E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata në veri, sikurse të tjerat në Kosovë

Pavarësisht insistimit të Beogradit zyrtar që në mënyrë “klandestine” të futen gjyqtarët dhe prokurorët në gjykatën në veri të Kosovës, Prishtina zyrtare këmbëngul që sistemi gjyqësor në atë pjesë të Kosovës do të funksionojë konform me ligjet që aplikohen për të gjitha gjykatat në Kosovë.Madje zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, zotohet se edhe rekrutimi i gjykatësve e prokurorëve që do të punojnë në veri të Kosovës, do të përzgjidhen dhe rekrutohen nga institucionet vendëse të drejtësisë dhe atë pas rishikimit e vlerësimit të kandidatëve potencialë.

Tahiri e cila të hënën do të udhëtojë sërish drejt Brukselit me qëllim të arritjes së një gjuhe të përbashkët me palën serbe për detajet e planit për zbatimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, thotë se diskutimet rreth çështjes së gjyqësorit do të vazhdojnë edhe gjatë kësaj jave. Por ajo që, sipas Tahirit, tashmë dihet është se gjykatat paralele në veri të Mitrovicës do të nisin të shuhen në pjesën e dytë të qershorit, ndërsa më 1 shtator do të bëhet zhbërja e tërësishme e gjykatës paralele.

“Ka pasur kundërshtime nga pala serbe kur kemi diskutuar për procedurat e rekrutimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve por këto kundërshtime kanë mbetur vetëm fjalë dhe si të tilla janë zhdukur që nga 19 prilli kur edhe është arritur marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve mes të dyja vendeve”, ka thënë të dielën zëvendëskryeministrja Tahiri.

Për t’u realizuar sa më shpejt zhbërja e strukturave paralele dhe me këtë edhe e gjykatës së instaluar atje nga serbët, në shenjë pakënaqësie ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës në 2008-n, Tahiri thotë se pala kosovare është duke insistuar që sa më shpejt të ndalen pagesat që vijnë nga Serbia për punonjësit në veri të Kosovës.

Pavarësisht se sa kohë mund të marrë zhbërja e strukturave paralele dhe me këtë edhe e gjykatave, deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, thotë se aktualisht është një dinamikë kohore e paraparë për zbatimin e marrëveshjes dhe bashkë me Bashkimin Evropian dhe misionin EULEX e cila, sipas tij, duhet të jetësohet patjetër.

“Është vështirë të parashikohet nëse do të ketë vonesa apo jo, por është lehtë të parashikohet rëndësia e madhe për zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Prandaj nuk ka zgjidhje tjetër pos shuarjes së këtyre strukturave ilegale dhe konsolidimit të strukturave sipas ligjeve të Kosovës”, shfaq bindjen e tij deputeti Ramadani.

Por Lëvizja “Vetëvendosje” e cila që nga fillimi ka kundërshtuar bisedimet e Kosovës me Serbinë, vazhdon të mbajë qëndrim skeptik në lidhje me atë nëse do të ketë zhbërje të strukturave paralele në veri të vendit. Aq më tepër, sipas deputetes Albulena Haxhiu, nuk mund të pritet që Serbia vetvetiu do të bëjë largimin e strukturave paralele nga veriu i Kosovës. “Të mendosh dhe besosh që strukturat paralele përkatësisht gjykatat paralele do të zhbëhen më 1 shtator dhe se Serbia vetvetiu do t’i shuajë strukturat e saj paralele dhe të paligjshme në Kosovë nuk është asgjë tjetër veçse maskim i pamundësisë dhe mosgatishmërisë së Qeverisë për veprim konkret drejt shpërbërjes së këtyre strukturave antikushtetuese dhe të paligjshme në Kosovë”, thotë Haxhiu.

Ndryshe, gjykata e rregullt në veri të Kosovës nuk ka funksionuar që nga 17 shkurti i vitit 2008. Lëndët dhe vetë objekti qenë demoluar në këtë datë në shenjë të pakënaqësive të shfaqura nga serbët e atjeshëm për shkak se në atë ditë Kosova e ka shpallur pavarësinë. Për më shumë se pesë vite janë mbajtur diskutime të ndryshme e përpjekje nga institucione të ndryshme por në fund, çështja e gjykatave ka mbetur temë në tavolinën e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Gjykatësit dhe prokurorët shqiptarë ndërkaq dikur kanë punuar në objektin e gjykatës në veri, tash e më se pesë vite gjenden me lokacion në qytetin e Vushtrrisë prej nga mëtojnë të përfundojnë lëndët që kanë të bëjnë me regjionin e Mitrovicës./Inderksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›