"Geotecna" dhe "Kinglor", sorollatje korridoreve të METE-s për Skavicën
Dy kompani të fuqishme investitorësh italianë vazhdojnë të sorollaten në zyrat e Ministrisë së Energjetikës, ndonëse prej vitesh, kanë ofruar një shifër të konsiderueshme investimi në sektorin energjetik shqiptar, tepër problematik për ekonominë vendit. Në një prononcim për gazetën, përfaqësuesit e këtyre dy subjekteve kanë shprehur gjithnjë gatishmërinë që të fillojnë punë menjëherë, sapo qeveria shqiptare të japë “OK”-in për ndërtimin e HEC-it të Skavicës. Në muajin maj 2005, qeveria shqiptare miratoi kërkesën për t'i dhënë koncesionin tip B.O.T. konsorciumit italian TGK për hidrocentralin e Skavicës, mbi lumin Drini i Zi. Projekti i koncorciumit TGK (ku përfshihen kompanitë e njohura italiane Geotecna dhe Kinglor), duhej të përbënte investimin më të madh të realizuar ndonjëherë nga kapitali i huaj privat në Shqipëri deri tani, me fondet e veta. Kostoja e projektit arrin në afro 600 milionë euro dhe do të përballohet tërësisht nga kompanitë italiane. Në prill 2007, u zhvillua një takim midis kryeministrit Sali Berisha dhe përfaqësuesve të investitorëve italianë, ku këta shprehën shqetësimin për vonesën, pa asnjë justifikim, ndonëse "Geotecna" kishte paraqitur një studim të plotë për hidrocentralin e Skavicës, si dhe projekt-idenë përkatëse, që ekonomizon terrenin. Gjithashtu, duke plotësuar edhe "meraqet" e qeverisë Berisha, me një zgjidhje origjinale; edhe pse me një liqen më të vogël, pa u shtrirë më në tokën maqedonase, jep të njëjtin rendiment, si me liqen më të madh, ruan mjedisin dhe merr në konsideratë veçoritë gjeologjike të tokës e zonës në përbërjen e materialeve të digës.
11 Qershor 2008