E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Monika Kryemadhi: Kemi përgatitur listën me denoncime ndaj qeverisë, LSI gati për ristartim

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi gjatë një takimi me kryetarët e degëve, ka thënë se janë gati për një ristartim të ri. Kryemadhi njoftoi se janë duke bërë gati një listë të gjatë denoncimesh ndaj qeverisë të cilat do ti dorëzojnë së shpejti në Prokurori. Kryemadhi theksoi se në zgjedhjet e 25 prillit, paratë e inceneratorëve në Tiranë, Durrës dhe Fier u përdorën kundër LSI.

“Mos harroni që paratë e inceneratorëve kanë qenë të hedhura në Tiranë, Durrës dhe Fier kundër LSI. Mos harroni që kapja e opozitës me paratë e inceneratorëve dhe paratë e shumë koncensioneve, duke filluar nga Porti i Durrësit, kanë qenë një nga dëmet më të mëdha që iu bë Shqipërisë sepse theu shpresën e ndryshimit.

Ne po bëjmë gati një listë të madhe denoncimesh të cilat do t’ia drejtojmë Prokurorisë shqiptare, le ti kenë aty, ndonëse qëndrimi ynë ndaj veprimeve të tyre është skeptik, duke pasur parasysh se shumë gjëra zvarriten kur kanë lidhje me qeverinë”, tha Kryemadhi.

Kryetarja e LSI theksoi se mbledhja e Konventës Kombëtare është një domosdoshmëri. Kryemadhi tha se në zgjedhjet e ardhshme lokale, përfaqësimi i LSI do të jetë në të gjitha bashkitë dhe këshillat bashkiakë.

“Mbledhja e Konventës Kombëtare më 25 korrik, është konventa e parë që vjen mbas zgjedhjeve një anëtar një votë, të cilën për shkak të pandemisë ne e patëm spostuar. Tashmë erdhi momenti që, në bazë të një analize që e kemi bërë për zgjedhjet e 25 prillit, është domosdoshmërisht mbledhja e Konventës për zgjedhjen e strukturave dhe përgatitjen e LSI për zgjedhjet lokale, ku përfaqësimi i LSI do jetë në të gjitha bashkitë dhe të gjitha këshillat bashkiakë.

Strukturat organizative do të përgatiten jo vetëm për zgjedhjen e kandidatëve, por edhe për evidentimin sidomos duke pasur parasysh që këshillat bashkiak do kenë kuotën gjinore 50% gra dhe 50% burra.

Ka ardhur koha që ne të ristartojmë me një energji të re, me një eksperiencë nga zgjedhjet e 25 prillit dhe një pasion që gjendet brenda nesh”, u shpreh Kryemadhi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›