E Diel, 1 Nëntor 2026

Pa pendesë

16-vjeçari u shfaq i bindur përpara policisë për krimin që kishte kryer

TIRANË - “Më binte në qafë kot. Më rrihte dhe më keqtrajtonte prej kohësh. Nuk munda të duroj dot më”. Pa asnjë shenje pendese është shfaqur E. Lika, pak orë pasi kishte vrarë me disa plumba kallashi të atin. 16-vjeçari ka qenë i bindur për atë që kishte bërë, teksa qëndronte i ulur përballë agjentëve që po e merrnin në pyetje. Madje, krejt i ftohtë dhe i qetë ka justifikuar çdo veprim të tij, edhe atë makabrin gjatë të cilit i mori jetën personit që i kishte dhënë emrin. Më tepër i lodhur, sesa i prekur nga gjithë ajo ç’kishte ngjarë, minoreni, ndaj të cilit rëndon tashmë akuza e rëndë e “vrasjes me dashje”, ka dhënë deklaratat e tij për disa minuta.

Vrasja

Ende pa u zbehur mirë ngjarja, në të cilën djali vrau të ëmën për lekët e drogës, një tjetër prind bie viktimë e “maniakërisë” së fëmijës së tij. Por në ndryshim nga precedenti i mëparshëm, kësaj here autori nuk ka qenë as narkoman e as i çmendur. Është thjesht një 16-vjeçar nga Zall-Bastar i Tiranës, i cili ka vrarë me kallash të atin 50-vjeçar, me pretendimin se e keqtrajtonte dhe i binte kot në qafë. Rreth orëve të vona të mbrëmjes së djeshme, efektivë të Komisariatit Nr. 4 të kryeqytetit morën njoftimin se në një banesë në fshatin Mal-Mner të komunës së Zall-Bastarit është gjetur i vdekur në banesën e 72-vjeçari Mehmet Lika. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar forcat policore të këtij komisariati dhe specialistë të Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit. Sipas burimeve të policisë, fillimisht u dyshua për vetëvrasje. Por pas disa orësh hetime u arrestua i biri 16-vjeçar i viktimës, E. Lika. Paraprakisht dyshohet se shkak mes tyre kanë qenë grindjet e vazhdueshme në lidhje me faktin se djali duhej të punonte e të kontribuonte në familje.

Deklarata  

Pasi janë vënë në dijeni për grindjen të disa orëve përpara ngjarjes, specialistët kanë nisur verifikimin e dyshimeve se 72-vjeçari mund të ishte vrarë nga i biri. E pasi të gjitha provat të çonin drejt tij, rreth orëve të para të mëngjesit të djeshëm i janë vënë prangat të riut. Pasi është shoqëruar për në ambientet e drejtorisë së policisë së kryeqytetit, E. Lika ka nisur të sqarojë dhe të gjitha arsyet që e çuan drejt ekzekutimit të të atit. Sipas të njëjtit burim policor u bë e ditur se ai ka qenë i lodhur nga keqtrajtimet e të atit, i cili e dhunonte fizikisht dhe psikologjikisht, derisa grindjeve të tyre u ka ardhur fundi nga të shtënat e kallashit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›