E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata lë në fuqi “burg pa afat” për Rezart Tacin

TIRANE-Gjykata e Shkallës së Parë la në fuqi vendimin e mëparshëm “burg pa afat” për Presidentin e kompanisë se naftes "Taçi Oil", Rezart Taçi.
Prokurorët deklaruan në seancën e zhvilluar sot paradite se “nuk ka ndryshuar asnjë rrethanë për Rezart Tacin”. I pandehuri nuk ishte prezent në seancën e sotme, por u përfaqësua nga avokatët e tij.
Avokatët e bosit të kompanisë "Taçi Oil", Rezart Taçi, i cili ndodhet prej dhjetë ditësh në qeli si i akuzuar për dhunën ndaj gazetarit Mero Baze, i kërkuan Gjykatës së Shkallës së Parë revokim të masës së arrestit “burg pa afat”, në një masë më të lehtë. Avokati Maks Haxhiaj ofroi 50 mijë euro garanci, por pa mundur të binde gjyqtaren Fahrie Budo. Gjyqtarja vendosi të lërë në fuqi vendimin e mëparshëm për Tacin, “burg pa afat”.
Avokatët u shprehën se do të apelojnë vendimin dhe seanca e ardhshme për Tacin pritet të mbahet më 19 Nëntor dhe do të zhvendoset në Gjykatën e Apelit.
Presidenti i kompanisë “Taci Oil”, Rezart Taci u prangos pasi u denoncua nga gazetari Mero Baze, për dhunën e ushtruar ndaj tij në orët e vona të mbrëmjes së 2 Nëntorit në një lokal në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.
Arrest me burg janë dhe dy truprojet e tij, që u përfshinë në sherr, Blerad Liro dhe Yrgen Selfo. Vetë Taci pretendon se është I pafajshëm dhe se nuk e ka goditur fizikisht gazetarin Baze.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›