E Diel, 1 Nëntor 2026

KOmisioni i Venecias: “Eshtë mirë që dialogu të nisë që tani”

25/10/2011  Delegacioni i Venecias dhe ODIHR takime me zyrtarë të lartë të shtetit

Synohet gjetja e mekanizmave për reformën zgjedhore dhe shmangien e krizës

Delegacioni i përbashkët i Komisionit të Venecies dhe ODIHR-i nisi takimet e tij me drejtues të lartë të qeverisë dhe drejtues të partive politike në vend për të parë se çfarë përmirësimesh mund të bëhen në të ardhmen në lidhje me reformën zgjedhore, në mënyrë që të shmanget kriza politike në të ardhmen. Ky delegacion u prit nga zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto. Sekretari i Komisionit të Venecies, Thomas Markert, informoi se qëllimi i vizitës ishte hartimi i një opinioni të përbashkët të Komisionit të Venecies dhe ODIHR-it lidhur me përmirësimet që mund ti bëhen legjislacionit elektoral dhe praktikave zgjedhore në Shqipëri, bazuar kjo në kërkesën e sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Evropës. Markert nënvizoi se qëllimi i përgatitjes së opinionit nuk do të jetë vlerësimi i praktikave të kaluara, por orientimi drejt arritjes së standardeve më të mira në të ardhmen. “Detyra jonë është që të bëjmë rekomandimet për të ardhmen dhe jo vlerësime për të kaluarën. Ne kemi shumë takime sot me përfaqësues të institucioneve të larta dhe partive politike gjithashtu. Nuk dëshiroj të jap detaje të mëtejshme për këto takime, por dëshiroj të them se këtu jemi së bashku me përfaqësues të OSBE–ODHIR-it dhe rekomandimet nga këto organizata do të analizohen në opinionin e përbashkët që do të jepet. Opinioni formal i Komisionit të Venecies do të adoptohet në takimin e ardhshëm të këtij komisioni më 16-17 dhjetor. Është i rëndësishme ky dialog tani para adoptimit të këtij opinioni dhe pastaj për të vazhduar më tej”, - tha sekretari i komisionit të Venecies në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimit. I pyetur për pyetjet e dërguara nga Partia Socialiste nëpërmjet sekretarit të Këshillit të Europës, Markret tha se delegacioni do të ketë takime me përfaqësues të PS-së, ku do të njihen më me saktësi për këto pyetje. Ndërsa ministri Haxhinasto, nga ana e tij, siguroi se autoritetet shqiptare kanë qenë të hapura ndaj kërkesës së sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Evropës Thorbjørn Jagland për një opinion të Komisionit të Venecies. “Qeveria e Shqipërisë vlerëson si parësore kryerjen e një reforme zgjedhore, e cila duhet të reflektojë cilësi në proces dhe në substancë. Kjo nënkupton se procesi duhet të jetë transparent, gjithëpërfshirës dhe brenda afateve të duhura kohore, por njëkohësisht duhet të adresojë në substancën e tij rekomandimet e OSBE–ODIHR-it”, - tha kreu i diplomacisë shqiptare. Delegacioni përbashkët i Komisionit të Venecies dhe ODIHR-i zhvilluan dje takime edhe me kryeministrin Sali Berisha, kryeparlamentaren Jozefina Topalli dhe kreun PS-së Edi Rama. Ai i siguroi autoritetet shqiptare se do të vazhdojnë të japin kontributin e tyre për reformën e ardhshme, me qëllim gjetjen e zgjidhjeve më të mira teknike që shohin drejt së ardhmes në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Haxhinasto

“Këto rekomandime do të jenë pika jonë e referencës për reformën zgjedhore në të ardhmen, të cilën e kemi konceptuar si një proces të hapur, një proces që bëhet në kohën e duhur, një proces që adreson pikërisht këto argumentime. Kemi gjetur mirëkuptimin e plotë, mbështetjen e plotë nga përfaqësuesit e Komisionit të Venecies dhe të ODHIR-it dhe ky bashkëpunim i frytshëm të vazhdojë edhe në të ardhmen.”

Takimi me Berishën

Kryeministri Berisha e siguroi delegacionin e Komisionit të Venecies dhe të OSBE–ODIHR-it për gatishmërinë e mazhorancës për të filluar menjëherë reformën zgjedhore, me qëllim plotësimin e rekomandimeve me vullnet të mirë politik, konsensus, gjithëpërfshirje dhe transparencë. Ai gjithashtu shprehu shpresën se i njëjti vullnet dhe gatishmëri do të tregohet edhe nga opozita për arritjen e këtij objektivi të rëndësishëm në trajtimin e 12 prioriteteve të Komisionit Evropian.

66-vjetori i OKB-së, nënshkruhet marrëveshja

Berisha: Do të promovojmë modelin e zhvillimit të qëndrueshëm

Qeveria e Shqipërisë dhe Kombet e Bashkuara nënshkruan dje në mjediset e Këshillit të Ministrave një program të ri bashkëpunimi për periudhën 2012–2016. Për qeverinë shqiptare nënshkroi ministri për Inovacionin Genc Pollo, ndërsa në emër të Kombeve të Bashkuara nënshkroi koordinatorja e përhershme e tyre në Shqipëri Zineb Toumi- Benjelloun. Programi, i cili nënshkruhet në Ditën Botërore të OKB-së, mbështet Shqipërinë në agjendën e saj të integrimit dhe në sfidat e zhvillimit të vendit në fushat e qeverisjes, shtetit të së drejtës, ekonomisë dhe mjedisit, zhvillimit rajonal dhe lokal e politikave sociale gjithëpërfshirëse. Në fjalën e tij Kryeministri Berisha vlerësoi bashkëpunimin me Kombet e Bashkuara dhe falënderoi donatorët, të cilët kanë bërë të mundur financimin dhe suksesin e qindra projekteve të realizuara nga agjencitë e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri. “Ne kremtojmë këtë 66-vjetor me një histori të vërtetë bashkëpunimi të suksesshëm. Historia e suksesit të këtij bashkëpunimi qëndron në themel të përzgjedhjes së Shqipërisë si vend-pilot për të aplikuar projektin e reformës së thellë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara Një OKB”, - tha Berisha. Ai deklaroi se programi i katër vjetve që vijnë do të jetë i përqendruar në tërësi për të ndihmuar Shqipërinë në promovimin e modelit të zhvillimit të qëndrueshëm. “Në këtë kontekst, qeveria është e vendosur të bëjë gjithçka për ta shndërruar Shqipërinë në një superfuqi energjetike të vogël rajonale të energjisë së rinovueshme, të bëjë përpjekjet më të mëdha për një mjedis sa më të shëndetshëm dhe të pastër”, - tha kryeministri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›