Gjykata i heq të drejtën për të kryer operacione mjekut Hoxhallari
Tiranë - Gjykata i heq të drejtën mjekut për të operuar deri në një vendim përfundimtar. Gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Bujar Krasniqi, pranoi dje kërkesën e prokurorisë për pezullimin e operacioneve të mjekut Xhevahir Hoxhallari deri në fund të procesit gjyqësor që është ngritur ndaj tij. Mjeku që fajësohet për vdekjen e adoleshentes nga Pogradeci që vdiq nga bajamet mund të qëndrojë në punë si mjek por nuk ka të drejtë të kryejë operacione. Kërkesa për mjekun vjen pas dy muajsh hetime ndaj tij nga ana e Prokurorisë së Tiranës. Pas vdekjes së vajzës, prindërit denoncuan mjekun duke e fajësuar për humbjen tragjike të vajzës së tyre. Mjeku Xhevahir Hoxhallari është i akuzuar për mjekim të pakujdesshëm në lidhje me vdekjen e pacientes 17-vjeçare, Matilda Petriti, në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë. Adoleshentja humbi jetën si pasojë e një hemorragjie pas një operacioni në bajame, ndërkohë që familjarët e saj akuzuan fill pas tragjedisë mjekët për neglizhencë, duke u bërë fajtor për këtë ngjarje. Pas kësaj, nisën hetimet dhe një radhë ekspertizash për të hedhur dritë rreth fajësisë, ose pafajësisë së mjekut. Tani pritet që prokurori të përfundojë hetimet për të dorëzuar dosjen për gjykim.
Procesi David Brawn, një tjetër dëshmitar kundër tij
Tiranë - Procesi gjyqësor ndaj anglezit David Brawn ka vijuar dje me një tjetër dëshmi që vështirëson pozitën e tij. Burime pranë Gjykatës së Tiranës, pohuan dje se seanca e radhës u zhvillua me dyer të mbyllura dhe kësaj radhe dëshmitare ishte një e mitur. Ashtu si edhe herët e tjera, dëshmia u soll në sallën e gjyqit nëpërmjet vidiokonferencës. Për shkak të etikës burimet nuk kanë dhënë detaje mbi dëshminë e dëshmitarit. Anglezi David Brawn nuk e ka pranuar akuzën e tij për pedofili me fëmijët shqiptarë. Ai kishte mbërritur në Shqipëri prej pak vitesh dhe kishte hapur një qendër për fëmijët e braktisur. Akuzat u ngritën ndaj tij pas një denoncimi të një të mituri se i huaji abuzonte me ta.
23 Korrik 2008