E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata jep vendimin për katër ushtarakët e akuzuar për trafik municionesh



TIRANË - Gjykata e Krimeve të Rënda ka shpallur dje vendimin për katër ish-punonjës të Ushtrisë, që një vit më parë u kapën duke transportuar me qëllim trafikimi 100 mijë fishekë pistolete. Në vendimin e saj gjykata ka vendosur sot të dënojë me 7 vite burg Mehdi Hasanin, me nga 5 vjet e 6 muaj burg Gramoz Bendon, Arif Matën e Pajtim Lamajn dhe me 5 vjet Nasi Strorin. Të pandehurit përfitojnë uljen e 1/3 të dënimit për shkak të procedurës së gjykimit të shkurtuar. Një seancë me parë Prokurori i Krimeve të Rënda, Anton Martini kërkoi 10 vjet burg për Arif Matën, ish -oficer në shtabin e brigadës 4460 në Pezë, 11 vjet burg për magazinierin e repartit të Beratit Gramoz Bendo, dhe nga 10 dhe 14 vjet burg për dy shoferët e repartit Pajtim Lama dhe Medi Hasani. Katër të pandehurit u ndaluan në fund të muajit mars të vitit të kaluar, në kuadër të operacionit të koduar “Cikloni”. Ata u kapën në rrugën nacionale Berat-Lushnjë, pas nëntë muajsh përgjimesh nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Sipas hetimeve, rezultoi se ngarkesa e fishekëve të kalibrit 7.62 milimetër ishte marrë në repartin e Mbreshtanit në Berat dhe po transportohej për në qytetin e Durrësit, ku do të shkëmbehej me pistoleta. Gjatë atij operacioni u deklaruan dhe disa persona të tjerë nën hetim për trafikun e municioneve, por në gjykim përfunduan vetëm katër të pandehurit e mësipërm.

11 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›