E Diel, 1 Nëntor 2026

Prefekti i Elbasanit: Humbja e Bashkisë, ata që rekomanduan Hushin nuk njihnin qytetin

Delialisi: Sipas mendimit tim, por jo vetëm, shkaku i humbjes ishte dhe përzgjedhja e kandidatit. Përpjekjet për “transplantimin” e tij në të djathtë të politikës, dështuan

Në një intervistë dhënë për MAPO-n, prefekti i Elbasanit, Shefqet Delialisi flet për herë të parë për rezultatin e zgjedhjeve të 8 majit në qarkun e Elbasanit, arsyet e humbjes së kandidatit të mazhorancës në Bashkinë e Elbasanit, deklarimet e Qazim Sejdinit, koalicionin e djathtë dhe strukturat e PD-së, për zgjedhjet e 2013-ës në këtë qark.

Pas përfundimit të zgjedhjeve vendore, cili është perceptimi juaj për Qarkun e Elbasanit?

Zgjedhjet vendore përfunduan. Duke u nisur nga rezultatet në rang prefekture: U fituan 5 nga 7 bashkitë (më parë kishim vetëm Bashkinë e Peqinit dhe Gramshit, ndërsa sot kemi bashkitë: Peqinin, Cërrikun, Librazhdin, Belshin dhe Prrenjasin; u fituan 30 komuna (përkundrejt vetëm 19 të fituara nga kundërshtari), pra një fitore të konsiderueshme. Jemi zgjeruar dukshëm si koalicion. Kemi bërë një hap të sigurt për fitimin e zgjedhjeve të vitit 2013.

Por keni humbur Bashkinë kryesore, atë të Elbasanit...

Humb diçka kur e ke pasur më parë. Ne nuk e kishim Bashkinë e Elbasanit. Më e saktë pyetja do të ishte: Nuk arritëm ta fitonim? Por unë nuk do të shmangem. Është e vërtetë që Bashkia e Elbasanit u rifitua nga kundërshtari politik, madje me një rezultat mjaft të thellë, me rreth 8 mijë vota. Ndërkohë që ndeshja e Elbasanit, edhe pa ndihmën e LSI-së, në asnjë rast nuk e ka kaluar diferencën e 500-600 votave. Sigurisht që kjo kërkon një analizë të thellë. Gjithsesi, kemi fituar shumicën në këshillin bashkiak. Pra kemi fituar ‘parlamentin’ e Elbasanit, dhe kjo është e rëndësishme. Sovrani me votën e tij ka vendosur që ne ta bashkëqeverisim qytetin. Të bashkëpunojmë dhe të kontrollojmë njëri- tjetrin. Të gjitha vendimet e rëndësishme të merren me konsensus. Kjo është pozitive për qytetin. Ndërsa në rang qarku kemi siguruar një fitore të thellë, duke shtruar rrugën për një fitore në zgjedhjet e ardhshme të 2013-ës.

Le të qëndrojmë tek Bashkia Elbasan. PD dhe aleatët e humbën thellë Bashkinë, megjithëse kandidati ishte i LSI-së. Vetë LSI-ja ka deklaruar se në këtë rast nuk funksionoi koalicioni. A e mbështeti PD-ja Durim Hushin?

Fillimisht dua të theksoj konsideratën që kam për aftësitë e Z. Hushi në drejtimin intelektual dhe administrativ. Sipas mendimit tim, por jo vetëm, shkaku i humbjes ishte dhe përzgjedhja e kandidatit. Përpjekjet për “transplantimin” e tij në të djathtë të politikës dështuan. Duket, ndikuan konfrontimet që zoti Hushi kishte pasur në të kaluarën me të djathtën në qytet, e cila nuk i tejkaloi dot emocionet negative.

Nga ana tjetër nuk mund të nënvlerësoj faktin se, edhe veprimi i lavdërueshëm i Z. Hushi, votimi i presidentit, argumenti që ne e përdorëm për afrimin e tij me strukturat e PD-së, u sfumua nga kundërvënia e një ish-deputeti socialist, i cili kish dhënë të njëjtin kontribut në zgjedhjen e presidentit. Në mënyrë demonstrative ai kaloi në mbështetje aktive të PS-së, duke e vendosur veten në krye të listës së PS-së për këshillin bashkiak.

Sipas mendimit tim, ata që ia kanë rekomanduar zotit Meta dhe zotit Berisha, nuk e kanë njohur mirë situatën në qytet.

Çfarë mund të thoni për strukturat e PD-së në Prefekturën e Elbasanit dhe më gjerë ?

Sipas mendimit tim, në qytetet e mëdha ku PD-ja nuk fitoi, strukturat bazale të PD-së nuk ishin në lartësinë e duhur. Kjo, për shumë arsye. Njëra prej të cilave, përzgjedhja jo e mirë e njerëzve të duhur si drejtues në këto strukturat kapilare. Flas në drejtim të nivelit intelektual dhe të reputacionit. Në ndonjë rast, ato janë bërë shkak për mbylljen e PD-së, mbajtjen larg të njerëzve me vlera, që përgjithësisht anojnë në krahun e djathtë.

Nga ana tjetër, kjo bën që të penetrojnë në drejtimin e institucioneve njerëz të papërshtatshëm, duke ndikuar në reputacionin e forcës politike në sytë e qytetit.

Me pak fjalë është ulur shumë “steka”. Çdokush mund të bëhet kryetar apo sekretar seksioni, çdokush mund të bëhet drejtor. Përzgjedhja mbi kritere të përcaktuara nuk funksionon si duhet.

Ekziston një mendim se, shkak ishte dhe mungesa e një lufte më të ashpër e frontale ndaj Bashkisë . Mendimi juaj ?

Disa përpiqen ta justifikojnë humbjen nga mungesa e opozitës së duhur, me të cilën kuptojnë luftën penguese dhe bllokuese të Bashkisë nga këshilli bashkiak, prefektura, deputetët, PD-ja etj. Por, fakti tregoi se edhe në qytete si Durrësi e Korça, ku kjo luftë ishte e ashpër dhe bllokuese, ndonëse kandidatët ishin të PD-së, madje me funksione tepër të rëndësishme shtetërore (prefekt, ministër) dhe me mbështetje në të gjitha drejtimet, kjo politikë nuk funksionoi. Aq më pak një politikë e tillë do të funksiononte në Elbasan, ku praktika ka treguar se lufta e ashpër politike, konflikti nuk tolerohen, dhe gjithnjë kur është aplikuar është kthyer në boomerang.

Bisedoi Fatos Salliu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›