Prokuroria: 4.3 vjet burg për Shkëlzen Madanin
Prokuroria e Tiranës kërkon 4.3 vjet burg për Shkëlzen Madanin, ish-zyrtar i lartë në Ministrinë e Mbrojtjes, i cili ka kryer parregullsi në prodhimin, administrimin dhe kontrollin e lëndëve plasëse që përdoreshin nga firmat që ndërtojnë autostradën Durrës-Kukës. Madani, që është i pandehur edhe në procesin gjyqësor të "Gërdecit", akuzohet për korrupsion pasiv dhe falsifikim të dokumenteve. Gjithashtu, prokuroria ka kërkuar për Ferdinand Hodon 2 vjet burg dhe 1 milion lekë gjobë, nën akuzën e korrupsionit aktiv dhe për Aurela Çotën, që akuzohet për moskallëzim krimi, është kërkuar dënimi me 1.6 vjet burg. Prokuroria e Tiranës regjistroi dosjen në bazë të materialeve të paraqitura nga Policia e Shtetit. Objekti i këtij procedimi ishin parregullsitë e konstatuara për lëndët plasëse që po përdoren nga shoqëritë operuese në ndërtimin e autostradës Durrës-Kukës-Morinë, segmenti Rrëshen-Thirrë, si dhe mënyra e pajisjes së tyre me lejet përkatëse. Sipas prokurorisë, lejet janë dhënë nga Komisioni i Dhënies së Lejeve të Lëndëve Plasëse për Përdorim Civil, në Ministrinë e Mbrojtjes, i cili drejtohej nga shtetasi Shkëlzen Madani.