Gjykata liron të kërkuarin për trafik droge, i shpëton ekstradimit
Tiranë Drejtësia shqiptare i shton një tjetër skandal listës së gjatë të “gafave” të pandëshkuara të gjykatave shqiptare. Një i kërkuar nga autoritetet italiane ka mundur t’i shpëtojë ekstradimit, pavarësisht vendimit të gjykatës që lejonte dërgimin e tij në Itali për t’iu nënshtruar hetimeve dhe procesit gjyqësor si i dyshuar për trafik narkotikësh. Pas Gjykatës së Apelit Tiranë dhe shkallës së parë, këtë radhë protagoniste është bërë Gjykata e Lezhës, e cila liroi pa caktuar asnjë masë sigurimit 25-vjeçarin Eraldo Markaj. Por pas vendimit për ekstradimin e tij në Itali, policia nuk ka mundur të gjejë të kërkuarin, i cili dyshohet se është larguar nëpërmjet aeroportit të Rinasit, pasi ndaj tij nuk kishte asnjë masë sigurimi qoftë edhe të përkohshme, të vendosur nga gjykata. Vendimi për ekstradimin e 25-vjeçarit është dhënë më 22 shtator nga Gjykata e Lezhës, por prej më shumë se 10 ditësh, policia nuk ka bërë të mundur gjetjen e vendndodhjes së tij.
Ratifikimi i marrëveshjes së ekstradimit me palën italiane në fillim të këtij muaji vuri në lëvizje autoritetet policore, të cilat arritën të prangosin një numër të madh personash që kërkohen në Itali për krime të ndryshme. Mes të arrestuarve ishte edhe Eraldo Markaj, i kërkuar për trafik dhe shpërndarje kokaine në Itali përgjatë vitit 2009. Në bazë të kërkesës së autoriteteve italiane për arrestimin e shtetasit Eraldo Markaj, policia shqiptare bën të mundur ndalimin e të kërkuarit më datë 8 shtator të këtij viti. Prokuroria, në bazë të dokumentacionit të ardhur nga autoritetet italiane, kërkon në Gjykatën e Lezhës caktimin e masës shtrënguese të sigurisë “arrest me burg” ndaj 25-vjeçarit, masë kjo që ishte dhënë edhe nga Gjykata e Vareses në Itali. Gjykatësja Elena Cerioti kishte miratuar kërkesën e prokurorisë për mbajtjen në paraburgim të 25-vjeçarit, i cili dyshohej se në periudha të ndryshme përgjatë vitit 2009 ishte marrë me aktivitetin e paligjshëm të tregtimit të narkotikëve. Duke qenë se i dyshuari nuk është gjetur në adresën e tij zyrtare në qytetin e Vareses, materialet i janë dërguar avokatit të tij, ndërsa është marrë kontakt me autoritetet shqiptare për arrestimin e të kërkuarit. Policia ka mundur ta ndalojë atë, ndërsa prokuroria kërkoi masën shtrënguese të sigurisë “arrest me burg” deri në miratimin e ekstradimit nga ana e gjykatës. Pikërisht këtu fillon edhe skandali i Gjykatës së Lezhës, e cila cilëson të paligjshëm arrestimin e 25-vjeçarit Eraldo Markaj, duke mos caktuar ndaj tij asnjë masë sigurimi, qoftë edhe bllokimin e pasaportës, për sa kohë pritet të zhvillohej një proces gjyqësor për ekstradimin ose jo drejt Italisë. Cilësimi i paligjshëm i arrestit përmendet edhe në vendimin e datës 22 shtator, ku një gjykatës i Gjykatës së Lezhës ka urdhëruar ekstradimin e Markajt në Itali. “Në lidhje me arrestin dhe masën e sigurimit ndaj Eraldo Markajt, gjykata është shprehur me vendim në seancën e datës 10 shtator 2011, duke i vlerësuar jo të drejtë”,- thuhet në vendimin që miraton ekstradimin e të kërkuarit nga drejtësia italiane. Vetëm pak ditë më pas, prokuroria depoziton në gjykatë kërkesën për ekstradim dhe materialet e tjera të dosjes në ngarkim të 25-vjeçarit. Në nisje të këtij procesi gjyqësor, i pranishëm në sallën e gjyqit ka qenë edhe vetë Markaj, i cili sipas vendimit, ka dhënë miratimin për t’u ekstraduar pa vendosur asnjë kusht. “Në përfundim të gjykimit, prokurori kërkoi pranimin e kërkesës. Mbrojtësi dhe i gjykuari Eraldo Markaj kërkuan pranimin e kërkesës së prokurorisë dhe ekstradimin drejt Italisë”, - thuhet në vendimin e gjykatës që lejon ekstradimin e Markajt drejt Italisë. Por pas shpalljes së këtij vendimi, policia është vënë në kërkim të të dyshuarit, por ai nuk është gjendur në banesën e tij. Nga kërkimet e kryera rezulton se 25-vjeçari Eraldo Markaj nuk gjendet në Shqipëri, çka lë dyshime për një largim të mundshëm të tij nga territori i vendit.
Markaj në gjykatë: Më ekstradoni
Një tjetër detaj i skandalit të drejtësisë me rastin “Markaj” është edhe prania e të kërkuarit në procesin gjyqësor që po zhvillohej ndaj tij me qëllim ekstradimin ose jo drejt Italisë. Sipas vendimit të Gjykatës së Lezhës rezulton se Markaj jo vetëm që ka qenë i pranishëm në seancat gjyqësore, por ka dhënë miratimin për t’u ekstraduar. Gjatë kërkesave përfundimtare të palëve, i kërkuari nga drejtësia italiane dhe avokati i tij kanë pranuar ekstradimin dhe, siç shprehet gjykata në vendim, pa caktuar asnjë kusht paraprak për kryerjen e ekstradimit. Me t’u shpallur vendimi, policia ka shkuar në banesën e 25-vjeçarit, por pa mundur ta gjejë atë. Policia është vënë në alarm, duke ushtruar kontrolle në vende ku dyshohej se mund të qëndronte 25-vjeçari, por deri ditën e djeshme nuk është bërë e mundur gjetja e tij. Policia dhe prokuroria dyshojnë se i kërkuari nga drejtësia italiane mund të jetë larguar nëpërmjet aeroportit të Rinasit, pasi gjykata shqiptare nuk kishte caktuar asnjë masë sigurimi me karakter shtrëngues ndaj tij.