjedhur nga Kuvendi.

Neni 4

Papajtueshmëria e funksioneve

Pastërtia e figurës morale të funksionarit publik, të përcaktuar në nenin 3 të këtij ligji, është e papajtueshme, me mbajtjen prej tij, gjatë periudhës 29 nëntor 1944 deri më 8 dhjetor 1990, të një prej detyrave/cilësive të mëposhtme:

a) Anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të PPSH-së, me përjashtim të rasteve kur ka vepruar kundër vijës zyrtare apo është larguar vetë nga detyra në mënyrë publike;

b) Kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm dhe kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme;

c) Ministër, Zv. Ministër i Punëve të Brendshme dhe çdo punonjës i organeve të Sigurimit të Shtetit;

d) I dënuar me vendim penal të formës së prerë për krime kundër njerëzimit ose për veprat penale të shpifjes, të kallëzimit të rremë ose dëshmisë së rreme në procese politike;

e) Bashkëpunëtor i organeve të Sigurimit të Shtetit me veprimtari të karakterit politik që lidhen me veprat penale politike të parashikuara nga ligji nr. 7514, datë 30.09.1991, “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish të dënuarve dhe përndjekurve politikë” (të ndryshuar), apo bashkëpunëtor vullnetar për vepra të tilla;

f) Anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve;

g) Hetues, prokuror ose ndihmës-prokuror, gjyqtar apo ndihmësgjyqtarë në procese politike;

h) Denoncues apo dëshmitar i akuzës në proceset gjyqësore politike.

Neni 5

Konflikti i interesit

Asnjë person që ndodhet në kushtet e papajtueshmërisë së funksioneve, sipas nenit 4 të këtij ligji, nuk mund të marrë pjesë në çfarëdolloj pozicioni në Autoritetin e Kontrollit të Figurave, si dhe nuk mund të jetë pjesë në trupa gjyqësorë që marrin në shqyrtim këtë ligj, ose çështje që lidhen me zbatimin e tij.

KREU II

AUTORITETI I KONTROLLIT TË FIGURAVE

Neni 6

Statusi dhe Përbërja e Autoritetit

1. Për zbatimin e këtij ligji, krijohet Autoriteti i Kontrollit të Figurave (Autoriteti).

2. Autoriteti organizohet dhe funksionon në mënyrë të pavarur, sipas rregullave të përcaktuara në këtë ligj dhe rregulloren e funksionimit.

3. Autoriteti është organ i përhershëm mbikëqyrjeje dhe kontrolli i pastërtisë morale të figurave të funksionarëve publikë.

4. Autoriteti përbëhet nga 5 anëtarë, të cilët propozohen si vijon:

a) dy përfaqësues të shumicës parlamentare;

b) dy përfaqësues të pakicës parlamentare;

c) kryetari me konsensus.

5. Anëtarët e Autoritetit miratohen nga Kuvendi i Shqipërisë. Në rast se vendi i një a më shumë anëtarëve mbetet vakant për mungesë propozimesh, ose për pamundësi zgjedhjeje, sipas pikës 4 të këtij neni, Kuvendi emëron anëtarin përkatës midis të paktën 2 kandidaturave të propozuara nga shoqëria civile.

6. Kryetari dhe anëtari i Autoritetit përfitojnë pagën sipas tabelës përkatëse të pagave të ligjit nr. 9584, datë 17.7.2006 “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”.

Neni 7

Kushtet për t’u zgjedhur anëtarë Autoriteti

Anëtari i Autoritetit të Kontrollit të Figurave duhet të plotësojë këto kushte:

a) të jetë shtetas shqiptar;

b) të ketë arsimin e lartë juridik;

c) të ketë vjetërsi pune jo më pak se 5 vjet;

d) të mos jetë i dënuar penalisht;

e) të mos jetë shkarkuar nga detyra ose të mos ketë marrë masë disiplinore gjatë ushtrimit të detyrës;

f) të ketë figurë të pastër morale sipas kritereve të këtij ligji.

Neni 8

Vetëdeklarimi i pastërtisë morale

Çdo kandidat për anëtar, përpara emërimit duhet të bëjë një deklaratë për pastërtinë e figurës së tij, lidhur me papajtueshmërinë e funksioneve siç përcaktohet në nenin 4 të këtij ligji.

Neni 9

Verifikimi i pastërtisë morale të kandidatit për anëtar

1. Çdo kandidat për anëtar i Autoritetit i propozuar sipas nenit 6 të këtij ligji i nënshtrohet procedurës së verifikimit të pastërtisë së figurës sipas këtij ligji.

2. Ky verifikim kryhet nga Drejtoria e Sigurimit te Informacionit te Klasifikuar brenda 10 ditëve nga marrja e njoftimit të propozimit nga Kuvendi.

3. Rezultatet e verifikimit të anëtarëve te Autoritetit bëhen publike.

Neni 10

Fillimi i detyrës nga anëtarët e Autoritetit

1. Anëtarët e Autoritetit fillojnë ushtrimin e detyrës brenda 5 ditëve nga miratimi i tyre prej Kuvendit.

2. Në mbledhjen e parë të tij, Autoriteti nën drejtimin e Kryetarit, zgjedh nënkryetarin.

Neni 11

Mbarimi i mandatit të anëtarit të Autoritetit

1. Mandati i anëtarit të Autoritetit është 5 vjet.

2. Mandati i anëtarit mbaron para afatit në rastet kur:

a) jep dorëheqjen;

b) vdes;

c) dënohet penalisht me vendim të formës së prerë;

d) deklarohet i paaftë për të vepruar me vendim gjyqësor të formës së prerë

e) ushtron detyrën në kundërshtim me rregullat e konfidencialitetit të procedurave të verifikimit;

f) ushtron detyrën në shkelje të përsëritur dhe të pajustifikuar të rregullave procedurale që rregullojnë funksionimin e Autoritetit;

g) kryen veprime që cenojnë rëndë integritetin e tij;

3. Mbarimi i mandatit të anëtarit deklarohet me vendim të Autoritetit.

4. Kuvendi i Shqipërisë brenda 10 ditëve nga marrja e vendimit për deklarimin e mbarimit të mandatit, nis procedurën për zëvendësimin e anëtarit, duke ndjekur procedurën e parashikuar në nenin 6 te ligjit.

Neni 12

Sekretariati i Autoritetit

1. Autoriteti, gjatë veprimtarisë së tij, mbështetet nga sekretariati, rekrutimi i të cilit bëhet nga Autoriteti mbi baza të aftësisë profesionale dhe morale.

2. Numri i personelit ndihmës dhe buxheti i Autoritetit miratohen nga Këshilli i Ministrave.

KREU III

PROCEDURA E VERIFIKIMIT

Neni 13

Nisja e procedurës së verifikimit

Autoriteti fillon procedurën e verifikimit të pastërtisë morale të funksionarëve:

a) kryesisht, për të gjithë subjektet e përcaktuara në nenin 3, të këtij ligji.

b) me kërkesë me shkrim, të titullarit të institucionit apo organit të emërtesës së tij, për funksionarin publik;

c) me kërkesë të vetë subjektit kur ai kandidon në mënyrë të pavarur në një proces zgjedhor.

Neni 14

Detyrimi për njoftim për emërimet apo zgjedhjet e reja

1. Drejtuesi i çdo institucioni depoziton tek Autoriteti, brenda 10 ditëve, njoftimin për kandidatët për emërime në një nga funksionet e përcaktuara në nenin 3, të këtij ligji. Akti i emërimit bëhet vetëm pas marrjes së dëshmisë së verifikimit nga Autoriteti të figurës së zyrtarit.

2. Në rastin e të zgjedhurve në Kuvend, në organet e qeverisjes vendore, apo në organe të tjera përfaqësuese kandidatët që konkurrojnë i nënshtrohen verifikimit të figurës së zyrtarit përpara regjistrimit si kandidat në procesin përkatës zgjedhor. Ky njoftim bëhet nga kandidati ose propozuesit e tij.

3. KQZ nuk e regjistron kandidatin në rast se ky nuk paraqet dëshminë e verifikimit.

Neni 15

Thirrja e mbledhjes për procedurën e verifikimit

Kryetari i Autoritetit ose në mungesë të tij, nënkryetari, thërret mbledhjen për procedurën e verifikimit brenda 3 ditëve nga dita e marrjes së kërkesës për verifikim nga subjektet e përcaktuara në nenin 14 të këtij ligji.

Neni 16

Rregulla mbi mbledhjen e Autoritetit

1. Autoriteti kryen procedurat e verifikimit të pastërtisë morale të figurave nën drejtimin e kryetarit të tij dhe në mungesë të tij nga nënkryetari.

2. Për çdo kërkesë për fillimin e procedurës së verifikimit ose për çdo rast të marrë në proces verifikimi kryesisht, Autoriteti hap një dosje të posaçme në të cilën depozitohen:

a) kërkesa;

b) çdo akt dokumentues i veprimtarisë verifikuese;

c) çdo akt i llojit dokument i marrë në këtë proces.

3. Mbledhja e Autoritetit është e vlefshme, kur në të marrin pjesë të paktën 4 anëtarë.

4. Në çdo mbledhje mbahet procesverbal, i cili kontrollohet për saktësi nga kryetari dhe në mungesë të tij nga nënkryetari. Në përfundim të mbledhjes, ky procesverbal nënshkruhet nga të gjithë anëtarët që kanë marrë pjesë në të.

5. Në çdo rast, procedura e verifikimit duhet të përfundojë brenda 30 ditëve nga dita e paraqitjes së kërkesës për verifikim ose nga dita e fillimit kryesisht të procedurës së verifikimit.

Neni 17

Papajtueshmëria dhe konflikti i interesave

1. Në fillim të mbledhjes për verifikimin e figurës së çdo funksionari, anëtari i Autoritetit nënshkruan një deklaratë për mungesën e papajtueshmërisë ose të konfliktit të interesit midis tij dhe subjektit nën verifikim.

2. Çdo anëtar i Autoritetit ka detyrimin të paraqesë në mbledhje çdo rrethanë papajtueshmërie apo konflikti interesash që ndonjë anëtar tjetër i Autoritetit ka me subjektin nën verifikim.

3. Anëtari i Autoritetit është i detyruar të heqë dorë nga pjesëmarrja në procedurën e verifikimit të figurës së funksionarit, në çdo rast që ekzistojnë shkaqe të rëndësishme të papajtueshmërisë apo konfliktit te interesave midis tij dhe subjektit nën verifikim, të tilla që influencojnë qëndrimin e tij në procedurën e verifikimit. Dorëheqja shqyrtohet dhe pranohet me shumice te thjeshte te anëtarëve të Autoritetit.

4. Në rastin kur anëtari i Autoritetit, ndonëse ka detyrimin, nuk heq dorë nga pjesëmarrja, përjashtimi i tij vendoset nga mbledhja e Autoritetit gjithmonë pasi është dëgjuar paraprakisht anëtari. Në këtë rast njoftohet Kuvendi.

Neni 18

Marrja e të dhënave

1. Autoriteti, në funksion të përmbushjes së detyrave të ngarkuara me këtë ligj, kërkon t’i vihen në dispozicion të gjitha materialet arkivore, duke përfshirë edhe dokumentacionet e Partisë së Punës të Shqipërisë, nga të cilat mund të merren të dhëna për veprimtarinë e Sigurimit të Shtetit dhe të personave të veçantë, qe kanë të bëjnë me zbatimin e këtij ligji.

2. Ministria e Brendshme, Shërbimi Informativ Shtetëror, Ministria e Mbrojtjes, gjykatat dhe prokuroritë, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave apo çdo institucion tjetër shtetëror, detyrohen të dërgojnë pranë Autoritetit, brenda 20 ditëve nga marrja e kërkesës, të gjitha materialet arkivore të kërkuara nga Autoriteti.

Neni 19

Votimi

1. Çdo anëtar ka detyrimin e votimit pro ose kundër, si dhe detyrimin për të motivuar votën e dhënë. Nuk lejohet abstenimi.

2. Vota e anëtarit në pakicë dhe arsyet e këtij votimi shënohen në procesverbal.

3. Dëshmia e verifikimit për subjektin e verifikuar lëshohet si e pajtueshme kur kanë votuar pro të paktën 3 anëtarë të Autoritetit.

4. Brenda dy ditëve nga mbledhja, Kryetari lëshon dëshminë që pasqyron rezultatin e procedurës së verifikimit të pastërtisë morale të funksionarit.

Neni 20

Rezultatet përfundimtare të procedurës së verifikimit

1. Në përfundim të procedurës së verifikimit, Autoriteti:

a) Kur rezulton se subjekti i verifikuar është i papërfshirë në veprimtaritë e përcaktuara në nenin 4 të këtij ligji, vendos për lëshimin e dëshmisë së pastër të figurës morale. Kjo dëshmi plotësohet sipas formularëve të aneksit “A” dhe “A/1” bashkëlidhur këtij ligji dhe nënshkruhet nga Kryetari apo në mungesë të tij nga nënkryetari. Dëshmia i komunikohet kërkuesit të procedurës së verifikimit, si dhe subjektit të verifikuar.

b) Kur rezulton se subjekti i verifikuar është i përfshirë në veprimtaritë e përcaktuara në nenin 4, vendos të lëshojë dëshminë e verifikimit të figurës morale sipas formularit të aneksit “B/1” bashkëlidhur këtij ligji. Kjo dëshmi, e nënshkruar nga Kryetari ose në mungesë të tij nga nënkryetari, i njoftohet subjektit të verifikuar si material konfidencial. Pas marrjes së dëshmisë sipas kësaj germe, subjekti i verifikuar ka të drejtë të njihet me aktet e përfshira në dosjen e tij pranë Autoritetit nëpërmjet nënshkrimit të “formularit për mbrojtje të informacionit të klasifikuar”.

2. Kur zyrtari nuk është dakord me rezultatin e parashikuar në shkronjën “b”, të pikës 1, të këtij neni, ai ka të drejtën të paraqesë pretendime me shkrim dhe dokumente provuese për çështjen brenda 10 ditëve nga marrja e njoftimit.

3. Komisioni shqyrton pretendimet dhe dokumentet e subjektit dhe brenda 10 ditëve nga paraqitja e tyre të vendos:

a) të njoftojë subjektin kërkues brenda 3 ditëve për rrëzimin e pretendimeve të tij; ose

b) lëshimin e dëshmisë sipas shkronjës “a”, të pikës 1, të këtij neni.

Neni 21

Vlera e dëshmisë së verifikimit

Dëshmia e verifikimit sipas shkronjës “b” të pikës 1, të nenit 20, të këtij ligji, ka fuqi të plotë provuese mbi faktin e pastërtisë së figurës së çdo funksionari publik të zgjedhur apo të emëruar.

Neni 22

Ankimi gjyqësor

1. Subjekti i verifikuar mund të ankimojë dëshminë e verifikimit sipas shkronjës “b”, pika 1, e nenit 20 në Gjykatën e Apelit.

2. Me kërkesë të subjekti verifikues, Gjykata vendos zhvillimin e gjykimit me dyer të mbyllura.

3. Vendimi është i formës së prerë dhe i paankimueshëm.

Neni 23

Pasojat e dëshmisë në rastin e personave që do të kryejnë një funksion publik

1. Kërkuesi i procedurës ose vetë subjekti i verifikuar, menjëherë me marrjen e dëshmisë së verifikimit të lëshuar sipas shkronjës “a” të pikës 1 të nenit 20, e paraqet për depozitim atë në institucionin pranë të cilit do të fillojë të kryejë funksionin publik ose pranë organit që bën regjistrimin e kandidatëve për proces zgjedhor.

2. Kërkuesi i procedurës menjëherë me marrjen e dëshmisë së verifikimit të lëshuar sipas shkronjës “b” të pikës 1 të nenit 20, thërret subjektin e verifikuar dhe i njofton atij skualifikimin nga vazhdimi i mëtejshëm i procedurës së emërimit ose zgjedhjes për shkak të padenjësisë së figurës së tij.

3. Kur subjekti i verifikuar deklaron se ka bërë ankim gjyqësor dhe paraqet kopje të aktit të ankimit, procedura e pikës 2 të këtij neni nuk pezullohet deri në dhënien e vendimit nga Gjykata e Apelit.

Neni 24

Pasojat e dëshmisë në rastin e personave në detyrë

1. Kërkuesi i procedurës së verifikimit menjëherë me marrjen e dëshmisë së verifikimit të lëshuar sipas shkronjës “a” të pikës 1 të nenit 20 të këtij ligji, e depoziton atë në dosjen individuale të personelit.

2. Kërkuesi i procedurës së verifikimit brenda 3 ditëve nga lëshimi i dëshmisë së verifikimit sipas shkronjës “b” të pikës 1 të nenit 20 të këtij ligji, depoziton dëshminë në dosjen individuale të personelit, dhe njofton subjektin e verifikuar për zhvillimin e një seance të mbyllur informuese brenda 3 ditëve. Në këtë seancë marrin pjesë dy persona të caktuar nga titullari i institucionit ose organi i emërtesës. Gjatë zhvillimit të kësaj seance mbahet procesverbal, i cili nënshkruhet nga të gjithë të pranishmit. Subjekti i verifikuar nëse e kërkon, pajiset me një kopje të procesverbalit.

3. Kur subjekti i verifikuar deklaron se ka ankimuar procedurën e verifikimit të zhvilluar nga Autoriteti dhe paraqet kopje të ankimit të tij, seanca informuese shtyhet për t’u zhvilluar menjëherë pas dhënies së vendimit gjyqësor të Gjykatës së Apelit.

4. Në rastet e tjera, kur subjekti i verifikuar në përfundim te seancës deklaron/ose depoziton dorëheqjen e menjëhershme nga detyra, akti i dorëheqjes arkivohet në dosjen personale të subjektit dhe materiali verifikues (dëshmia e verifikimit dhe procesverbali i seancës informuese) mbetet konfidencial.

5. Kur subjekti i verifikuar deklaron se nuk dëshiron të japë dorëheqjen nga funksioni, atëherë brenda dhjetë ditëve nga seanca informuese, mbi bazën e dëshmisë së verifikimit, përfundojnë marrëdhëniet e tij të punës me motivacionin “padenjësi e figurës së funksionarit”.

Neni 25

Transparenca me publikun

1. Autoritetit krijon një regjistër elektronik mbi të gjitha rastet e verifikuara dhe publikon në faqen e vet zyrtare, informacion për numrin e rasteve të verifikuara. Ky informacion përditësohet çdo javë.

2. Autoriteti bën publike në faqen zyrtare identitetin e të gjithë zyrtarëve të kualifikuar si të papajtueshëm për të vazhduar detyrën, për të cilët, nuk është zhvilluar procedura e skualifikimit e nenit 23 apo nuk ka përfunduar marrëdhënia e punës sipas nenit 24.

Neni 26

E drejta për t’u njohur me dosjet personale

1. Çdo shtetas shqiptar ka të drejtë të njihet me të dhëna personale në lidhje me atë që përmbajnë dosjet e sigurimit të shtetit, sipas përcaktimeve të këtij ligji.

2. Për njohjen e këtyre të dhënave shtetasi paraqet kërkesë me shkrim në Autoritetin Shtetëror. Autoriteti, brenda 30 ditësh nga paraqitja e kërkesës, është i detyruar të kthejë përgjigje negative nëse nuk ka të dhëna ose nëse ka të dhëna të sigurojë mundësinë të njihet me to. Në çdo rast shtetasi njihet vetëm me të dhënat personale të tij dhe i ndalohet të njihet me të dhënat apo emrat e personave të tretë që mund të përmbajë dosja e tij.

3. Rregulla të hollësishme për zbatimin e këtij neni përcaktohen në Rregulloren e funksionimit të Autoritetit.

KREU IV

DISPOZITA KALIMTARE

Neni 27

Fondi arkivor

Autoritetit, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, i vihen në dispozicion, dublikatat e dokumenteve dhe fondit arkivor të Komisionit të ngritur me ligjin nr. 8043, datë 30.11.1995 “Për kontrollin e figurës së zyrtareve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik”.

Neni 28

Verifikimi i figurës se zyrtareve në detyrë

Autoriteti, sipas radhës së përparësisë së përcaktuar në nenin 3 të këtij ligji, brenda 6 muajve nga fillimi i funksionimit të tij, përfundon, verifikimin e figurës së çdo funksionari.

KREU V

DISPOZITA TË FUNDIT

Neni 29

Afati i veprimtarisë së Autoritetit

1. Veprimtaria e Autoritetit, sipas këtij ligji, vazhdon deri në 31 Dhjetor 2014.

2. Kuvendi brenda 1 muaji nga hyrja në fuqi e këtij ligji, miraton rregulloren e funksionimit të Autoritetit. Pjesë e kësaj rregulloreje është edhe mënyra e ndarjes së përgjegjësive dhe e komunikimit ndërmjet Autoritetit dhe sekretariatit teknik të tij.

Neni 30

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›