E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata, gjobë 30 milionë lekë Sajmir Tahirit u padit nga Vokshi

25/10/2011  Reagon deputeti Tahiri: Nuk do arrijnë dot të më mbyllin gojën

TIRANË- Deputeti i Partisë Socialiste, Sajmir Tahiri, gjobitet me plot 3.3 milionë lekë të reja nga Gjykata e Shkallës së Parë e Tiranës. Gjoba u vendos pas shqyrtimit të padisë civile për shpifje që deputetja demokrate, Albana Vokshi, kishte depozituar në gjykatë. Trupi gjykues i çështjes vendosi që dëmshpërblimi do të jetë për të shlyer dëmin jashtë-kontraktor që deputeti socialist i ka shkaktuar koleges së tij demokrate. Më 16 shtator të vitit 2010, deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, paditi në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës 9 deputetë të Partisë Socialiste. Ajo i akuzoi deputetët socialiste për shpifje duke kërkuar shpërblimin e dëmit jopasuror. Padia e Vokshit vjen pas deklaratave të deputetëve të majtë, që sipas deputetes demokrate kanë cenuar nderin dhe dinjitetin. Këta përfaqësues të PS-së kanë akuzuar në mënyrë të vazhdueshme deputeten Vokshi për të ardhurat e padeklaruara, të përfituara nga bashkëjetuesi i saj, Alban Tartari, për koncesionin e naftës, dhënë kompanisë "Stream Oil" dhe si një nga aksionerët e kompanisë "Vision Construction". Pas vendimit reagoi edhe nënkryetari i grupit parlamentar të PS, Saimir Tahiri. Ai tha se “U njoha nëpërmjet mediave mbi vendimin që ka marrë gjyqtari Asim Vokshi në lidhje me padinë që ka bërë ndaj meje deputetja Albana Vokshi pse e akuzova se ajo dhe bashkëshorti i saj kanë përfituar nga koncesionet. Nuk jam njohur ende me vendimin dhe as me arsyetimin e tij, por sigurisht nuk prisja që kërcënimi i Jozefina Topallit në seancën e kaluar do kthehej kaq shpejt në vendim gjykate. (Deklarata e Jozefina Topallit në seancën e kaluar, Dt 20.10.2001: “Ju keni gjetur rrugën tuaj, megjithatë ju them se në gjyq do jeni njëri më datë 31 dhe tjetri më datë 26. Fletë-padinë e kam në zyrën time, nuk ka procedurë”). Pa paragjykuar, uroj që gjyqtari Vokshi të ketë arritur me sukses të sqarojë se në cilën pjesë të deklaratave të mia nuk kam thënë të vërtetën. Një gjë është e sigurt, jo Albana Vokshi e cila është vetëm një copë e vogël e dhjamit të pushtetit, por as Jozefina Topalli e as Sali Berisha dhe pushteti i tyre i krimbur, nuk do arrijnë dot të më mbyllin gojën, duke më ndaluar të them të vërtetat që shqiptarët duhet të dinë për këtë qeveri”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›