E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitja e kredive, ja grupet mashtruese që abuzojnë me bankat



Nga hetimet e fundit të zhvilluara nga policia për kreditë e këqija, është arritur në përfundimin se nëpër banka veprojnë disa grupe falsifikatorësh. Grupi i parë janë falsifikatorët, të cilët përmes abuzimeve shkresore sigurojnë dhe marrin kredi për persona të veçantë, kundrejt shumave të caktuar edhe pse ata nuk plotësojnë kriteret e caktuara të vëna nga bankat. Grupi i dytë janë kredimarrësit, të cilët në shumicën e rasteve nuk shlyejnë detyrimet financiare në ditën e caktuar, madje derdhja e kësteve në sportelet e bankave mund të vonohet edhe për disa muaj rresht. Grupi i tretë janë ata persona që paraqiten si biznesmenë, duke lënë peng kolaterale (garanci) të mëdha, por pas verifikimeve rezulton se ata nuk janë sipërmarrës. Madje nuk rezulton i vërtetë as objekti që ata kanë deklaruar se është në pronësinë e tyre, të cilin kanë lënë peng për kredinë. Ndërsa grupi i katërt janë punonjës të veçantë të bankave që kanë abuzuar me detyrën. Bëhet fjalë për oficerë kredish që kanë falsifikuar apo kanë abuzuar me detyrën e tyre, pasi janë ata që firmosin dhe japin miratimin për dhënien e një kredie nga bankat. Deri tani disa banka të nivelit të dytë kanë bërë denoncime në prokurori për persona të cilët nuk paguajnë kreditë. Për këtë arsye ka nisur hetimi i cili nuk përjashton as punonjësit e bankave që merren me kreditë. Por hetimet e prokurorisë më pas mund të pasohen edhe nga lëshime të urdhër-arresteve për punonjës të bankave, po kjo vetëm nëse ata kanë shpërdoruar detyrën apo kanë bërë falsifikime dokumentesh.

Regjistri i kredive, “inventari” i marrjes hua në banka

Gjatë tre muajve që është vënë në funksionim Regjistri i Kredive, janë regjistruar rreth 210 mijë kredimarrës. Tashmë të gjithë këta persona janë nën mbikëqyrjen e autoriteteve të Bankës së Shqipërisë. Sistemi i Regjistrit të Kredive e ka kapërcyer tashmë fazën e parë, atë të vënies në zbatim dhe tashmë po krijon historikun e të dhënave, mbi bazën e të cilit do të mbështeten analizat e mbikëqyrjes bankare. Ky është konkluzioni i dalë ditë më parë nga mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, i cili shqyrtoi ecurinë e Regjistrit të Kredive, si një zhvillim të rëndësishëm të infrastrukturës financiare në Shqipëri dhe një domosdoshmëri për nivelin aktual të zhvillimit të sistemit bankar. Sipas ecurisë së regjistrit, në tre muajt e fundit, mësohet se bankat raportojnë çdo ditë informacion mbi kreditë e reja që lëvrohen, kreditë e paguara dhe të fshira nga bilanci, ndërsa brenda 15-ditëshit të parë të muajit pasardhës, raportojnë përditësimin e të dhënave për gjendjen e portofolit të kredive bashkë me të klasifikimet e tyre përkatëse.

Të dënuarit për mashtrime me kreditë

Viti Personi Masa e Dënimit

2003 Dedë Gjonpali 8 muaj burg

2005 Bajram Mustafaj 12 vite burg
edhe për akuzën e falsifikimit
Qemal Barjamaj 1 vit burg

2007 Artan Karafili 1 vit burg
Ramazan Leka 400 mijë lekë gjobë
Bedri Dano 1 vit e 6 muaj burg

2008 Dritan Tomorri 1 vit burg
Arben Beqiri në proces gjykimi

11 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›