Gjykata lë në burg 3 gjermanët e 2 shqiptarët
TIRANE- Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë lë në burg pa afat 3 gjermanët dhe dy shqiptarët e kapur për trafikimin e 40 kilogramëve heroinë nga Shqipëria për në Greqi dhe me destinacion Gjermaninë. Togat e zeza të Krimeve të Rënda vlerësuan të vlefshme arrestimet e kryera nga Antikrimi i Organizuar i Policisë dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, duke vendosur masën e arrestit burg pa afat për dy shqiptarët Zaim Tafa dhe Albert Pëllumbaj si dhe për tre gjermanët: bashkëshortët Franc e Regina Kiacsek, 46 dhe 43 vjeç, si edhe për bashkëkombësin e tyre, Daniel Englert, 48 vjeç. Operacioni i përbashkët i Prokurorisë së Krimeve të Rëndë dhe Antikrimit të Organizuar të Policisë u krye në orën 15:00 të së shtunës. Çifti Kiacsek u kap në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës me 80 pako me heroinë të fshehura në një vend sekret, në prapakolpin e makinës së tyre. Çifti me origjinë rumune dhe nënshtetësi e pasaportë gjermane ishte nisur në drejtim të Greqisë. Në të njëjtën kohë, dy grupe të tjera të skuadrës së operacioneve speciale kanë arrestuar në lokalin "Kështjella", në vendin e quajtur "Kthesa e Patosit", në rrugën nacionale Fier-Ballsh, pronarin Zaim Tafa dhe mikun e tij, Albert Pëllumbi, si personat që u kishin shitur heroinën çiftit Kiacsek. Ndërsa në Rinas, arrestohet teksa ikte për në Gjermani, Daniel Englert, porositës i lëndës narkotike. Në fakt, ka qenë një informacion i ardhur nga autoritetet gjermane, ato që vunë në lëvizje strukturat e hetimit të krimit të organizuar në Shqipëri. Burimet policore thanë pas arrestimit, se u janë dashur 2 muaj përgjime dhe survejime të pronarit të lokalit "Kështjella", i dyshuar për aktivitetin e hershëm të tij në fushën e drogës, që zbuluan rrjetin shqiptaro-gjerman të heroinës.
(s.g/BalkanWeb)