Bode falënderon KE, harron KLSH

Ministri i Financave ka vlerësuar raportin e KE-së për luftën kundër korrupsionit dhe harron se gjatë qeverisjes së Berishës shqiptarëve u janë vjedhur 2.7 miliardë lekë të reja në formë korruptive
Ka mjaftuar një raport i Komisionit Evropian për progresin e Shqipërisë në kuadrin e Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit për vitin 2008, që ministri i Financave të marrë fjalën dhe të zgjerojë më tej raportin, duke nënvizuar të gjitha arritjet e Shqipërisë në fushën ekonomiko-financiare. Në fakt, në raport thuhet se niveli i korrupsionit është ulur, por ky fenomen mbetet përsëri mjaft problematik dhe mjaft i theksuar. Por, në fakt, fjalët e thëna dje nga ministri Bode i hedh poshtë në një farë mënyre edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili tregon se korrupsioni më i madh është në tenderë, ndërkohë që qeveria ka shkaktuar një dëm ekonomik në vlerën e rreth 2.7 miliardë lekëve. “Raporti i KE-së vlerëson aspektet ekonomike dhe zhvillimet në ekonominë shqiptare, financat publike, sistemin monetar dhe atë bankar, vlerësim që në tërësinë e tyre inkurajojnë më tej administratën dhe qeverinë për të intensifikuar reformat e deklaruara dhe për të zbatuar programet e ndërmarra”, tha dje në seancë plenare ministri Ridvan Bode. Sipas tij, në këtë raport evidentohet dukshëm progresi që ka bërë qeveria, duke u bazuar më tepër në administratën e fiskut. “Ne kemi përmirësuar dukshëm procedurat e procesit të tenderimit dhe kemi ulur në maksimum korrupsionin, fenomen ky i fundit që konsiderohej si fenomen mbizotërues gjatë viteve të kaluara”, theksoi Bode. “Fakti që qeveria shqiptare mundësoi të përmirësojë koeficientin e perceptimit të korrupsionit, sipas raportit të “Transparency International” me 0.7 pikë, duke qenë edhe vendi me progresin më të madh në të gjithë Evropën Juglindore dhe Ballkanin Perëndimor, përbën elementin më të dukshëm të angazhimit të qeverisë”, vuri në dukje ministri.
Kriza financiare
Por nuk mjafton me kaq, pasi Bode u ndal më tej edhe te kriza financiare globale, e cila nga vendi ynë u kapërcye lehtë dhe pa rreziqe, falë vlerës së ulët të kreditimeve nga ana e sistemit bankar. “Në raportin e KE-së vlerësohet kapërcimi i këtyre aspekteve të krizës dhe thuhet se kjo krizë nuk mund të çojë në ngadalësim të ekonomisë, kjo për shkak se niveli i kreditimit prej 30 për qindësh është i arsyeshëm dhe në përputhje me nevojat që ka ekonomia e vendit tonë dhe se kapitalizimi i kompanive është i mirërregulluar”, përfundoi ministri Bode.
Korrupsion dhe shkelje nga qeveria “Berisha”
Edhe pse KE-ja vlerësoi punën e qeverisë lidhur me uljen e korrupsionit, duket se në këtë kuadër qeveria Berisha nuk ka bërë përmirësime, pasi shkeljet janë të mëdha dhe lidhen kryesisht me tenderimet, proces ku edhe ka rezultuar korrupsion në nivel të lartë në vlerën e afro 700 milionë lekëve. Por nuk mjafton me kaq, pasi Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar një dëm fiskal ekonomik nga viti 2005 e deri tani në vlerën totale të më shumë se 2.7 miliardë lekëve, ku sektori i parë problematik për paaftësi dhe korrupsion renditen Tatim-Taksat, të ndjekura nga prokurimet e ndryshme dhe skandalet financiare me karakter korruptiv në degët e ndryshme doganore të vendit.