Kreditë e këqija, bankat në alarm prej klientëve “hajdutë”
Ervin Koçi
Bankat private në Shqipëri dhe Banka Qendrore kanë filluar të ndiejnë efektet e para negative të rritjes së madhe të kreditimit në tre vitet e fundit, të paralajmëruar kohë më parë nga ekspertët. Banka e Shqipërisë raportoi se kredia me probleme është dyfishuar në më pak se një vit, duke i dhënë të kuptojnë publikut, por edhe bankave private se duhen marrë masa. Sipas të dhënave më të fundit zyrtare të Autoritetit Qendror Monetar, kreditë e dyshimta arritën në 31.3 miliardë lekë në muajin mars të këtij viti, kundrejt 15.9 miliardë lekëve që ishin në prill të vitit të kaluar. Vetëm gjatë tre muajve të parë të këtij viti, kreditë me probleme u rritën me gati 8.1 miliardë lekë, ose e thënë ndryshe 100 milionë dollarë. Kreditë e dyshimta përbëjnë aktualisht më shumë se 10 për qind të totalit të kredisë në vendin tonë. Disa ekspertë kanë paralajmëruar se kreditë e këqija në vend do të rriten edhe më gjatë viteve në vazhdim, ndaj jo më kot Fondi Monetar Ndërkombëtar kërkoi nga qeveria të hartonte me urgjencë ligjin e ri për ekzekutimin e garancive bankare. Bumi i madh i marrjes së kredive ka sjellë edhe mjaftë probleme ku vetëm këtë vit pritet një numër i madh arrestimesh për kreditë e këqija. Ndërkohë që prej vitit 2003, kur ka nisur ky fenomen e deri sot, janë dënuar shtatë persona dhe është në proces gjykimi në Gjykatën e Tiranës edhe një person tjetër. Në hetim në organin e akuzës së kryeqytetit janë edhe disa persona të tjerë, emri i të cilëve nuk bëhet i ditur për shkak të sekretit hetimor. Por nëse do të shohim edhe dënimin që kanë marrë mashtruesit e kredive, maksimumi është një vit dhe minimumi është gjoba në lekë. Një nga të dënuarit, përveç akuzës së mashtrimit me kredi, ka mbi supe edhe atë të falsifikimit të dokumenteve.
Të dënuarit
Deri tani Gjykata e Tiranës ka dënuar vetëm shtatë presona, të cilët mbajnë mbi supe të njëjtën akuzë, atë të mashtrimit me marrjen e kredive. Por disa prej tyre kanë edhe një tjetër akuzë, atë të falsifikimit të dokumenteve për të përfituar kredi. Sipas burimeve nga gjykata, duke qenë se ata kanë marrë kredi të këqija, atëherë automatikisht kanë marrë apo kanë bërë dokumente të falsifikuara. Ndërkohë, që për nëntë muaj, policia e Tiranës me urdhër të prokurorisë ka bërë të mundur arrestimin e 12 personave për mashtrim me kredi.
Kreditë e këqija
Sipas ekspertëve të bankave, një kredi quhet e keqe atëherë kur personi apo subjekti që e ka tërhequr atë në bankë kthehet në një problem për shlyerjen e saj (nuk i shlyen interesat dhe këstet në kohën e duhur). Fillimisht nisin vonesat me ditë e më pas ato kthehen në vonesa javore e mujore. Në të tilla raste bankat detyrohen që t'i lajmërojnë me dhjetëra herë klientët, madje detyrohen që të vendosin edhe "gjoba" (kamatëvonesa), që i shtohen shumës mujore që duhet paguar në bazë të përqindjes së caktuar për kredi.
Kujdesi i bankave
Bankat duhet të kenë kujdes me dhënien e kredive, si dhe me "joshjen" e klientëve me ofertat e tyre. Shtimi i kredive mund të sjellë edhe shtimin e kredive me probleme, duke bllokuar kështu procesin normal të punës në banka. Shembuj të tillë ka pasur edhe në vendet me një ekonomi të stabilizuar si SHBA-të apo Britania e Madhe. Madje rritja e numrit të kredive të këqija do të sillte një impakt negativ në ekonominë në tërësi. Për cilësinë e kredisë dhe mundësitë reale të kredimarrësit, bankat dhe ndërmjetësit e tjerë financiarë duhet të interesohen më shumë se sa thjesht fitimet kolosale dhe me shpejtësi marramendëse. Për të shmangur deri në minimum shtimin e rasteve të kredive me probleme, Banka e Shqipërisë u ka nisur disa rekomandime të gjitha bankave të nivelit të dytë. Shkaku i parë që kreditë quhen me probleme, është fakti se në shumicën e rasteve ato tërhiqen në valutë. Kjo ndodh pasi norma e interesit të kredive është më e ulët se në lekë. Por ky shihet si një shqetësim nga BSH-ja, pasi edhe të ardhurat e qytetarëve janë në lekë. Një shqetësim tjetër është që, bankat tregtare në vend po zhvillojnë një strategji marketingu shumë agresive, duke reklamuar produktet e kredisë në monedhë të huaj. Kjo është pika e dytë e udhëzimit. Ndërkohë drejtuesit e bankave nuk duhet të nënvlerësojnë rrezikun e kursit të këmbimit. Udhëzim tjetër është që të krijojnë një fond rezervë, në rastet kur kreditë jepen në valutë, që të shmangin kreditë me probleme, por edhe të rrisin kapitalit kur shkelet një kufi i caktuar ndaj ekspozimit në monedhë të huaj.
11 Qershor 2008