Dëshira për ushtare profesioniste e çon te falsifikimi i moshës
Tiranë – Aq me pasion e kishte të bëhej pjesëtare e Forcave të Armatosura sa ka falsifikuar edhe dokumentet. Sonila Reçit, 36 vjeçares nga Tirana, i duhet që të përgjigjet përpara prokurorëve rreth zellit të tepruar për të qenë ushtare profesioniste në Batalionin e Policisë Ushtarake. Rregulli e donte që vajza të ishte e moshës 19-26 vjeç, pasi vetëm atëherë mund të aplikonte për ushtare profesioniste, kusht të cilin ajo nuk e plotësonte. Kjo e shtyu 36 - vjeçaren në “mëkat ligjor”. Por vajza e kishte vendosur të ishte një nga ushtarët profesionistë. Sonila do t’i shkonte deri në fund ëndrrës së saj duke kryer edhe 5 javët e shërbimit bazë ushtarak kur i kalonte po ashtu edhe gjatësinë e 1 metër e 62 centimetra.
Gabimi
Gjithçka ka nisur me aplikimin për t’u bërë pjesë e ushtrisë shqiptare kundrejt pagesës. Vajza ka pasur moshë më të madhe se ajo e lejuara dhe kjo është menduar si pengesë e kalueshme në mënyrë të kundërligjshme. Pas kësaj dukej se asgjë tjetër nuk e pengonte Sonilën e cila i pasur në rregull të 9 dokumentet që duhet të paraqiste. As vërtetimet nga gjykata, prokuroria, certifikata mjekësore e Spitalit Ushtarak, dëftesa e shkollës, as dokumentacionet e tjera kualifikimesh të noterizuara nuk mundnin më ta pengonin. Vajza tashmë me kërkesën personale dhe dy fotografi (9x12) i ishte drejtuar vazhdimit të aplikimit dhe nënshtrimit të testimeve për të qenë ushtare profesioniste. Pas dorëzimit të dokumentacionit të plotë kandidatja plotësoi edhe formularin e aplikimit ku ishin të përfshira të gjitha të dhënat e saj si dhe pozicionet e punës ku ajo dëshironte të punonte. Vajza ishte në pritje të profilizimit si profesioniste në një nga profesionet ushtarake. Pasi dorëzoi formularin në datën e caktuar, ajo priste t’i nënshtrohej testimit fizik dhe psikologjik si dhe trajnimit për 5 javë stërvitjeje. Po ashtu ajo mendonte të niste dhe punë kundrejt rrogës shumë të dëshiruar.
Konstatimi
Gjatë shqyrtimit të mëpastajshëm të dokumentacionit të kandidates eprorët konstatuan se diçka nuk shkonte me moshën e saj. Nga verifikimet e mëtejshme u arrit në përfundimin se Sonila kishte falsifikuar certifikatën e saj personale e madje kishte ndryshuar moshën. Menjëherë drejtuesit e Batalionit të Policisë Ushtarake iu drejtuan Prokurorisë për denoncim. Madje pas shqyrtimit profesional hetuesit i dërguan materialet organit të Akuzës për konsumim të veprës penale të “Falsifikimit të akteve të gjendjes civile”, ndaj Sonila Reçi, 36 - vjeç, lindur dhe banuese në Tiranë. Kjo ndodhi sepse në ngarkim të saj ishte kryer një kallëzim, nga Batalioni i Policisë Ushtarake Tiranë, të cilët në kuadrin e verifikimeve të dokumentacionit të shtetasve që aplikojnë për t’u rekrutuar si Ushtar Profesionist në Batalionin e Policisë Ushtarake, ka paraqitur një certifikatë e cila dyshohet e falsifikuar (në vitlindjen e saj). Këtu përfundoi edhe aventura e vajzës për t’u bërë ushtare profesioniste, profesion ky aq i dashur për të. Ajo tashmë do të përballet me togat e zeza për konsumim të një vepre penale.
23 Korrik 2008