Gjykata kundër gjykatës

Onkologu Agim Karaj kthehet në shtëpi nga e njëjta gjyqtare që tri ditë më parë vendosi arrestimin e tij nën akuzën e korrupsionit
TIRANË - Gjykata vendos të ndryshojë masën e sigurisë për shefin e Onkologjikut, të arrestuar tri ditë më parë nën akuzën e korrupsionit. Çudinë e radhës e ofron sërish Gjykata e Tiranës, që këtë herë nuk hezitoi t’i kundërvihet vetvetes. Madje, e njëjta gjyqtare që tri ditë më parë vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë për mjekun Agim Karaj, ditën e djeshme pa pritur ndryshoi vendimin e saj, duke dhënë një masë më të butë sigurie për kirurgun 57-vjeçar. Argumentimi i gjykatës për ndryshimin e papritur të masës së sigurisë ishte shumë i vakët, duke u përqendruar tek rrezikshmëria e ulët shoqërore apo dhe mungesa e arsyeve për t’u larguar nga vendi.
Sipas të dhënave zyrtare, rezulton se shefi i repartit të Onkologjisë në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, Agim Karaj, u arrestua, pasi gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës, Mariana Dedi, me kërkesë të prokurorisë vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë. Mësohet se në kërkesën për masën e sigurisë “arrest me burg” organi i akuzës kishte argumentuar se nga hetimi njëmujor i mjekut Agim Karaj, është arritur të provohet fakti se ka marrë shumën e 35 mijë lekëve për një operacion. Ky pretendim i organit të akuzës mbështetej në pamjet filmike dhe përgjimet e telefonit celular të mjekut të legjitimuar nga vetë gjykata. Pasi u bind, gjyqtarja Mariana Dedi vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë për mjekun 57-vjeçar, i cili u arrestua tri ditë më parë në sheshin “Skënderbej”, rreth orës 16:00.
Por situata u përmbys tërësisht ditën e djeshme, kur prokuroria paraqiti në gjykatë kërkesën për verifikimin e masës së sigurisë ndaj mjekut të arrestuar për korrupsion pasiv. E njëjta gjyqtare që tri ditë më parë firmosi “arrestin në burg”, ditën e djeshme dha masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Një vendim i tillë, sipas prokurorisë, u arsyetua me mungesën e rrezikshmërisë shoqërore që shfaq mjeku, si dhe mosplotësimin e provave nga ana e akuzës. Sipas prokurorisë, një vendimi i tillë nuk është arsyetuar në mënyrën e dukur, dhe për këtë arsye do të ankimohet në Gjykatën e Apelit Tiranë. Onkologu Agim Karaj u arrestua në kuadër të operacionit “Plaga e hapur”, të organizuar nga strukturat e Antikrimit Ekonomik në policinë e Tiranës. Pas arrestimit, policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale shumën e 40 mijë lekëve dhe 8000 eurove.
Ky është rasti i dytë që gjykata ndryshon masën e sigurisë për mjekët e arrestuar nën akuzën e korrupsionit. Vetëm pak ditë më parë, gjyqtari Martin Deda vendosi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për ish-shefin e Klinikës së Spitalit të Burgut në Tiranë. Ardian Nelaj, që u arrestua në flagrancë nga policia e kryeqytetit, teksa po u merrte para familjarëve të një pacienti që kishte operuar në qendrën spitalore “Nënë Tereza”. Pavarësisht arrestit në flagrancë, gjykata dha një masë të butë sigurie, ndërsa prokuroria vendosi ta apelojë çështjen.