Niviciotët bllokojnë rrugën

Pasi kanë humbur të gjitha betejat ligjore për pronësinë e gjirit të Kakomesë, banorët e fshatit Nivicë në rrethin e Sarandës i janë rikthyer rrugës së ashpër. Dje pasdite, rreth 300 banorë të këtij fshati kanë bllokuar rrugën që të çon në gjirin e Kakomesë, duke mos lejuar makineritë e firmës që do të ndërtojë fshatin turistik, të kalojnë aty. Banorët e irrituar nga urdhri i qeverisë për rinisjen e punimeve për ndërtimin e fshatit turistik nga firma “Riviera”, kanë nisur protestat e tyre, duke qëndruar deri në orët e vona të natës në rrugë. Ata kishin ndezur zjarre dhe ishin përgatitur për t’u gdhirë aty, në përpjekje për të mos lejuar asnjë makineri të kalonte në drejtim të Kakomesë. “Kemi lënë në shtëpi vetëm fëmijët dhe nga një person për familje, që të kujdesen për bagëtitë. Të gjithë të tjerët jemi këtu, për të mbrojtur tokën tonë”, u shpreh për “Korrieri”, Aristidh Baxheri, njëri prej protestuesve.
Në vendngjarje ndodhej edhe kryetari i komunës, Vladimir Kumi, i cili duket se ka pasur një rol organizatori në këtë protestë. Prania e forcave të rendit nga Saranda përmblidhej në një furgon policie, i cili sipas burimeve të informacionit qëndronte në një distancë të caktuar dhe nuk kishte pothuajse fare kontakt me protestuesit. Asnjë incident domethënës nuk ishte raportuar deri në orët e vona të mbrëmjes. Ndërkaq, pesë makineri të tonazhit të rëndë, si vinça, ekskavatorë dhe kamionë qëndronin të bllokuar nga prania e fshatarëve dhe nuk kishin asnjë mundësi për të lëvizur. Përplasja për gjirin e Kakomesë nisi rreth 4 vjet më parë, kur qeveria e Fatos Nanos i dha leje ndërtimi firmës “Riviera”, që përfaqësonte interesat e kompanisë franceze “Club Med”, për të ndërtuar një fshat turistik në këtë zonë. Banorët e fshatit Nivicë, të cilët pretendojnë pronësinë e tokës së këtij gjiri, u ngritën në protesta të ashpra, madje edhe duke u përplasur me policinë. Kryeministri aktual, Sali Berisha, në atë kohë në pozicionin e shefit të opozitës i përkrahu fort niviciotët, duke iu premtuar se pas ndryshimit të pushtetit, Kakomeja do t’iu kthehej atyre. Në fillim të vitit 2006 banorët e Nivicës e përkujtuan “qëndresën” ndaj forcave të rendit, duke ngritur edhe një memorial, në përurimin e të cilit merrte pjesë edhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë Republikane, Arjan Madhi. Por dy vjet më pas, gjërat duket se kanë ndryshuar në disfavor të niviciotëve. Komisionet e Kthimit të Pronave si në Vlorë, ashtu dhe në Tiranë nuk e kanë njohur pronësinë e niviciotëve dhe tani, së fundi, qeveria i ka hapur rrugë rifillimit të punimeve për fshatin turistik të “Club Med”, çka duket se i ka ndezur sërish gjakrat dhe ka ngritur në protestë niviciotët.