Zgjedhja e Presidentit, Berisha: Rama kërkon të bëhet vetë kur të jetë në rrezik! Do dëshmoj nëse thirrem nga SPAK për hetimet e CEZ-DIA

Zgjedhja e presidentit të ri është në qendër të vëmendjes së politikës, ku mazhoranca dhe opozita po tentojnë të zhvillojnë negociata për zgjedhjen e një emri konsensual. Pjesëmarrjen në këto konsultime kryeministri Edi Rama i ka mohuar në mënyrë kategorike Sali Berishës, ku një ditë më parë nga foltorja e Kuvendit i tha se ‘nuk bisedon me të vdekurit”, ndërsa Sali Berisha iu përgjigj se “Rama ia ka frikën”.
Në një konferencë me gazetarët nga selia blu, për zgjedhjen e presidentit të ri, ish-kryeministri Berisha tha se qeveria po e bënë këtë proces qesharak dhe se kërkon të vendos në krye të vendit një person që është i gatshëm të lirojë postin kur Rama të dojë të bëhet vetë President. Mes socialistëve për postin e presidentit, sipas Berishës, emri më i përfolur është ai i Vali Bizhgës, shefja e Kabinetit të Kryeministrit.
“E dini ju cili është emri më i përfolur, a keni dëgjuar ndonjë emër? Jua them unë. Sipas statistikave të Ramës 2/3 e ‘sekreteve’ i kanë kaluar Vali Bizhgës. E solla këtë moment për të theksuar se sa qesharak e bëri Edi Rama një proces kushtetues. Po kërkohet kandidati që në prag të disfatës së tij elektorale të javë dorëheqjen që pastaj të bëhet Edi Rama. I them se kjo nuk do të bëhet kurrë, mendon vetëm për vete që të gjejë shpëtim”, tha Berisha.
Lidhur me votimin e emrit të presidentit në Kuvend, Berisha tha se nuk do e bojkotojnë procesin, por do të jenë në parlament për të votuar kundër kandidatit të propozuar nga PS.
“Nuk bëhet fjalë që do të bojkotojmë procesin. Ne do të jemi në parlament. Ka ide që u shprehën dje se mund të paraqesim një kandidat tonin. Nuk më duket racionale për faktin se kur nuk ke votat, nuk e di çfarë figure bën, por do të jemi aty për të votuar kundër kandidatit” shtoi Berisha.
Nëse Prokuroria e Posaçme e thërret për hetimin e çështjes CEZ-DIA, Berisha tha se nuk trembet dhe se është i gatshëm të dëshmojë, ndërsa nuk ndali akuzat ndaj SPAK ku tha se po “përdoret si skrap i partisë”.
“CEZ është afera më gjigante e korrupsionit në Shqipëri. Shqipëria kishte një arbitrazh me kompaninë CEZ dhe ky arbitrazh kërkoi vlerësimet me kompaninë ndërkombëtare dhe faktuan se CEZ i detyrohej shtetit shqiptar 630 milionë euro me fatura të vërtetuara dhe i detyrohej 3.2 miliard euro me dëmet e krijuara. Arbitri ndërkombëtar ishte shpresë plotë se Shqipëria fiton gjyqin. Çfarë ndodhi? Ndodhi Edi Rama, firmosi marrëveshje së bashku me Damian Gjiknurin me CEZ. Pranuan të gjitha kushtet, shmangën Arbitrazhin, dënuan Shqipërinë në një humbje të tmerrshme. Kur SPAK përdoret si skrap i partisë janë të destinuara të mbeten në gjumë, kështu që çdo lloj dosje që disponohet, bile i këshilloj të përpiqen të falsifikojnë dhe ta manipulojnë, le ta dërgojnë se nuk ka asnjë lloj problemi”, tha Berisha.
Berisha komentoi edhe bordet e transparencën për çmimet e karburanteve dhe produkteve të shportës, duke i cilësuar ato si rikthim në diktaturë dhe se duhet të anulohen sa më parë.
“Bordet e krijuara nga qeveria janë forma të vjetra që të rikujtojnë kohërat e diktaturave. Nuk mund të ketë borde për rregullimin e çmimit të ushqimeve. Qeveria ka të gjitha mundësitë dhe mënyrat kur ajo nuk është frymëzuese e spekulimit, të godasë spekulimin aty ku lind. Por qeveria është e detyruar të zbatojë praktika transparente dhe të mbrojë popullatën nga ky agresion i vërtetë i rritjes së çmimeve që kërcënon jetën e përditshme të familjeve shqiptare. Bordet veçse sa përligjin spekulimin dhe krijojnë mundësi të reja për spekulim”, tha Berisha./RTSH.al