E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronarë të ish-Kënetës refuzojnë tapitë

Nga Artur Korriku
Agjencia e këtij qyteti njoftoi disa ditë më parë, se rreth 1000 aplikantë mund të nisnin procedurat e legalizimit të banesave të tyre. Hezitimi i banorëve ka të bëjë me fushatën elektorale të vitit të ardhshëm 

DURRES -Banorët e ish- Kënetës nuk i janë përgjigjur thirrjes së ALUIZNI-t për të ligjëruar banesat e ndërtuara pa leje. Agjencia e këtij qyteti njoftoi disa ditë më parë, se rreth 1000 aplikantë mund të nisnin procedurat e legalizimit të banesave të tyre pasi dosjet tashmë ishin të gatshme dhe Këshilli i Ministrave kishte dhënë aprovimin. Banorët duhet të shlyejnë detyrimet financiare që të marrin certifikatën hipotekore të pronësisë. Hezitimi i banorëve për të mbyllur këtë proces ka të bëjë me fushatën elektorale të vitit të ardhshëm. Ata besojnë se qeveria do ta ulë në minimum vlerën e tokës mbi të cilën ata janë vendosur dhe kështu do të mund t'i privatizojnë banesat lirë.
PROCESI
Në degën e ALUIZNI-t në Durrës, sqarojnë se banorët e disa blloqeve të ish-Kënetës, emrat e të cilëve janë bërë të njohur në disa gazeta kombëtare, nuk janë paraqitur për të legalizuar banesat e tyre. Veç kësaj, atyre u janë dërguar njoftime edhe nëpër shtëpi, por përsëri ata nuk janë ndjerë dhe nuk i janë përgjigjur thirrjes. Andi Lila, kreu i ALUIZNI-t dega e Durrësit, thotë se "agjencia jonë vazhdon të punojë me ritëm të lartë dhe pas pak ditësh numri i dosjeve të gatshme për legalizim do të arrijë në 2200". Në zonën e ish-Kënetës janë ndërtuar 10 mijë shtëpi pa leje. Pothuajse të gjithë pronarët e tyre kanë aplikuar për legalizimin e banesave të ndërtuara pa leje.
VLERA
Në ligjin e Legalizimeve, të miratuar nga Parlamenti Shqiptar janë përcaktuar edhe vlerat e trojeve në vartësi të vendndodhjeve të tyre. Zona e ish-Kënetës është pjesë e qytetit të Durrësit dhe përbën Rajonin nr 6. Si pjesë e qytetit të Durrësit, ligji ka përcaktuar edhe vlerat e trojeve të në ish-Kënetë. Këto vlera janë konceptuar në raport me sipërfaqet e ndërtimeve. Kështu, për një banesë me sipërfaqe deri 300 m2 të paguhet vlera e 400 mijë lekëve. Ndërsa për banesat me sipërfaqe mbi 300 m2, për pjesën mbi këtë limit vlera do të llogaritet me çmimin që ofron tregu i trojeve në Durrës. Vlerës së truallit i shtohet edhe tarifa e shërbimit prej 4 mijë lekësh.
HEZITIMI
Banorët e zonës së ish-Kënetës hezitojnë të paraqiten pranë bankave e të shlyejnë detyrimet e përcaktuara nga ligji, pasi ende kanë besim se në prag të fushatës elektorale mund të ndodhë ndonjë mrekulli e qeveria të vendosë që vlera e tokës të llogaritet me 200 lekë m2, aq sa ishte në fillim të viteve '90.
Në Agjencinë e Durrësit janë munduar që t'i sqarojnë këta banorë se mendimi i tyre është i pa realizueshëm, pasi ligji ka kohë që është miratuar, por banorët e rinj të Durrësit ende vazhdojnë të hezitojnë për të legalizuar shtëpitë e tyre.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›